Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
I CHRONICLES
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 21
I Ch Alb 21:1  Por Satanai u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit.
I Ch Alb 21:2  Kështu Davidi i tha Joabit dhe krerëve të popullit: "Shkoni dhe bëni regjistrimin e Izraelitëve nga Beer-Sheba deri në Dan; pastaj më paraqitni raportin që unë të dij numrin e tyre".
I Ch Alb 21:3  Joabi u përgjigj: "Zoti e shumëzoftë popullin e tij njëqind herë aq. Por, o mbret, o imzot, a nuk janë vallë të gjithë shërbëtorë të zortërisë sime? Pse zoti im kërkon një gjë të tillë? Pse e bën fajtor Izraelin?".
I Ch Alb 21:4  Por kërkesa e mbretit mbizotëroi mbi atë të Joabit. Prandaj Joabi u nis, e përshkoi tërë Izraelin dhe u kthye pastaj në Jeruzalem.
I Ch Alb 21:5  Joabi i dërgoi Davidit shifrat e regjistrimit të popullsisë; në të gjithë Izraelin kishte një milion e njëqind mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën dhe në Judë katërqind e shtatëdhjetë mijë njerëz të aftë për të përdorur shpatën.
I Ch Alb 21:6  Por në regjistrimin e këtyre Joabi nuk përfshiu Levin dhe Beniaminin, sepse për të kërkesa e mbretit ishte e neveritshme.
I Ch Alb 21:7  Kjo gjë nuk i pëlqeu Perëndisë, prandaj e goditi Izraelin.
I Ch Alb 21:8  Kështu Davidi i tha Perëndisë: "Kam bërë një mëkat shumë të madh duke bërë këtë gjë; por tani, të lutem, hiqja paudhësinë shërbëtorit tënd, sepse unë kam vepruar shumë pa mend".
I Ch Alb 21:9  Atëherë Zoti i foli Gadit, shikuesit të Davidit, duke i thënë:
I Ch Alb 21:10  "Shko e i thuaj Davidit: "Kështu thotë Zoti: Unë të propozoj tri gjëra: zgjidh njerën nga këto dhe unë do ta kryej për ty"".
I Ch Alb 21:11  Gadi shkoi te Davidi dhe i tha: "Kështu thotë Zoti: Zgjidh
I Ch Alb 21:12  ose tre vjet zi buke, ose tre muaj shkatërrimesh përpara kundërshtarëve të tu, gjatë të cilave shpata e armiqve të tu do të të zërë, ose tri ditë shpate të Zotit, me fjalë të tjera murtaja në vend, gjatë të cilave engjëlli i Zotit do të të sjellë shkatërrim në të gjithë territorin e Izraelit. Tani më bëj të ditur përgjigjen që duhet t'i jap atij që më ka dërguar".
I Ch Alb 21:13  Davidi i tha Gadit: "Unë jam në një ankth të madh! Oh, më mirë unë të bija në duart e Zotit sepse është shumë i mëshirshëm, por të mos bija në duart e njerëzve!".
I Ch Alb 21:14  Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael dhe vdiqën shtatëdhjetë mijë Izraelitë.
I Ch Alb 21:15  Perëndia dërgoi gjithashtu një engjëll në Jeruzalem për ta shkatërruar; por kur po përgatitej të fillonte shkatërrimin, Zoti ktheu shikimin, u pendua për fatkeqësinë e caktuar dhe i tha engjëllit që shkatërronte: "Tani mjaft! Mbaje dorën!". Engjëlli i Zotit qëndronte më këmbë pranë lëmit të Ornanit, Jebuseut.
I Ch Alb 21:16  Davidi me sytë e ngritur, pa engjëllin e Zotit që rrinte midis tokës dhe qiellit me në dorë një shpatë të zhveshur dhe të drejtuar mbi Jeruzalem. Atëherë Davidi dhe pleqtë, të veshur me thasë, ranë përmbys me fytyrë për tokë.
I Ch Alb 21:17  Davidi i tha Perëndisë: "A nuk kam qenë unë, vallë, ai që urdhëroi regjistrimin e popullsisë? Kam qenë unë që kam mëkatuar dhe që kam bërë të keqen; por këta, kopeja, çfarë kanë bërë? Të lutem, o Zot, Perëndia im, drejtoje dorën tënde kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim, por mos e godit popullin tënd me këtë fatkeqësi".
I Ch Alb 21:18  Atëherë engjëlli i Zotit urdhëroi Gadin t'i thotë Davidit që ky të dalë dhe t'i ngrejë një altar Zotit në lëmin e Ornanit, Jebuseut.
I Ch Alb 21:19  Kështu Davidi doli sipas fjalës që Gadi kishte shqiptuar në emër të Zotit.
I Ch Alb 21:20  Ornani u kthye dhe pa engjëllin; prandaj të katër bijtë e tij që ishin me të u fshehën, por Ornani vazhdoi të shijë grurin.
I Ch Alb 21:21  Kur Davidi arriti pranë Ornanit, ky e shikoi dhe e njohu Davidin; doli pastaj nga lëmi dhe ra përmbys para Davidit me fytyrë për tokë.
I Ch Alb 21:22  Atëherë Davidi i tha Ornanit: "Më jep sipërfaqen e lëmit; që të ndërtojë një altar për Zotin; ma jep për gjithë vlerën e saj, me qëllim që fatkeqësia të mos godasë më popullin".
I Ch Alb 21:23  Ornani i tha Davidit: "Merre; dhe mbreti, zoti im, të bëjë atë që i duket më e mirë; ja, unë po të jap edhe qetë e olokaustit, veglat e shirjes për dru dhe grurin për blatimin e ushqimit; po t'i jap të gjitha".
I Ch Alb 21:24  Por mbreti David i tha Ornanit: "Jo! Unë dua ta ble për vlerën e saj të plotë, sepse nuk ka për të marrë për Zotin atë që është prona jote dhe nuk kam për të ofruar një olokaust që nuk më kushton asgjë".
I Ch Alb 21:25  Kështu Davidi i dha Ornanit si çmim të tokës peshën e gjashtëqind siklave ari.
I Ch Alb 21:26  Pastaj Davidi ndërtoi aty një altar për Zotin, ofroi olokauste dhe flijime falenderimi dhe kërkoi ndihmën e Zotit, që iu përgjigj me zjarrin që zbriti nga qielli mbi altarin e olokaustit.
I Ch Alb 21:27  Atëherë Zoti urdhëroi engjëllin ta fusë përsëri shpatën e tij në myll.
I Ch Alb 21:28  Në atë kohë Davidi, duke parë që Zoti ia kishte plotësuar dëshirën në lëmin e Ornanit, Jebuseut, ofroi aty flijime.
I Ch Alb 21:29  Në fakt tabernakulli i Zotit që Moisiu kishte ndërtuar në shkretëtirë dhe altari i olokausteve ndodheshin atëherë në vendin e lartë të Gabaonit.
I Ch Alb 21:30  Por Davidi nuk mund të shkonte përpara atij altari për t'u këshilluar me Perëndinë, sepse ishte trembur përpara shpatës së engjëllit të Zotit.