Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ISAIAH
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 13
Isai Alb 13:1  Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit.
Isai Alb 13:2  "Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave.
Isai Alb 13:3  Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time.
Isai Alb 13:4  Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë.
Isai Alb 13:5  Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun.
Isai Alb 13:6  Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit.
Isai Alb 13:7  Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet.
Isai Alb 13:8  Do t'i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta.
Isai Alb 13:9  Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj.
Isai Alb 13:10  Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj.
Isai Alb 13:11  Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t'i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve.
Isai Alb 13:12  Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit.
Isai Alb 13:13  Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij.
Isai Alb 13:14  Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet.
Isai Alb 13:15  Kushdo që do të gjendet do të shpohet dhe kushdo që do të kapet do të vritet me shpatë.
Isai Alb 13:16  Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen.
Isai Alb 13:17  Ja, unë po nxis kundër tyre Medët që nuk do ta kenë mendjen te argjendi dhe nuk gjejnë kënaqësi te ari.
Isai Alb 13:18  Harqet e tyre do t'i rrëzojnë për tokë të rinjtë; nuk do të kenë mëshirë për foshnjat në bark të nënës; syri i tyre nuk do t'i kursejë fëmijët.
Isai Alb 13:19  Kështu Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së Kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi.
Isai Alb 13:20  Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi; Arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t'i ndalin aty kopetë e tyre.
Isai Alb 13:21  Por aty do të pushojnë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, do të banojnë aty strucat, do të hedhin valle satirët.
Isai Alb 13:22  Hienat do të ulërijnë në shtëpitë e tij të shkretuara, çakajtë në pallatet e tij luksoze. Koha e tij po afrohet, ditët e tij nuk do të zgjaten më".