Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ISAIAH
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 57
Isai Alb 57:1  I drejti vdes, por askush nuk kujdeset për të; njerëzit e devotshëm çohen tutje, dhe askush nuk mendon që i drejti është çuar larg përpara së keqes.
Isai Alb 57:2  Ai hyn në paqe; ata që kanë ecur në ndershmëri pushojnë në shtretërit e tyre.
Isai Alb 57:3  Por afrohuni këtu, ju bij të magjistares, pasardhës të shkelësit të kurorës dhe të prostitutes.
Isai Alb 57:4  Me kë po talleni? Kundër kujt e hapni gojën dhe nxirrni jashtë gjuhën? A nuk jeni ju bij të rebelimit, pasardhës të gënjeshtrës,
Isai Alb 57:5  ju, që ndizeni midis lisave poshtë çdo druri të blertë, therni bijtë në luginat, në të çarat e shkëmbinjve?
Isai Alb 57:6  Pjesa jote është midis gurëve të lëmuar të përroit; ata, pikërisht ata janë pjesa jote; mbi ta ke derdhur libacione dhe ke sjellë blatime ushqimesh. A do të mund të gjeja përdëllim në këto gjëra?
Isai Alb 57:7  Ti e ke vënë shtratin tënd mbi një mal të lartë dhe të ngritur, edhe aty ke hipur për të ofruar flijime.
Isai Alb 57:8  I ke vënë simbolet e tu idhujtarë prapa portave dhe pas shtalkave. Larg meje je zbuluar dhe je ngjitur tek ata; ke zgjeruar shtratin tënd dhe ke bërë një besëlidhje me ta, ke pëlqyer shtratin e tyre, duke synuar pushtetin e tyre.
Isai Alb 57:9  Ke shkuar te mbreti me vaj, duke i shumuar parfumet e tua; i dërgove larg lajmëtarët e tu dhe u ule deri në Sheol.
Isai Alb 57:10  Nga shkaku i udhëtimeve të tua të shumta je lodhur, por nuk ke thënë: "Éshtë e kotë". Ke gjetur akoma fuqi në dorën tënde, prandaj nuk e ndjen veten të kapitur.
Isai Alb 57:11  Nga kush ke pasur frikë, nga kush je trembur për të gënjyer, për të mos më kujtuar mua dhe për të mos menduar më për mua? A nuk kam qëndruar në heshtje për një kohë të gjatë? Prandaj nuk ke më frikë nga unë.
Isai Alb 57:12  Unë do të shpall drejtësinë tënde dhe veprat e tua, që nuk do të hyjnë aspak në punë.
Isai Alb 57:13  Kur do të bërtasësh, le të vijë të të shpëtojë turma e idhujve të tu. Era do t'i përlajë të tërë, një frymë do t'i çojë tutje. Por ai që gjen strehë tek unë do të zotërojë vendin dhe do të trashëgojë malin tim të shenjtë.
Isai Alb 57:14  Dhe do të thuhet: "Sheshoni, sheshoni, shtroni rrugën, hiqni pengesat nga rruga e popullit tim!".
Isai Alb 57:15  Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i "Shenjti": "Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.
Isai Alb 57:16  Sepse unë nuk dua të kundërshtoj gjithnjë dhe as të jem i zemëruar përjetë, përndryshe para meje do të ligështoheshin fryma dhe shpirtërat që kam bërë.
Isai Alb 57:17  Për shkak të paudhësisë së lakmisë së tij u zemërova dhe e godita; u fsheha, u indinjova, por ai u largua duke ndjekur rrugën e zemrës së tij.
Isai Alb 57:18  I pashë rrugët e tij, por unë do ta shëroj, do ta udhëheq dhe do t'i jap përsëri ngushëllimet e mia atij dhe të tijve që janë të pikëlluar.
Isai Alb 57:19  Unë krijoj frytin e buzëve. Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër", thotë Zoti. "Unë do ta shëroj".
Isai Alb 57:20  Por të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet dhe ujërat e të cilit vjellin llucë dhe baltë.
Isai Alb 57:21  "Nuk ka paqe për të pabesët", thotë Perëndia im.