Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
II SAMUEL
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 17
II S Alb 17:1  Pastaj Ahithefeli i tha Absalomit: "Lermë të zgjedh dymbëdhjetë mijë njerëz, dhe të nisem që sonte e ta ndjek Davidin;
II S Alb 17:2  duke e sulmuar sa është i lodhur dhe i dobët; do ta tremb dhe gjithë njerëzit që janë me të do të ikin; kështu do të mund të godas vetëm mbretin,
II S Alb 17:3  dhe tërë popullin do ta kthej te ti. Vdekja e njeriut që ti kërkon do të favorizojë kthimin e të gjithëve; kështu tërë populli do të jetë në paqe".
II S Alb 17:4  Ky propozim u pëlqeu Absalomit dhe të gjithë pleqve të Izraelit.
II S Alb 17:5  Megjithatë Absalomi tha: "Thirrni edhe Arkitin Hushai dhe të dëgjojmë çfarë ka për të thënë për këtë çështje".
II S Alb 17:6  Kur Hushai erdhi tek Absalomi, ky i tha: "Ahithofeli ka folur në këtë mënyrë; a duhet të veprojmë si ka thënë ai? Përndryshe, bëj një propozim ti!".
II S Alb 17:7  Hushai iu përgjigj Absalomit: "Këtë radhë këshilla e dhënë nga Ahithofeli nuk është e mirë".
II S Alb 17:8  Hushai shtoi: "Ti e njeh atin tënd dhe njerëzit e tij që janë trima dhe të egërsuar në kulm, si një arushë në fushë së cilës ia kanë marrë këlyshët; përveç kësaj ati yt është një luftëtar dhe nuk ka për ta kaluar natën me popullin.
II S Alb 17:9  Me siguri në këtë orë ai është fshehur në ndonjë vrimë ose në ndonjë vend tjetër; në qoftë se në fillim do të hidhet mbi disa nga njerëzit e tu, kushdo që do ta mësojë ka për të thënë: "Midis njerëzve që ndiqnin Absalomin ndodhi një masakër".
II S Alb 17:10  Atëherë edhe më trimi, edhe sikur të kishte zemër luani, do të dëshpërohej shumë, sepse tërë Izraeli e di që yt atë është trim dhe që njerëzit që e shoqërojnë janë trima.
II S Alb 17:11  Prandaj këshilloj që i tërë Izraeli nga Dani deri në Beer-Sheba të mblidhet rreth teje, i shumtë si rëra që ndodhet në bregun e detit, dhe që ti të marrësh pjesë personalisht në betejë.
II S Alb 17:12  Kështu do ta arrijmë në çdo vend që të ndodhet dhe do të biem mbi të ashtu si vesa bie mbi tokë; dhe nga gjithë njerëzit që janë me të nuk ka për të shpëtuar as edhe një.
II S Alb 17:13  Në rast se tërhiqet në ndonjë qytet, tërë Izraeli do t'i çojë litarë atij qyteti dhe ne do ta tërheqim në përrua, deri sa aty të mos mbetet asnjë gur".
II S Alb 17:14  Absalomi dhe tërë njerëzit e Izraelit thanë: "Këshilla e Arkitit Hushai është më e mirë se ajo e Ahithofelit". Në të vërtetë Zoti kishte vendosur ta bënte të kotë këshillën e mirë të Ahithofelit për të shkatërruar Absalomin.
II S Alb 17:15  Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: "Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë.
II S Alb 17:16  Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: "Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen".
II S Alb 17:17  Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t'i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David.
II S Alb 17:18  Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të.
II S Alb 17:19  Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri.
II S Alb 17:20  Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: "Ku janë Ahimatsi dhe Jonathani?", gruaja u përgjigj: "Ata e kaluan rrëkenë". Ata filluan t'i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem.
II S Alb 17:21  Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: "Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush".
II S Alb 17:22  Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin.
II S Alb 17:23  Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit.
II S Alb 17:24  Pastaj Davidi arriti në Mahanaim; dhe Absalomi kaloi Jordanin me gjithë njerëzit e Izraelit.
II S Alb 17:25  Absalomi kishte vënë në krye të ushtrisë Amasan në vend të Joabit. Amasan ishte bir i një burri të quajtur Jithra Izraeliti, i cili kishte pasur marrëdhënie seksuale me Abigailin, bijën e Nahashit, motër e Tserujahut, nënë e Joabit.
II S Alb 17:26  Kështu Izraeli dhe Absalomi e ngritën kampin e tyre në vendin e Galaadit.
II S Alb 17:27  Kur Davidi arriti në Mahanaim, Shobi, bir i Nahashit nga Rabahu dhe i bijve të Amonit, Makiri, bir i Amielit nga Lodebaru dhe Barzilai, Galaaditi nga Rogelimi,
II S Alb 17:28  sollën shtretër, legena, enë prej dheu, grurë, elb, miell, grurë të pjekur, bathë, thjerrëza, perime të pjekura,
II S Alb 17:29  miell, gjalpë, dele dhe djathë lope për Davidin dhe për njerëzit që ishin me të, me qëllim që të hanin, sepse thonin: "Këta njerëz kanë vuajtur nga uria, nga lodhja dhe nga etja në shkretëtirë".