Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
I SAMUEL
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 23
I Sa Alb 23:1  Pastaj i thanë Davidit: "Ja, Filistejtë janë duke luftuar kundër Kejlahut dhe po plaçkisnin lëmenjtë".
I Sa Alb 23:2  Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "Të shkoj unë t'i mund këta Filistej?". Zoti iu përgjegj me këto fjalë Davidit: "Shko, mundi Filistejtë dhe shpëto Kejlahun".
I Sa Alb 23:3  Por njerëzit e Davidit i thanë: "Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të Filistejve?".
I Sa Alb 23:4  Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjegj dhe i tha: "Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t'i jap Filistejtë në duart e tua".
I Sa Alb 23:5  Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër Filistejve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut.
I Sa Alb 23:6  Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin.
I Sa Alb 23:7  Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: "Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytet që ka porta dhe shule.".
I Sa Alb 23:8  Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij.
I Sa Alb 23:9  Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: "Sille këtu efodin".
I Sa Alb 23:10  Pastaj Davidi tha: "O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim.
I Sa Alb 23:11  Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!". Zoti u përgjegj: "Ka për të zbritur".
I Sa Alb 23:12  Davidi pyeti akoma: "Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?". Zoti u përgjegj: "Do t'ju dorëzojnë".
I Sa Alb 23:13  Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij.
I Sa Alb 23:14  Davidi banoi në fortesa të shkretëtirës dhe qëndroi në krahinën malore të shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Perëndia nuk ia dorëzoi në dorë.
I Sa Alb 23:15  Davidi, duke ditur që Sauli ishte nisur për ta vrarë, mbeti në shkretëtirën e Zifit, në pyll.
I Sa Alb 23:16  Atëherë Jonathani, bir i Saulit, u ngrit dhe shkoi te Davidi në pyll; dhe e ndihmoi të gjejë forcë te Perëndia.
I Sa Alb 23:17  Pastaj i tha: "Mos ki frikë, sepse Sauli, ati im, nuk do të arrijë të të shtjerë në dorë; ti do të mbretërosh mbi Izraelin dhe unë do të jem i dyti pas teje. Vetë Sauli, ati im, e di këtë".
I Sa Alb 23:18  Kështu të dy bënë një besëlidhje para Zotit; pas kësaj Davidi mbeti në pyll, kurse Jonathani shkoi në shtëpinë e tij.
I Sa Alb 23:19  Pastaj Zifejtë shkuan te Sauli në Gibeah dhe i thanë: "A nuk rri Davidi i fshehur në fortesa në pyll, mbi kodrën e Hakilahut që ndodhet në jug të shkretëtirës?
I Sa Alb 23:20  Prandaj, o mbret, zbrit, sepse gjithë dëshira e shpirtit tënd është të zbresësh; do të mendojmë ne ta dorëzojmë në duart e mbretit".
I Sa Alb 23:21  Sauli tha: "Qofshi të bekuar nga Zoti, sepse ju ka ardhur keq për mua!
I Sa Alb 23:22  Shkoni, ju lutem, dhe sigurohuni më mirë për të njohur dhe për të parë vendin ku strehohet, dhe kush e ka parë atje, sepse më thonë që ai është shumë dinak.
I Sa Alb 23:23  Përpiquni të njihni të gjitha vendet e fshehta ku strehohet; pastaj kthehuni tek unë me lajme të sigurta dhe unë do të vij me ju. Kështu, në qoftë se ai është në atë vend, unë do ta kërkoj midis të gjithë mijërave të Judës".
I Sa Alb 23:24  Atëherë ata u ngritën dhe shkuan në Zif, përpara Saulit: por Davidi dhe njerëzit e tij ishin në shkretëtirën e Maonit, në Arabah, në jug të shkretëtirës.
I Sa Alb 23:25  Kur Sauli dhe njerëzit e tij shkuan ta kërkojnë, Davidin e kishin lajmëruar; prandaj ai zbriti te shkëmbi dhe mbeti në shkretëtirën e Maonit. Kur e mori vesh Sauli, e ndoqi Davidin në shkretëtirën e Maonit.
I Sa Alb 23:26  Sauli ecte mbi një anë të malit, ndërsa Davidi me gjithë njerëzit e tij ecnin në anën tjetër. Kur Davidi po shpejtonte marshimin e tij për t'i shpëtuar Saulit, ndërsa Sauli dhe njerëzit e tij ishin duke rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij për t'i kapur,
I Sa Alb 23:27  arriti te Sauli një lajmëtar që tha: "Shpejtohu të vish, sepse Filistejtë kanë pushtuar vendin".
I Sa Alb 23:28  Kështu Sauli nuk e ndoqi më Davidin dhe shkoi të përballojë Filistejtë; prandaj ky vend u quajt "shkëmbi i ndarjes".
I Sa Alb 23:29  Pastaj që andej Davidi shkoi për t'u vendosur në fortesat e En-Gedit.