Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
I KINGS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 3
I Ki Alb 3:1  Pastaj Salomoni bëri krushqi me Faraonin, mbretin e Egjiptit. U martua me të bijën e Faraonit dhe e çoi në qytetin e Davidit, deri sa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e tij, shtëpinë e Zotit dhe muret rrethuese të Jeruzalemit.
I Ki Alb 3:2  Populli ofronte flijime në vendet e larta, sepse deri në atë ditë nuk ishte ndërtuar akoma një tempull në emër të Zotit.
I Ki Alb 3:3  Salomoni e donte Zotin dhe respektonte statutet e Davidit, atit të tij; megjithatë ofronte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta.
I Ki Alb 3:4  Mbreti shkoi në Gabaon për të ofruar flijime, sepse ky ishte vendi i lartë më i rëndësishëm; dhe mbi këtë altar Salomoni ofroi një mijë olokauste.
I Ki Alb 3:5  Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salamonit. Perëndia i tha: "Kërko ç'të duash dhe unë do ta jap".
I Ki Alb 3:6  Salamoni u përgjigj: "Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot.
I Ki Alb 3:7  Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem.
I Ki Alb 3:8  Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t'u numëruar dhe llogaritur.
I Ki Alb 3:9  Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?".
I Ki Alb 3:10  I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë.
I Ki Alb 3:11  Atëherë Perëndia i tha: "Me qenë se kërkove këtë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar zgjuarsi për të kuptuar atë që është e drejtë,
I Ki Alb 3:12  ja, unë po bëj atë që ti ke kërkuar: po të jap një zemër të urtë dhe të zgjuar, sa nuk ka pasur asnjëri para teje dhe nuk ka për të dalë askush si ti mbas teje.
I Ki Alb 3:13  Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate.
I Ki Alb 3:14  Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t'i zgjatur ditët e tua".
I Ki Alb 3:15  Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi olokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij.
I Ki Alb 3:16  Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.
I Ki Alb 3:17  Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.
I Ki Alb 3:18  Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.
I Ki Alb 3:19  Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.
I Ki Alb 3:20  Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.
I Ki Alb 3:21  Kur në mëngjes u ngrita për t'i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e kqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".
I Ki Alb 3:22  Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit.
I Ki Alb 3:23  Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"".
I Ki Alb 3:24  Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit.
I Ki Alb 3:25  Pastaj mbreti urdhëroi: "Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës".
I Ki Alb 3:26  Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: "Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: "Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!".
I Ki Alb 3:27  Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: "Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës".
I Ki Alb 3:28  Tërë Izraeli e mësoi vendimin që u dha nga mbreti dhe patën frikë nga mbreti sepse shihnin që dituria e Perëndisë ishte tek ai për të ushtruar drejtësinë.