Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
DEUTERONOMY
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 13
Deut Alb 13:1  "Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli,
Deut Alb 13:2  dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: "Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t'u shërbejmë",
Deut Alb 13:3  ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.
Deut Alb 13:4  Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t'i bindeni zërit të tij, do t'i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.
Deut Alb 13:5  Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t'ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t'ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt.
Deut Alb 13:6  Në rast se vëllai yt, bir i nënës sate, biri yt ose bija jote, gruaja që prehet mbi gjirin tënd apo shoku që ti e do si shpirtin tënd të nxit fshehtazi, duke thënë: "Shkojmë t'u shërbejmë perëndive
Deut Alb 13:7  hyjnive të popujve që ju rrethojnë, që janë pranë apo larg teje, nga një skaj i tokës deri në skajin tjetër të tokës,
Deut Alb 13:8  mos iu nënshtro atij dhe mos e dëgjo; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për të; mos e kurse, mos e fsheh.
Deut Alb 13:9  Por ti duhet ta vrasësh; dora jote të jetë e para që të ngrihet kundër tij, për ta vrarë; pastaj le të vijë dora e gjithë popullit.
Deut Alb 13:10  Ti do ta vrasësh me gurë dhe ai do të vdesë, sepse ka kërkuar të të largojë nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.
Deut Alb 13:11  Kështu tërë Izraeli do ta dëgjojë këtë ngjarje dhe do të ketë frikë, e nuk ka për të kryer më asnjë veprim të keq si ky në gjirin tënd.
Deut Alb 13:12  Në qoftë se një ndër qytetet e tua që Zoti, Perëndia yt, të jep për të banuar, dëgjon të thuhet
Deut Alb 13:13  që njerëz të çoroditur kanë dalë nga gjiri juaj dhe kanë mashtruar banorët e qytetit të tyre duke thënë: "Shkojmë t'u shërbejmë perëndive të tjera", që ju nuk i keni njohur kurrë,
Deut Alb 13:14  ti do të bësh hetime, kërkime dhe do të marrësh me kujdes në pyetje; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurt që ky veprim i neveritshëm është kryer me të vërtetë në gjirin tënd,
Deut Alb 13:15  atëherë do të vrasësh me shpatën tënde banorët e atij qyteti, duke vendosur shfarosjen e tij dhe gjithçka që ndodhet në të; do të vrasësh edhe bagëtinë e tij.
Deut Alb 13:16  Pastaj do të mbledhësh tërë plaçkën e tij në mes të sheshit dhe do ta djegësh me zjarr qytetin dhe tërë plaçkën e tij përpara Zotit, Perëndisë tuaj; ajo do të mbetet një grumbull gërmadhash për gjithnjë dhe nuk do të rindërtohet më kurrë.
Deut Alb 13:17  Prandaj asgjë nga ato që janë caktuar të shkatërrohen të mos ju ngjitet në dorë, me qëllim që Zoti të heqë dorë nga zjarri i zemërimit të tij dhe të tregohet i dhimshur t'i vijë keq për ty dhe të të shumëzojë, ashtu siç u është betuar etërve tuaj,
Deut Alb 13:18  sepse ti e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar të gjitha urdhërimet e tij që po të përcakton sot duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tuaj".