Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
EZEKIEL
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 4
Ezek Alb 4:1  "Ti bir njeriu, merr një pllakë të vogël argjile, vëre para teje dhe vizato mbi të një qytet, Jeruzalemin:
Ezek Alb 4:2  rrethoje, ndërto kundër tij një kullë, lartëso kundër asaj disa ledhe, vendos kundër saj fushime dhe disa desh rreth e qark.
Ezek Alb 4:3  Pastaj merr një pllakë hekuri dhe vendose si një mur hekuri midis teje dhe qytetit; kthe fytyrën tënde përballë tij dhe ai do të jetë i rrethuar dhe ti do ta rrethosh. Kjo do të jetë një shenjë për shtëpinë e Izraelit.
Ezek Alb 4:4  Shtrihu pastaj mbi krahun e majtë dhe vendos mbi të paudhësinë e shtëpisë së Izraelit. Për numrin e ditëve gjatë të cilave do të rrish shtrirë mbi të, do të mbash paudhësinë e tyre.
Ezek Alb 4:5  Në fakt unë kam vënë mbi ty vitet e paudhësisë së tyre në bazë të numrit të ditëve gjatë të cilave ti do të rrish shtrirë, treqind e nëntëdhjet ditë. Kështu ti do të mbash paudhësinë e shtëpisë së Izraelit.
Ezek Alb 4:6  Me ti mbaruar këto, do të shtrihesh përsëri në krahun tënd të djathtë dhe do ta mbash paudhësinë e shtëpisë së Judës për dyzet ditë. Kam vënë mbi ty një ditë për çdo vit.
Ezek Alb 4:7  Ti do ta kthesh fytyrën tënde dhe krahun tënd të zhveshur në drejtim të rrethimit të Jeruzalemit dhe do të profetizohesh kundër tij.
Ezek Alb 4:8  Dhe ja, po të vë litarë mbi trup në mënyrë që ti të mos kthehesh nga një krah në tjetrin, deri sa të kesh plotësuar ditët e rrethimit tënd.
Ezek Alb 4:9  Merr edhe grurë, elb, bathë, thjerëza, mel dhe grurë të fortë, vëri në një enë dhe u bëj bukë; të cilën do ta hash gjatë tërë ditëve që do të rrish shtrirë mbi krahun tënd, domethënë për treqind e nëntëdhjetë ditë.
Ezek Alb 4:10  Ushqimi që do të hash do të ketë një peshë prej njëzet siklash në ditë; do ta hash në çaste të caktuara, çdo ditë.
Ezek Alb 4:11  Edhe ujin do ta pish të racionuar: një të gjashtën e një hini; do ta pish në çaste të caktuara çdo ditë.
Ezek Alb 4:12  Do ta hash këtë bukë në formë kuleçësh prej elbi që do ti pjekësh me jashtëqitje njerëzish përpara syve të tyre".
Ezek Alb 4:13  Pastaj Zoti tha: "Kështu bijtë e Izraelit do të hanë bukën e tyre të ndotur në mes të kombeve ndër të cilët do ti shpërndaj".
Ezek Alb 4:14  Atëherë unë thashë: "O, Zot, Zot, unë nuk jam ndotur kurrë; qysh në fëmijëri e deri më sot nuk kam ngrënë kurrë mish kafshe të ngordhur në mënyrë natyrale ose të shqyer dhe nuk më ka hyrë në gojë asnjë mish i papastër.
Ezek Alb 4:15  Atëherë ai më tha: "Ja unë po të jap bajga lopësh në vend të jashtëqitjeve të njeriut; mbi to do të pjekësh bukën tënde".
Ezek Alb 4:16  Pastaj më tha: "Bir njeriu, unë do të bëj të mungojë baza e bukës në Jeruzalem; ata do ta hanë bukën me peshë dhe në hidhërim dhe do të pijnë ujin e racionuar në tmerr,
Ezek Alb 4:17  sepse do t'u mungojë buka dhe uji dhe do të shikojnë njeri tjetrin të tmerruar, duke u shkrirë në paudhësinë e tyre".