Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
EZEKIEL
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 16
Ezek Alb 16:1  Fjala e Zotit m'u drejtua përsëri, duke thënë:
Ezek Alb 16:2  "Bir njeriu, bëja të njohura Jeruzalemit veprimet e tij të neveritshme,
Ezek Alb 16:3  dhe i thuaj: Kështu i thotë Zoti, Zoti, Jeruzalemit: Prejardhja jote dhe lindja jote janë nga vendi i Kanaanit; ati yt ishte një Amoreas dhe nëna jote një Hitease.
Ezek Alb 16:4  Kur linde ti, ditën që dole në këtë botë, nuk t'u pre kërthiza, nuk të lanë me ujë për t'u pastruar, nuk të fërkuan me kripë as të mbështollën në pelena.
Ezek Alb 16:5  Asnjë sy nuk u kujdes për ty që të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra, duke i ardhur keq për ty; përkundrazi ditën që linde të hodhen në fushë të hapur, për shkak të neverisë që kishin për ty.
Ezek Alb 16:6  Unë të kalova afër, pashë që po përpëliteshe në gjak dhe të thashë, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd: "Jeto!". Po, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd të thashë: "Jeto!".
Ezek Alb 16:7  Të bëra të rritesh si mori si filizat e arave; dhe ti u rrite, ubëre e madhe dhe u bëre shumë e bukur. Gjiri t'u formua, flokët t'u rritën shumë, por ti ishe lakuriqe dhe nevojtare.
Ezek Alb 16:8  Unë të kalova afër dhe të shikova, dhe ja, koha jote ishte koha e dashurisë. Kështu shtriva cepin e rrobave të mia mbi ty dhe mbulova lakuriqësinë tënde; të bëra një betim, lidha një besëlidhje me ty dhe ti u bëre imja", thotë Zoti, Zoti.
Ezek Alb 16:9  "Të lava me ujë, të pastrova krejt nga gjaku dhe të leva me vaj.
Ezek Alb 16:10  Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura, të vura sandale prej lëkure baldoseje, të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh.
Ezek Alb 16:11  Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në kyçet e dorës dhe një gjerdan në qafë.
Ezek Alb 16:12  Të vura një unazë në hundë, vathë te veshët dhe një kurorë të mrekullueshme mbi krye.
Ezek Alb 16:13  Kështu u zbukurove me ar dhe argjend dhe u veshe me li të hollë, me mëndafsh dhe me qëndisje. Ti hëngre majë mielli, mjaltë dhe vaj; u bëre shumë, shumë e bukur dhe arrite të mbretërosh.
Ezek Alb 16:14  Nami yt u përhap midis kombeve për bukurinë tënde që ishte e përsosur, për shkak të shkëlqimit tim të madh që kisha vendosur mbi ty", thotë Zoti, Zoti.
Ezek Alb 16:15  Por ti vure besim në bukurinë tënde dhe u kurvërove për shkak të namit tënd dhe ia falje kurvërimet e tua çdo kalimtari, që i pranonte.
Ezek Alb 16:16  Ti more disa nga rrobat e tua, bëre vende të larta me ngjyra të ndryshme në të cilat u kurvërove, gjëra që nuk duhet të kishin ndodhur dhe as që të ishin.
Ezek Alb 16:17  More gjithashtu xhevahiret e tua të bukura të bëra me arin dhe argjendin tim, që unë të kisha dhënë, bëre prej tyre figura njeriu dhe u kurvërove me to;
Ezek Alb 16:18  pastaj more rrobat e tua të qëndisura, i mbulove dhe ofrove para tyre vajin dhe temjanin tim.
Ezek Alb 16:19  Edhe bukën time që të kisha dhënë, majën e miellit, vajin dhe mjaltin me të cilin të ushqeja, i vure para tyre si një parfum me erë shumë të këndshme; kështu ndodhi", thotë Zoti, Zoti.
Ezek Alb 16:20  "Përveç kësaj more bijtë e tu e bijat e tua që më kishe lindur dhe i sakrifikove ata, që të gëlltiten. Mos vallë ishin pak gjë kurvërimet e tua,
Ezek Alb 16:21  që ti të therje bijtë e mi dhe t'ua ofroje atyre duke i kaluar nëpër zjarr?
Ezek Alb 16:22  Me gjithë veprimet e tua të neveritshme dhe kurvërimet e tua, nuk i kujtove ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq dhe nevojtare dhe përpëliteshe në gjak.
Ezek Alb 16:23  Tani mbas gjithë ligësisë sate, "mjerë, mjerë ti!"", thotë Zoti, Zoti;
Ezek Alb 16:24  "në çdo shesh ke ndërtuar një kamare dhe ke bërë një vend të lartë;
Ezek Alb 16:25  në krye të çdo rruge ke ndertuar një vend te lartë, e ke bërë të neveritshme bukurinë tënde, dhe i ke hapur këmbët e tua çdo kalimatari, duke i shumuar kurvërimet e tua.
Ezek Alb 16:26  Ti gjithashtu je kurvëruar me Egjiptasit, fqinjët e tu trupmëdhenj, dhe i ke shumuar kurvërimet e tua për të provokuar zemërimin tim.
Ezek Alb 16:27  Prandaj, ja, unë kam shtrirë dorën kundër teje, kam pakësuar racionin tënd të caktuar, të kam lënë në dorë të atyre që të urrejnë, bijave të Filistejve, që u vjen turp nga qëndrimi yt i poshtër.
Ezek Alb 16:28  Ende e pa kënaqur, je kurvëruar me Asirianët; po, je kurvëruar me ata, por pa qenë e kënaqur.
Ezek Alb 16:29  Kështu i ke shtuar kurvërimet e tua me vendin e Kanaanit deri në Kalde, por as me këtë nuk je kënaqur.
Ezek Alb 16:30  Sa e shthurur është zemra jote", thotë Zoti, Zoti, "kur bën tërë këto gjëra të një prostitute pa cipë!
Ezek Alb 16:31  Ti ndërtoje kamaren në krye të çdo rruge dhe bënje vendet e larta në çdo shesh por nuk ishe si një prostitutë, sepse përbuzje pagën,
Ezek Alb 16:32  por si një grua që shkel kurorën, që në vend të bashkëshortit të saj pret të huajt.
Ezek Alb 16:33  Të gjitha prostitutave u bëhen dhurata, por ti u ke bërë dhurata gjithë dashnorëve të tu dhe me dhurata i ke bërë të vijnë nga çdo anë te ti për kurvërimet e tua.
Ezek Alb 16:34  Në kurvërimet e tua je sjellë krejt ndryshe nga gratë e tjera; askush nuk të ndiqte nga pas për t'u kurvëruar, sepse ti jepje pagesën në vend që ta merrje atë; kështu je sjellë krejt ndryshe nga të tjerat".
Ezek Alb 16:35  Prandaj, o prostitutë, dëgjo fjalën e Zotit.
Ezek Alb 16:36  Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se paratë e tua janë shkapërderdhur dhe lakuriqësia jote është zbuluar në kurvërimet e tua me dashnorët e tu dhe me tërë idhujt e tu të neveritshëm dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që u ke ofruar atyre,
Ezek Alb 16:37  ja, unë do të mbledh tërë dashnorët e tu me të cilët ke bërë qejf, të gjithë ata që ke dashuruar bashkë me ata që ke urryer; do t'i mbledh nga çdo anë kundër teje dhe do të zbuloj para tyre lakuriqësinë tënde, me qëllim që ata të shohin gjithë lakuriqësinë tënde.
Ezek Alb 16:38  Do të të gjykoj si gjykohen gratë që shkelin kurorën dhe ato që derdhin gjakun dhe do të sjell mbi ty gjakun e tërbimit dhe të xhelozisë.
Ezek Alb 16:39  Do të të jap pastaj në duart e tyre dhe ata do të shembin kamaren tënde dhe do të hedhin poshtë të gjitha vendet e tua të larta do të të zhveshin gjithashtu nga rrobat e tua, do të marrin xhevahiret e tua të mrekullueshme dhe do të të lënë lakuriq dhe nevojtare.
Ezek Alb 16:40  Pastaj do të bëjnë të dalë kundër teje një turmë e madhe dhe do të të vrasin me gurë dhe do të të shpojnë me shpatat e tyre.
Ezek Alb 16:41  Do t'u vënë flakën shtëpive të tua dhe do të zbatojnë vendime kundër teje para syve të shumë grave; do të të bëj të heqësh dorë nga kurvërimi dhe nuk do të japësh më asnjë pagë.
Ezek Alb 16:42  Kështu do ta fashit zemërimin tim mbi ty dhe xhelozia ime do të largohet nga ti; do të qetësohem dhe nuk do të zemërohem më.
Ezek Alb 16:43  Sepse ti nuk i ke kujtuar ditët e rinisë sate dhe më ke bërë të tërbohem me të gjitha këto gjëra, ja, edhe unë do të të bëj që të bien mbi kokën tënde veprimet e tua", thotë Zoti, Zoti, "kështu ti nuk do të kryesh poshtërsi të tjera përveç veprimeve të tua të neveritshme.
Ezek Alb 16:44  Kushdo që do të thotë proverba, do të thotë këtë proverb kundër teje: "Si nëna është edhe e bija".
Ezek Alb 16:45  Ti je me të vërtetë bija e nënës sate që ka mohuar bashkëshortin e saj dhe bijt e vet, dhe je motër e motrave të tua që kanë mohuar burrat dhe bijtë e tyre. Nëna juaj ishte një Hitease dhe ati juaj një Amoreas.
Ezek Alb 16:46  Motra jote më e madhe është Samaria, që banon me gjithë bijat e saj në të majtën tënde; motra jote më e vogël është Sodoma, që banon me gjithë bijat e saj në të djathtën tënde.
Ezek Alb 16:47  Ti jo vetëm ke ecur në rrugët e tyre dhe ke kryer veprimet e tyre të neveritshme, por, sikur kjo të ishte fare pak, në të gjitha rrugët e tua je korruptuar më shumë se ato.
Ezek Alb 16:48  Siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Zoti, Zoti, "motra jote Sodoma dhe bijat e saj nuk kanë bërë atë që ke bërë ti bashkë me bijat e tua.
Ezek Alb 16:49  Ja, kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar, por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfërit.
Ezek Alb 16:50  Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje; prandaj i hoqa nga mesi, kur e pashë këtë.
Ezek Alb 16:51  Samaria nuk ka kryer as gjysmën e mëkateve të tua; ti i ke shumuar veprimet e tua të neveritshme më shumë se ato dhe ke justifikuar motrat e tua me të gjitha veprimet e neveritshme që ke kryer.
Ezek Alb 16:52  Ti, që ke gjykuar motrat e tua, mbaje turpin tënd, sepse me mëkatet që ke kryer je bërë më e neveritshme se ato; ato janë më të drejta se ti. Po, ki turp, dhe mbaje për vete turpin, sepse ke justifikuar motrat e tua.
Ezek Alb 16:53  Kur do t'i kthej robërit e tyre, robërit e Sodomës dhe bijat e saj, robërit e Samarias dhe vajzat e saj, atëherë do t'i kthej edhe robërit nga robërimi yt që janë në mes tyre,
Ezek Alb 16:54  me qëllim që ti të mbash turpin tënd dhe të turpërohesh për tërë ato që ke bërë, kur i ke dhënë zemër.
Ezek Alb 16:55  Kur motrat e tua, Sodoma dhe bijat e saj, do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, dhe Samaria dhe bijat e saj do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, edhe ti dhe bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.
Ezek Alb 16:56  Motra jote Sodoma nuk ishte përmendur fare nga goja jote në ditët e kryelartësisë sate,
Ezek Alb 16:57  para se ligësia jote të zbulohej lakuriq, si ndodhi kur të fyen bijat e Sirisë dhe të gjitha ato që ishin rreth tyre, bijat e Filistejve, që të përçmonin nga të gjitha anët.
Ezek Alb 16:58  Ti mban dënimin e poshtërsisë sate dhe të veprimeve të tua të neveritshme", thotë i Amshueshmi.
Ezek Alb 16:59  Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë do të veproj me ty ashtu si ke vepruar ti me mua, se ke përçmuar betimin, duke shkelur besëlidhjen".
Ezek Alb 16:60  "Megjithatë do të kujtoj besëlidhjen që lidha me ty në ditët e rinisë sate dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetëshme.
Ezek Alb 16:61  Atëherë do të kujtohesh për sjelljen tënde dhe do të të vijë turp, kur do të presësh motrat e tua, ato që janë më të mëdha dhe ato që janë më të vogla nga ti; dhe unë do t'i jap ty si bija, por jo për hir të besëlidhjes sate.
Ezek Alb 16:62  Unë do të lidh besëlidhjen time me ty dhe ti do të pranosh që unë jam Zoti,
Ezek Alb 16:63  me qëllim që të mbash mend, të të vijë turp dhe të mos hapësh gojën për shkak të konfuzionit tënd, kur të kem bërë shlyerjen e fajit për të gjitha ato që ke bërë", thotë Zoti, Zoti.