Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
GENESIS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 1
Gene Alb 1:1  Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.
Gene Alb 1:2  Toka ishte pa trajtë, e zbrazët dhe errësira mbulonte sipërfaqen e humnerës; dhe Fryma e Perëndisë fluturonte mbi sipërfaqen e ujërave.
Gene Alb 1:3  Pastaj Perëndia tha: "U bëftë drita!". Dhe drita u bë.
Gene Alb 1:4  Dhe Perëndia pa që drita ishte e mirë; dhe Perëndia e ndau dritën nga errësira.
Gene Alb 1:5  Dhe Perëndia e quajti dritën "ditë" dhe errësirën "natë". Kështu erdhi mbrëmja e pastaj erdhi mëngjesi: dita e parë.
Gene Alb 1:6  Pastaj Perëndia tha: "Le të jetë një kupë qiellore mes ujërave, që t'i ndajë ujërat nga ujërat".
Gene Alb 1:7  Dhe Perëndia krijoi kupën qiellore dhe ndau ujërat që ishin poshtë saj nga ujërat që ishin sipër saj. Dhe kështu u bë.
Gene Alb 1:8  Dhe Perëndia e quajti kupën qiellore "qiell". Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi: dita e dytë.
Gene Alb 1:9  Pastaj Perëndia tha: "Ujërat që janë nën qiellin të grumbullohen në një vend të vetëm dhe të shfaqet tera". Dhe kështu u bë.
Gene Alb 1:10  Dhe Perëndia e quajti terën "tokë" dhe grumbullimin e ujërave "detë". Dhe Perëndia pa që kjo ishte mirë.
Gene Alb 1:11  Pastaj Perëndia tha: "Të mbijë toka gjelbërimin, barërat të nxjerrin farë dhe drurët frutore të japin në tokë një frut që të përmbajë farën e tij, secili simbas llojit të tij". Dhe kështu u bë.
Gene Alb 1:12  Dhe toka prodhoi gjelbërim, barëra që e bënin farën simbas llojit të tyre dhe drurë që mbanin fruta me farën e tyre brenda, secili simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
Gene Alb 1:13  Kështu erdhi mbrëmja, pastaj erdhi mëngjesi; dita e tretë.
Gene Alb 1:14  Pastaj Perëndia tha: "Të ketë ndriçues në kupën qiellore për të ndarë ditën nga nata; dhe të shërbejnë si shenja, për të dalluar stinët, ditët dhe vitet;
Gene Alb 1:15  dhe të shërbejnë si ndriçues në kupën qiellore për të ndriçuar tokën". Dhe kështu u bë.
Gene Alb 1:16  Perëndia krijoi pastaj dy ndriçues të mëdhenj: ndriçuesin e madhë për qeverisjen e ditës dhe ndriçuesin e vogël për qeverisjen e natës; ai krijoi gjithashtu yjet.
Gene Alb 1:17  Dhe Perëndia i vendosi në kupën qiellore për të ndriçuar tokën,
Gene Alb 1:18  për të qeverisur ditën dhe natën dhe për ta ndarë dritën nga errësira. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
Gene Alb 1:19  Kështu erdhi mbrëmja dhe erdhi mëngjesi: dita e katërt.
Gene Alb 1:20  Pastaj Perëndia tha: "Të mbushen ujërat nga një numër i madh qeniesh të gjalla dhe të fluturojnë zogjtë lart mbi tokë nëpër hapësirën e madhe të kupës qiellore".
Gene Alb 1:21  Kështu Perëndia krijoi kafshët e mëdha ujore dhe të gjitha gjallesat që lëvizin dhe që mbushin ujërat, secili simbas llojit të vet, e çdo shpend fluturues simbas llojit të vet. Dhe Perëndia e pa se kjo ishte mirë.
Gene Alb 1:22  Dhe Perëndia i bekoi duke thënë: "Të jeni të frytshëm, shumëzoni dhe mbushni ujërat e deteve, e zogjtë të shumëzohen mbi tokë".
Gene Alb 1:23  Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj mëngjesi: dita e pestë.
Gene Alb 1:24  Pastaj Perëndia tha: "Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre". Dhe kështu u bë.
Gene Alb 1:25  Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë.
Gene Alb 1:26  Pastaj Perëndia tha: "Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe".
Gene Alb 1:27  Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.
Gene Alb 1:28  Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: "Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë".
Gene Alb 1:29  Dhe Perëndia tha: "Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t'ju shërbejë si ushqim.
Gene Alb 1:30  Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim". Dhe kështu u bë.
Gene Alb 1:31  Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë.