Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ACTS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 5
Acts Alb 5:1  Kurse një farë burri, me emër Anania, me gruan e vet Safira, shiti një arë,
Acts Alb 5:2  por mbajti për vete një pjesë të parave, me miratimin e gruas, dhe e çoi mbetjen te këmbët e apostujve.
Acts Alb 5:3  Por Pjetri i tha: ''Anania, pse Satani ta mbushi zemrën që të gënjesh Frymën e Shenjtë dhe të mbash një pjesë të çmimit të arës?
Acts Alb 5:4  Po të mbetej e pashitur, a nuk do të ngelte e jotja? Dhe ato që more nga shitja a nuk ishin vallë në dispozicionin tënd? Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!''.
Acts Alb 5:5  Kur i dëgjoi këto fjalë, Anania ra përtokë dhe dha shpirt. Dhe një frikë e madhe i zuri të gjithë ata që i dëgjuan këto gjëra.
Acts Alb 5:6  Atëherë u ngritën disa të rinj, e mbështollën, e mbartën jashtë dhe e varrosën.
Acts Alb 5:7  Dhe afërsisht tre orë më vonë hyri dhe gruaja e tij, e cila nuk dinte ç'kishte ndodhur.
Acts Alb 5:8  Dhe Pjetri i drejtoi fjalën, duke thënë: ''Më thuaj, a e shitët arën për kaq?''. Dhe ajo u përgjigj: ''Po, për aq''.
Acts Alb 5:9  Atëherë Pjetri i tha: ''Pse u morët vesh që ta tundoni Frymën e Zotit? Ja, këmbët e atyre që e varrosën burrin tënd janë në prag të derës dhe do të të mbartin jashtë edhe ty!''.
Acts Alb 5:10  Në moment ajo ra te këmbët e tij dhe dha shpirt. Dhe të rinjtë, si hynë, e gjetën të vdekur, e mbartën jashtë dhe e varrosën pranë burrit të saj.
Acts Alb 5:11  Kështu një frikë e madhe e zuri gjithë kishën dhe gjithë ata që i dëgjonin këto gjëra.
Acts Alb 5:12  Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.
Acts Alb 5:13  Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.
Acts Alb 5:14  Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,
Acts Alb 5:15  aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.
Acts Alb 5:16  Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.
Acts Alb 5:17  Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,
Acts Alb 5:18  dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.
Acts Alb 5:19  Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:
Acts Alb 5:20  ''Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete''.
Acts Alb 5:21  Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t'i sjellë apostujt.
Acts Alb 5:22  Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,
Acts Alb 5:23  duke thënë: ''Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda''.
Acts Alb 5:24  Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç'donte të thoshte gjithë kjo punë.
Acts Alb 5:25  Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ''Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin''.
Acts Alb 5:26  Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.
Acts Alb 5:27  Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti,
Acts Alb 5:28  duke thënë: ''Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu''.
Acts Alb 5:29  Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: ''Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.
Acts Alb 5:30  Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.
Acts Alb 5:31  Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t'i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.
Acts Alb 5:32  Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij''.
Acts Alb 5:33  Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t'i vrasin.
Acts Alb 5:34  Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.
Acts Alb 5:35  Pastaj u tha atyre të sinedrit: ''Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t'u bëni këtyre njerëzve.
Acts Alb 5:36  Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.
Acts Alb 5:37  Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.
Acts Alb 5:38  Tani unë po ju them t'u rrini larg këtyre njerëzve dhe t'i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,
Acts Alb 5:39  por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!''.
Acts Alb 5:40  Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.
Acts Alb 5:41  Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.
Acts Alb 5:42  Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.