Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
EXODUS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 19
Exod Alb 19:1  Ditën e parë të muajit të tretë nga dalja prej vendit të Egjiptit, po atë ditë, bijtë e Izraelit arritën në shkretëtirën e Sinait.
Exod Alb 19:2  Të nisur nga Refidimi, ata arritën në shkretëtirën e Sinait dhe fushuan aty; Izraeli e ngriti kampin e tij përballë malit.
Exod Alb 19:3  Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: "Kështu do t'i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t'u njoftosh bijve të Izraelit:
Exod Alb 19:4  "Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.
Exod Alb 19:5  Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.
Exod Alb 19:6  Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t'u thuash bijve të Izraelit"".
Exod Alb 19:7  Atëherë Moisiu dërgoi e thirri pleqtë e popullit, dhe u tha tërë këto fjalë që Zoti kishte urdhëruar të thoshte.
Exod Alb 19:8  Dhe tërë populli u përgjigj bashkë dhe tha: "Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti". Kështu Moisiu i raportoi Zotit fjalët e popullit.
Exod Alb 19:9  Dhe Zoti i tha Moisiut: "Ja, unë do të vij te ti në një re të dendur, me qëllim që populli të dëgjojë kur unë do të flas me ty, dhe të të besojë për gjithnjë". Pastaj Moisiu i tregoi Zotit fjalët e popullit.
Exod Alb 19:10  Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te populli, shenjtëroje atë sot dhe nesër, dhe bëj që të lajë rrobat.
Exod Alb 19:11  Dhe të jenë gati për ditën e tretë, sepse ditën e tretë Zoti do të zbresë mbi malin e Sinait para syve të tërë popullit.
Exod Alb 19:12  Ti do të përcaktosh rreth e qark kufij për popullin dhe do të thuash: Ruhuni se ngjiteni në mal ose prekni skajet e tij. Kushdo që do të prekë malin do të dënohet me vdekje.
Exod Alb 19:13  Asnjë dorë nuk do ta prekë, por do të vritet me gurë ose do të shpohet me shigjeta, qoftë njeri ose kafshë; nuk do të mbetet gjallë. Kur briri të dëgjohet shtruar, atëherë të ngjiten mbi mal".
Exod Alb 19:14  Kështu Moisiu zbriti nga mali drejt popullit; shenjtëroi popullin dhe ata i lanë rrobat e tyre.
Exod Alb 19:15  Pastaj i tha popullit: "Bëhuni gati brenda tri ditëve; mos iu afroni grave".
Exod Alb 19:16  Ditën e tretë, sa u bë mëngjes, pati bubullima dhe vetëtima; mbi mal doli një re e dendur dhe u dëgjua një zë shumë i fortë borie; dhe tërë populli që ishte në kamp u drodh.
Exod Alb 19:17  Pastaj Moisiu e nxori popullin nga kampi për ta çuar përballë Perëndisë; dhe ata qëndruan në këmbët e malit.
Exod Alb 19:18  Mali i Sinait ishte tërë tym, sepse Zoti kishte zbritur mbi të në zjarr; tymi i tij ngrihej si tymi i një furre, dhe tërë mali dridhej fort.
Exod Alb 19:19  Ndërsa zëri i borisë po bëhej gjithnjë më i fortë, Moisiu fliste, dhe Perëndia i përgjigjej me një zë gjëmues.
Exod Alb 19:20  Zoti zbriti pra mbi malin e Sinait, në majë të tij; pastaj Zoti thirri Moisiun në majë të malit dhe Moisiu u ngjit atje.
Exod Alb 19:21  Dhe Zoti i tha Moisiut: "Zbrit dhe paralajmëro popullin solemnisht, që të mos sulet drejt Zotit për ta parë, dhe kështu shumë prej tyre të gjejnë vdekjen.
Exod Alb 19:22  Edhe priftërinjtë që do t'i afrohen Zotit të shenjtërohen, që Zoti të mos sulet kundër tyre".
Exod Alb 19:23  Moisiu i tha Zotit: "Populli nuk mund të ngjitej mbi malin e Sinait, sepse ti na ke urdhëruar solemnisht, duke thënë: "Vër kufi rreth malit dhe shenjtëroje"".
Exod Alb 19:24  Por Zoti i tha: "Shko, zbrit poshtë; pastaj ngjitu, ti edhe Aaroni bashkë me ty; por priftërinjtë dhe populli të mos sulen për t'u ngjitur te Zoti, që ai të mos u sulet atyre".
Exod Alb 19:25  Kështu Moisiu zbriti te populli dhe i foli atij.