Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
I CHRONICLES
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 22
I Ch Alb 22:1  Pastaj Davidi tha: "Kjo është shtëpia e Zotit Perëndi dhe ky është altari i olokausteve për Izraelin".
I Ch Alb 22:2  Atëherë Davidi dha urdhër të grumbulloheshin të huajt që ishin në vendin e Izraelit dhe i ngarkoi gurgdhendësit të latonin gurë për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë.
I Ch Alb 22:3  Davidi përgatiti gjithashtu hekur me bollëk për gozhdat e kanateve të dyerve dhe për kanxhët, një sasi bronzi me peshë të pallogaritshme,
I Ch Alb 22:4  dhe dru kedri që nuk mund të llogaritej, sepse Sidonët dhe Tirët i kishin sjellë Davidit dru kedri me bollëk.
I Ch Alb 22:5  Davidi thoshte: "Salomoni, biri im, është i ri dhe i mungon përvoja; shtëpia që do t'i ndërtohet Zotit ka për të qenë jashtëzakonisht madhështore dhe do të fitojë famë e lavdi në të gjitha vendet; prandaj kam për të bërë përgatitjet e duhura për të". Kështu Davidi, para se të vdiste, bëri përgatitje të mëdha.
I Ch Alb 22:6  Pastaj thirri birin e tij Salomonin dhe e urdhëroi të ndërtonte një shtëpi për Zotin, Perëndinë e Izraelit.
I Ch Alb 22:7  Davidi i tha Salomonit: "Biri im, unë vetë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë tim;
I Ch Alb 22:8  por fjala e Zotit m'u drejtua, duke më thënë: "Ti ke derdhur shumë gjak dhe ke bërë shumë luftëra; prandaj nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke derdhur shumë gjak mbi tokë para meje.
I Ch Alb 22:9  Por ja, do të të lindë një djalë, që do të jetë paqedashës dhe unë do ta lë të shlodhet nga ana e të gjithë armiqve të tij që ndodhen rreth e qark. Ai do të quhet Salomon dhe gjatë ditëve të tij do t'i siguroj paqe dhe qetësi Izraelit.
I Ch Alb 22:10  Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim; ai do të jetë për mua një djalë dhe unë do të jem për të një baba; dhe do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij mbi Izraelin".
I Ch Alb 22:11  Tani, biri im, Zoti qoftë me ty, në mënyrë që ti të përparosh dhe të ndërtosh shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, ashtu si ka thënë ai për ty.
I Ch Alb 22:12  Vetëm Zoti të dhëntë dituri dhe zgjuarësi, të besoftë përgjegjësinë mbi Izraelin, për të respektuar ligjin, e Zotit, Perëndisë tënd.
I Ch Alb 22:13  Atëherë do të kesh mbarësi, po të jetë se kujdesesh të zbatosh statutet dhe dekretet që Zoti i ka caktuar Moisiut për Izraelin. Ji i fortë dhe trim, mos ki frikë dhe mos u trondit.
I Ch Alb 22:14  Ja, unë jam preokupuar të përgatis për shtëpinë e Zotit njëqind mijë talenta ari, një milion talenta argjendi dhe një sasi të tillë bronzi dhe hekuri sa nuk peshohet dot. Kam përgatitur gjithashtu lëndë druri dhe gurë; dhe ti mund t'i shtosh edhe më.
I Ch Alb 22:15  Përveç kësaj ke me vete shumë punëtorë: gdhëndës, punëtorë të gurit dhe të drurit dhe çdo lloj teknikësh për çfarëdo lloj punimi.
I Ch Alb 22:16  Ka një sasi të pallogaritshme ari, argjendi, bronzi dhe hekuri. Çohu, pra, dhe futju punës, dhe Zoti qoftë me ty!".
I Ch Alb 22:17  Davidi u dha gjithashtu urdhër tërë krerëve të Izraelit të ndihmonin Salomonin, birin e tij, dhe u tha atyre:
I Ch Alb 22:18  "A nuk është vallë Zoti, Perëndia juaj, me ju, dhe a nuk ju ka dhënë paqe rreth e qark? Në fakt ai i ka lënë banorët e vendit në duart e mia, dhe vendi është nënshtruar para Zotit dhe para popullit të tij.
I Ch Alb 22:19  Prandaj tani bëni që zemra dhe shpirti juaj të kërkojnë Zotin, Perëndinë tuaj; pastaj çohuni dhe ndërtoni shenjtëroren e Zotit, Perëndisë tuaj, për të transferuar arkën e besëlidhjes të Zotit dhe sendet që ia keni shenjtëruar Perëndisë në tempullin që do të ndërtohet në emër të Zotit".