Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ACTS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 25
Acts Alb 25:1  Kur Festi arriti në krahinë, mbas tri ditësh u ngjit nga Cezarea në Jeruzalem.
Acts Alb 25:2  Kryeprifti dhe krerët e Judenjve i paraqitën akuzat kundër Palit dhe i luteshin,
Acts Alb 25:3  duke kërkuar t'u bënte favorin që Palin ta binin në Jeruzalem; kështu ata do ta vrisnin në një pritë rrugës.
Acts Alb 25:4  Por Festi u përgjigj që Pali ruhej në Cezare dhe që ai vetë do të shkonte aty shpejt.
Acts Alb 25:5  ''Prandaj njerëzit me influencë midis jush'', tha ai, ''le të zbresin me mua; dhe, në qoftë se ka ndonjë faj te ky njeri, le ta akuzojnë''.
Acts Alb 25:6  Si qëndroi midis tyre jo më shumë se tetë a dhjetë ditë, Festi zbriti në Cezare; të nesërmen zuri vend në gjykatë dhe urdhëroi që të sillnin Palin.
Acts Alb 25:7  Kur erdhi ai, Judenjtë që kishin zbritur nga Jeruzalemi e rrethuan, dhe drejtuan kundër Palit shumë akuza të rënda, të cilat nuk mund t'i vërtetonin.
Acts Alb 25:8  Në mbrojtje të vet Pali thoshte: ''Unë nuk kam mëkatuar as kundër ligjit të Judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit''.
Acts Alb 25:9  Por Festi, duke dashur t'u bëjë qejfin Judenjve, iu përgjigj Palit e tha: ''A dëshiron të ngjitesh në Jeruzalem për t'u gjykuar para meje për këto gjëra?''.
Acts Alb 25:10  Atëherë Pali tha: ''Unë jam para gjykatës së Cezarit, ku duhet të gjykohem; unë nuk u kam bërë asnjë të padrejtë Judenjve, sikurse ti e di fare mirë.
Acts Alb 25:11  Në qoftë se kam vepruar keq ose kam kryer diçka që meriton vdekjen, nuk refuzoj që të vdes; por nëse s'ka asgjë të vërtetë në gjërat për të cilat këta më akuzojnë, askush nuk mund të më dorëzojë në duart e tyre. Unë i apelohem Cezarit''.
Acts Alb 25:12  Atëherë Festi, pasi e bisedoi me këshillin, u përgjigj: ''Ti i je apeluar Cezarit; te Cezari do të shkosh''.
Acts Alb 25:13  Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenike erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin.
Acts Alb 25:14  Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: ''Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu,
Acts Alb 25:15  kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e Judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij.
Acts Alb 25:16  Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t'i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza.
Acts Alb 25:17  Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri.
Acts Alb 25:18  Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja.
Acts Alb 25:19  Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.
Acts Alb 25:20  Dhe duke qenë se unë mbeta ndërdyshas përpara një konflikt i të këtij lloji, e pyeta nëse ai donte të shkonte në Jeruzalem dhe të gjykohej atje lidhur me këto gjëra.
Acts Alb 25:21  Por, mbasi Pali u apelua tek Augusti për të marrë gjykimin e tij, dhashë urdhër që ta ruanin derisa të mundem ta dërgoj te Cezari''.
Acts Alb 25:22  Agripa i tha Festit: ''Do të doja edhe unë ta dëgjoja këtë njeri''. Dhe ai u përgjigj: ''Do ta dëgjosh nesër''.
Acts Alb 25:23  Kështu të nesërmen Agripa dhe Berenike erdhën me shumë madhështi dhe, mbasi hynë në auditor me tribunët dhe me parinë e qytetit, me urdhër të Festit, e sollën Palin aty.
Acts Alb 25:24  Atëherë Festi tha: ''O mbret Agripa, dhe ju të gjithë që jeni të pranishëm këtu me ne, ju po shihni atë kundër të cilit gjithë turma e Judenjve m'u drejtua mua në Jeruzalem dhe këtu, duke thirrur se nuk është më i denjë të jetojë.
Acts Alb 25:25  Por unë, duke parë se s'ka bërë asnjë gjë që të meritojë vdekjen, dhe duke qenë se ai vetë i është apeluar Augustit, vendosa ta dërgoj.
Acts Alb 25:26  Dhe duke qenë se s'kam asgjë konkrete që t'i shkruaj perandorit për të, e solla këtu para jush, dhe kryesisht para teje, o mbret Agripa, që pas kësaj seance të kem diçka për të shkruar.
Acts Alb 25:27  Sepse më duket e paarsyeshme të dërgosh një të burgosur pa treguar akuzat kundër tij''.