Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
REVELATION OF JOHN
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 21
Reve Alb 21:1  Dhe pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.
Reve Alb 21:2  Dhe unë, Gjoni, pashë qytetin e shenjtë, Jeruzalemin e ri, që zbriste nga qielli, nga Perëndia, që ishte bërë gati si nuse e stolisur për burrin e vet.
Reve Alb 21:3  Dhe dëgjova një zë të madh nga qielli që thoshte: ''Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi e tyre.
Reve Alb 21:4  Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan''.
Reve Alb 21:5  Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ''Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja''. Dhe më tha: ''Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike''.
Reve Alb 21:6  Edhe më tha: ''U bë! Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi! Atij që ka etje unë do t'i jap si dhuratë nga burimi i ujit të jetës.
Reve Alb 21:7  Kush fiton do t'i trashëgojë të gjitha gjërat; dhe do të jem për të Perëndi dhe ai do të jetë për mua bir.
Reve Alb 21:8  Kurse për frikacakët dhe të pabesët, dhe të neveritshmit dhe vrasësit, dhe kurvëruesit, dhe magjistarët, dhe idhujtarët, dhe gjithë gënjeshtarët, pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë''.
Reve Alb 21:9  Pastaj erdhi drejt meje një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat plot me shtatë plagët e fundit, dhe foli me mua, duke thënë: ''Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit''.
Reve Alb 21:10  Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,
Reve Alb 21:11  duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj i ngjante me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.
Reve Alb 21:12  Ai kishte një mur të madh dhe të lartë me dymbëdhjetë porta, dhe te portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
Reve Alb 21:13  Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.
Reve Alb 21:14  Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
Reve Alb 21:15  Dhe ai që fliste me mua kishte një kallam ari, për të matur qytetin, dyert e tij dhe murin e tij.
Reve Alb 21:16  Dhe qyteti kishte formë katërkëndësh, dhe gjatësia e tij është sa gjerësia; ai e mati qytetin me kallamin deri në dymbëdhjetë mijë stade; gjatësia, gjërësia dhe lartësia e tij janë të barabartë.
Reve Alb 21:17  Mati edhe murin, që ishte njëqind e dyzet e katër kubitë, me matje njeriu, domethënë engjëllit.
Reve Alb 21:18  Muri ishte bërë ishte prej diaspri; dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, i ngjashëm me kristal transparent.
Reve Alb 21:19  Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me gjithfarë gurësh të çmuar; themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
Reve Alb 21:20  i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krizopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti, i dymbëdhjeti prej ametisti.
Reve Alb 21:21  Dhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, secila portë ishte bërë prej një margaritari të vetëm, edhe sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar, si kristal i transparent.
Reve Alb 21:22  Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji janë tempulli i tij.
Reve Alb 21:23  Dhe qyteti nuk ka nevojë për diell, as për hënë që të ndriçojnë në të, sepse lavdia e Perëndisë e ndriçon atë, dhe llamba e tij është Qengji.
Reve Alb 21:24  Dhe kombet e të shpëtuarve do të ecin në dritën e tij; dhe mbretërit e dheut do të sjellin lavdinë dhe nderin e tyre në të.
Reve Alb 21:25  Dhe portat e tij nuk do të mbyllen asnjëherë gjatë ditës, sepse nuk do të ketë asnjëherë natë.
Reve Alb 21:26  Edhe në të do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve.
Reve Alb 21:27  Edhe nuk do të hyjë asgjë e papastër dhe askush që kryen neveri e gënjeshtër, por vetëm ata që janë të shkruar në librin e jetës të Qengjit.