Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
EXODUS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 7
Exod Alb 7:1  Zoti i tha Moisiut: "Shiko, unë po të bëj si perëndi për Faraonin, dhe vëllai yt Aaroni do të jetë profeti yt.
Exod Alb 7:2  Ti do të thuash tërë ato që do të të urdhëroj unë dhe vëllai yt Aaroni do t'i flasë Faraonit, që t'i lërë të shkojnë bijtë e Izraelit nga vendi i tij.
Exod Alb 7:3  Por unë do ta ngurtësoj edhe më tepër zemrën e Faraonit dhe do t'i shumëzoj shenjat dhe mrekullitë e mia në vendin e Egjiptit.
Exod Alb 7:4  Prandaj Faraoni nuk do t'jua vërë veshin, dhe kështu unë do ta zgjas dorën mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga vendi i Egjiptit radhët e mia, popullin tim, bijtë e Izraelit, duke dhënë ndëshkime të mëdha.
Exod Alb 7:5  Egjiptasit do të marrin vesh atëherë që unë jam Zoti, kur do të shtrij dorën time mbi Egjipt dhe do të nxjerr nga mesi i tyre bijtë e Izraelit".
Exod Alb 7:6  Dhe Moisiu dhe Aaroni vepruan kështu; ata bënë pikërisht ashtusiç i kishte urdhëruar Zoti.
Exod Alb 7:7  Kur i folën Faraonit, Moisiu ishte tetëdhjetë vjeç dhe Aaroni tetëdhjetë e tre.
Exod Alb 7:8  Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
Exod Alb 7:9  "Kur Faraoni t'ju flasë dhe t'ju thotë: "Bëni një mrekulli", ti do t'i thuash Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe hidhe para Faraonit, që të bëhet gjarpër"".
Exod Alb 7:10  Moisiu dhe Aaroni vajtën pra te Faraoni dhe vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Aaroni e hodhi bastunin e tij përpara Faraonit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ai u bë gjarpër.
Exod Alb 7:11  Atëherë edhe Faraoni thirri të diturit dhe yshtësit; dhe magjistarët e Egjiptit me artin e tyre të fshehtë bënë edhe ata të njëjtën gjë.
Exod Alb 7:12  Secili prej tyre hodhi bastunin e tij, dhe bastunët u bënë gjarpërinj; por bastuni i Aaronit i përpiu bastunët e tyre.
Exod Alb 7:13  Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.
Exod Alb 7:14  Zoti i tha Moisiut: "Zemra e Faraonit është ngulmuese;
Exod Alb 7:15  ai nuk pranon ta lërë popullin të shkojë. Shko te Faraoni nesër në mëngjes, kur ai ka për të dalë për të vajtur drejt ujit. Ti do të qëndrosh ta presësh në breg të lumit dhe do të marrësh në dorë bastunin që është shndërruar në gjarpër.
Exod Alb 7:16  Dhe do t'i thuash: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve, më ka dërguar te ti që të të them: Lëre popullin tim të shkojë që të më shërbejë në shkretëtirë; por ja, deri tani nuk ke dëgjuar".
Exod Alb 7:17  Kështu thotë Zoti: "Nga kjo do të kuptosh që unë jam Zoti; ja, me bastunin që kam në dorë unë do të rrah ujërat që janë në lumë, dhe ato do të shndërrohen në gjak.
Exod Alb 7:18  Dhe peshqit që janë në lumë do të ngordhin, lumi do të mbajë erë të keqe, dhe Egjiptasve do t'u vijë ndot të pinë ujin e lumit"".
Exod Alb 7:19  Dhe Zoti i tha Moisiut: "Thuaji Aaronit: "Merr bastunin tënd dhe shtrije dorën mbi ujërat e Egjiptit, mbi lumenjtë e tij, mbi kanalet e tij, mbi pellgjet e tij dhe mbi të gjitha depot e ujit; kështu ato do të bëhen gjak. Dhe do të ketë gjak në të gjithë vendin e Egjiptit, si në enët prej druri ashtu dhe në enët prej guri"".
Exod Alb 7:20  Moisiu dhe Aaroni vepruan ashtu, pikërisht siç i kishte urdhëruar Zoti. Kështu ai ngriti bastunin dhe rrahu ujërat që ndodheshin në lumë, para syve të Faraonit dhe para syve të shërbëtorëve të tij; dhe të gjitha ujërat që ishin në lumë u shndërruan në gjak.
Exod Alb 7:21  Dhe peshqit që ishin në lumë ngordhën; dhe lumi u qelb, kështu që Egjiptasit nuk mund të pinin më ujët e lumit. Kështu pati gjak në tërë vendin e Egjiptit.
Exod Alb 7:22  Por magjistarët e Egjiptit bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta; dhe zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi ata, ashtu siç kishte thënë Zoti.
Exod Alb 7:23  Pas kësaj Faraoni ktheu krahët dhe u drejtua nga shtëpia e tij; dhe nuk i dha rëndësi as kësaj gjëje.
Exod Alb 7:24  Dhe tërë Egjiptasit gërmuan në afërsi të lumit për të kërkuar ujë të pijshëm, sepse nuk mund të pinin ujin e lumit.
Exod Alb 7:25  Kaluan kështu shtatë ditë, që kur Zoti kishte rrahur lumin.