Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
JOSHUA
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 17
Josh Alb 17:1  Kjo qe pjesa që i ra me short fisit të Manasit, sepse ai ishte i parëlinduri i Jozefit, Maikirit, të parëlindurit të Manasit dhe atë i Galaadit, iu caktua Galaadi dhe Bashani, sepse ishte luftëtar.
Josh Alb 17:2  Ju dha me short gjithashtu një pjesë bijve të tjerë të Manasit, simbas familjeve të tyre: bijve të Abiezerit, bijve të Helekut, bijve të Asrielit, bijve të Heferit, bijve të Shemidit. Këta ishin fëmijët meshkuj të Manasit, birit të Jozefit, simbas familjeve të tyre.
Josh Alb 17:3  Tselofehadi, bir i Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, nuk pati djem, por vetëm vajza, të cilat quheshin Mahlah, Noah, Higlah, Milkah dhe Tirtsah.
Josh Alb 17:4  Ato u paraqitën para priftit Eleazar, para Jozueut, birit të Nunit, dhe para princave, duke thënë: "Zoti urdhëroi Moisiun që të na japë një trashëgimi në mes të vëllezërve tanë". Dhe Jozueu u dha një trashëgimi në mes të vëllezërve të atit të tyre, simbas urdhrit të Zotit.
Josh Alb 17:5  Kështu i ranë dhjetë pjesë Manasit, përveç vendit të Galaadit dhe të Bashanit që ndodheshin matanë Jordanit;
Josh Alb 17:6  në fakt bijat e Manasit morën një trashëgimi në mes të bijve të tij, dhe vendi i Galaadit iu caktua bijve të tjerë të Manasit.
Josh Alb 17:7  Kufiri i Manasit shtrihej nga Asheri në Mikmethsah, që ndodheshin përballë Sikemit, pastaj kthente nga e djathta në drejtim të banorëve të En-Tapuahut.
Josh Alb 17:8  Vendi i Tapuahut i përkiste Manasit; por Tapuahu në kufi të Manasit ishte pronë e bijve të Efraimit.
Josh Alb 17:9  Pastaj kufiri zbriste në përruan Kanah, në jug të përroit; këto qytete që ishin pronë e Efraimit ngriheshin në mes të qyteteve të Manasit; por kufiri i Manasit ndodhej në krahun verior të përroit dhe mbaronte në det.
Josh Alb 17:10  Territori në jug i përkiste Efraimit, kurse ai në veri ishte pronë e Manasit, dhe deti ishte kufiri i tyre; në veri kufizoheshin me Asherin dhe në lindje me Isakarin.
Josh Alb 17:11  Përveç kësaj, në territorin e Isakarit dhe në atë të Asherit Manasi zotëronte: Beth-Shean me fshatrat e tij, Ibleam me fshatrat e tij, banorët e Dorit me fshatrat e tij, banorët e En-Dorit me fshatrat e tij, banorët e Tanaakut me fshatrat e tij, banorët e Megidos me fshatrat e tij, tri krahina kodrinore.
Josh Alb 17:12  Por bijtë e Manasit nuk mundën t'i pushtojnë ato qytete, sepse Kananejtë ishin të vendosur të rrinin në atë vend.
Josh Alb 17:13  Por bijtë e Izraelit u bënë të fortë, nënshtruan Kananejtë dhe i robëruan, por nuk i dëbuan krejt.
Josh Alb 17:14  Atëherë bijtë e Jozefit i folën Jozueut dhe i thanë: "Pse na dhe si trashëgimi vetëm një pjesë, vetëm një hise, kur ne jemi një popull i madh që Zoti e ka bekuar deri sot?".
Josh Alb 17:15  Jozueu u tha atyre: "Në rast se jeni një popull i madh në numër, shkoni në pyll dhe hapni tokë të re që të keni tokë në vendin e Perezejve dhe të gjigantëve, sepse krahina malore e Efraimit është tepër e paktë për ju".
Josh Alb 17:16  Por bijtë e Jozefit iu përgjigjën: "Krahina malore nuk na mjafton; dhe të gjithë Kananejtë që banojnë në krahinën fushore kanë qerre të hekurta, si ata që janë në Beth-Shean dhe në fshatrat e tij, ashtu dhe ata që banojnë në luginën e Jizreelit".
Josh Alb 17:17  Atëherë Jozueu i foli shtëpisë së Jozefit, Efraimit dhe Manasit, dhe tha: "Ti je një popull i madh në numër dhe ke një forcë të madhe; nuk do të kesh vetëm një pjesë,
Josh Alb 17:18  por edhe krahina malore do të jetë jotja; ndonëse është pyll, ti do ta shpyllëzosh dhe do të jetë jotja deri në skajet e tij më të largëta, sepse ti do t'i dëbosh Kananejtë megjithëse kanë qerre të hekurta dhe janë të fortë".