Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ISAIAH
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 59
Isai Alb 59:1  Ja, dora e Zotit nuk është tepër e shkurtër për të shpëtuar, as veshi i tij nuk është tepër i rënduar për të dëgjuar.
Isai Alb 59:2  Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më.
Isai Alb 59:3  Sepse duart tuaja janë ndotur me gjak dhe gishtërinjtë tuaj me paudhësi; buzët tuaja thonë gënjeshtra, gjuha juaj pëshpërit çoroditje.
Isai Alb 59:4  Askush nuk çel padi me drejtësi, askush nuk e mbron me të vërtetën; kanë besim te fjalët boshe dhe thonë gënjeshtrën, mendojnë të keqen dhe pjellin paudhësinë.
Isai Alb 59:5  Bëjnë që të çelin vezët e nepërkës dhe tjerrin rrjeta merimangash; ai që ha nga vezët e tyre vdes, dhe nga veza e shtypur del jashtë një nepërkë.
Isai Alb 59:6  Rrjetat e tyre nuk do të bëhen rroba, as nuk do të mbulohen me atë që kanë bërë. Veprat e tyre janë vepra paudhësie dhe në duart e tyre ka veprime dhune.
Isai Alb 59:7  Këmbët e tyre vrapojnë drejt së keqes dhe shpejtojnë të derdhin gjak të pafaj; mendimet e tyre janë mendime paudhësie; në shtigjet e tyre ka pikëllim dhe shkatërrim.
Isai Alb 59:8  Rrugën e paqes nuk e njohin dhe nuk ka ndershmëri në rrugët e tyre; i bëjnë dredharake shtigjet e tyre dhe secili që ecën nëpër to nuk njeh paqe.
Isai Alb 59:9  Prandaj ndershmëria është larg nesh dhe drejtësia nuk arrin deri te ne; prisnim dritën, por ja që erdhi errësira, prisnim shkëlqimin, por ja që ecim në errësirë.
Isai Alb 59:10  Prekim murin si të verbërit, ecim verbazi sikur të ishim pa sy; pengohemi në mesditë sikur të ishte mugëtirë; në vende të shkretuara jemi si të vdekur.
Isai Alb 59:11  Ne të gjithë ulërijmë si arinj dhe vazhdojmë të rënkojmë si pëllumbesha, presim të vijë ndershmëria, por ajo nuk vjen; shpëtimin, por ai është larg nesh.
Isai Alb 59:12  Sepse shkeljet tona janë shumuar para teje dhe mëkatet tona dëshmojnë kundër nesh, sepse shkeljet tona na rrinë përpara dhe fajet tona i njohim:
Isai Alb 59:13  duke u rebeluar dhe duke mohuar Zotin, duke mos e ndjekur më Perëndinë tonë, duke folur për shtypje dhe kryengritje, duke i dhënë dhe duke murmuritur në zemër fjalë të rreme.
Isai Alb 59:14  Ndershmëria është larguar dhe drejtësia ka mbetur larg, sepse e vërteta nuk ndodhet më në shesh dhe paanësia nuk mund të hyjë në të.
Isai Alb 59:15  Kështu e vërteta është zhdukur, dhe ai që tërhiqet nga e keqja bëhet një pre e lehtë. Zoti e pa këtë dhe i erdhi keq që nuk ka më ndershmëri.
Isai Alb 59:16  Ai e pa që nuk kishte më asnjë dhe u habit që askush nuk ndërhynte; atëherë i erdhi në ndihmë krahu i tij dhe drejtësia e tij e ka mbajtur,
Isai Alb 59:17  ai u veshi me drejtësinë si me një parzmore dhe vuri mbi kryet e tij përkrenaren e shpëtimit, veshi rrobat e hakmarrjes dhe u mbulua me xhelozi si me një mantel.
Isai Alb 59:18  Ai do t'i japë secilit sipas veprave të tij; tërbimin kundërshtarëve të tij, shpagimin armiqve të tij; ishujve do t'u japë shpërblim të plotë.
Isai Alb 59:19  Kështu do të kenë frikë nga emri i Zotit ata nga perëndimi prej lavdisë së tij ata nga lindja; kur kundërshtari do të vijë si një lum i furishëm, Fryma e Zotit do të lartojë kundër tij një flamur.
Isai Alb 59:20  "Një çlirues do të vijë në Sion dhe për ata të kthyerit nga rebelimi i tyre te Jakobi", thotë Zoti.
Isai Alb 59:21  "Sa për mua, kjo është besëlidhja ime me ata", thotë Zoti: "Fryma ime është mbi ty dhe fjalët e mia që vura në gojën tënde nuk do të largohen kurrë nga goja jote as nga goja e pasardhësve të tu, as nga goja e pasardhësve të pasardhësve të tu", thotë Zoti, "tani e përgjithmonë".