Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ROMANS
1 2 3 4 5 6 7 8 9 10 11 12 13 14 15 16
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 5
Roma Alb 5:1  Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,
Roma Alb 5:2  me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
Roma Alb 5:3  Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,
Roma Alb 5:4  këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.
Roma Alb 5:5  Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
Roma Alb 5:6  Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
Roma Alb 5:7  Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.
Roma Alb 5:8  Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
Roma Alb 5:9  Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
Roma Alb 5:10  Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
Roma Alb 5:11  E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.
Roma Alb 5:12  Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;
Roma Alb 5:13  sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj;
Roma Alb 5:14  por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte.
Roma Alb 5:15  Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë.
Roma Alb 5:16  Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje.
Roma Alb 5:17  Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit.
Roma Alb 5:18  Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.
Roma Alb 5:19  Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.
Roma Alb 5:20  Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt,
Roma Alb 5:21  me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.