Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
II KINGS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 17
II K Alb 17:1  Në vitin e dymbëdhjetë të Ashazit, mbretit të Judës, Hosea, bir i Elahut, filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe e mbajti fronin nëntë vjet.
II K Alb 17:2  Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, por jo si mbretërit e Izraelit që qenë para tij.
II K Alb 17:3  Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij; Hosea u bë kështu shërbëtor i tij dhe i paguante një haraç.
II K Alb 17:4  Por mbreti i Asirisë zbuloi një komplot te Hosea, sepse ky kishte dërguar lajmëtarë te So, mbret i Egjiptit dhe nuk i sillte më haraçin mbretit të Asirisë, siç bënte zakonisht çdo vit. Prandaj mbreti i Asirisë e futi në burg dhe e mbante të lidhur.
II K Alb 17:5  Pastaj mbreti i Asirisë pushtoi tërë vendin, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi gjatë tre vjetve.
II K Alb 17:6  Në vitin e nëntë të Hoseas, mbreti i Asirisë pushtoi Samarinë, i shpërnguli Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, si dhe në qytetet e Medit.
II K Alb 17:7  Kjo ndodhi sepse bijtë e Izraelit kishin kryer mëkate kundër Zotit, Perëndisë të tyre, që i kishte nxjerrë nga vendi i Egjiptit duke i çliruar nga pushteti i Faraonit, mbretit të Egjiptit, dhe kishin nderuar perëndi të tjera;
II K Alb 17:8  kështu ata kishin ndjekur zakonet e kombeve që Zoti i kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit dhe ato të futura nga mbretërit e Izraelit.
II K Alb 17:9  Bijtë e Izraelit kishin kryer gjithashtu në mënyrë të fshehtë kundër Zotit, Perëndisë të tyre, gjëra jo të drejta dhe kishin ndërtuar vende të larta në të gjitha qytetet e tyre, nga kullat e rojes deri në qytetet e fortifikuara.
II K Alb 17:10  Kishin ndërtuar për veten e tyre shtylla të shenjta dhe Asherime mbi çdo kodër të lartë dhe poshtë çdo druri gjelbërues;
II K Alb 17:11  dhe aty, në tërë vendet e larta, kishin djegur temjan, ashtu si kishin bërë kombet që Zoti kishte dëbuar përpara tyre, dhe kishin kryer veprime të liga, duke shkaktuar zemrimin e Zotit;
II K Alb 17:12  u kishin shërbyer gjithashtu idhujve, për të cilët Zoti u pat thënë: "Mos bëni një gjë të tillë!".
II K Alb 17:13  Megjithatë Zoti e kishte paralajmëruar Izraelin dhe Judën me anë të të gjithë profetëve dhe të shikuesve, duke thënë: "Kthehuni prapa nga rrugët tuaja të këqija dhe respektoni urdhërimet dhe statutet e mia, sipas tërë ligjit që u caktova etërve tuaj dhe që ju dërgova me anë të shërbëtorëve të mi, profetëve".
II K Alb 17:14  Por ata nuk dëgjuan çfarë thuhej dhe u bënë edhe më kokëfortë, si kishin vepruar etërit e tyre, që nuk patën besim tek Zoti, Perëndia i tyre.
II K Alb 17:15  Dhe hodhën poshtë statutet dhe besëlidhjen që ai kishte lidhur me etërit e tyre dhe paralajmërimet që u kishte dhënë. Prandaj ndoqën gjëra të kota duke u bërë ata vetë mendjelehtë dhe shkuan pas kombeve që i rrethonin, që Zoti i kishte ndaluar t'i imitonin.
II K Alb 17:16  Kështu ata braktisën tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tyre; bënë dy viça prej metali të shkrirë, bënë një Asherah, adhuruan tërë ushtrinë e qiellit dhe u vunë në shërbim të Baalit;
II K Alb 17:17  kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij.
II K Alb 17:18  Prandaj Zoti u zemërua shumë me Izraelin dhe e largoi nga prania e tij; mbeti vetëm fisi i Judës.
II K Alb 17:19  As Juda nuk i respektoi urdhërimet e Zotit, Perëndisë të tij, por ndoqi zakonet e futura nga Izraeli.
II K Alb 17:20  Prandaj Zoti hodhi poshtë tërë fisin e Izraelit, i poshtëroi dhe i braktisi në duart e cubave, deri sa i përzuri nga prania e tij.
II K Alb 17:21  Kur ai e shkëputi Izraelin nga shtëpia e Davidit, ata shpallën mbret Jeroboamin, birin e Nebatit; pastaj Jeroboami e shmangu Izraelin nga rruga e Zotit dhe e bëri të kryente një mëkat të madh.
II K Alb 17:22  Kështu bijtë e Izraelit ndoqën tërë mëkatet e kryera prej Jeroboamit dhe nuk u larguan prej tyre,
II K Alb 17:23  deri sa Zoti e largoi Izraelin nga prania e tij, ashtu si kishte thënë me anë të tërë profetëve të tij, shërbëtorëve të tij; dhe Izraeli u shpërngul kështu me dhunë në vendin e Asirisë, ku ndodhet sot e kësaj dite.
II K Alb 17:24  Pastaj mbreti i Asirisë solli njerëz nga Babilonia, nga Kuthahu, nga Ava, nga Hamathi dhe nga Sefarvaimi dhe i vendosi në qytetet e Samarisë në vend të bijve të Izraelit; kështu ata futën në dorë Samarinë dhe banuan në qytetet e saj.
II K Alb 17:25  Por në fillim të ngulimit të tyre atje, ata nuk kishin frikë nga Zoti; prandaj Zoti dërgoi në mes të tyre, disa luanë, të cilët vranë disa banorë.
II K Alb 17:26  Atëherë i thanë mbretit të Asirisë: "Njerëzit që ti i ke kaluar dhe vendosur në Samari nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit; prandaj ai ka dërguar në mes tyre luanë që i vrasin ata, sepse nuk njohin ligjin e Perëndisë të vendit".
II K Alb 17:27  Atëherë mbreti i Asirisë dha këtë urdhër, duke thënë: "Bëni që të kthehet një nga priftërinjtë që keni internuar që andej; ai të shkojë të vendoset pranë tyre dhe t'u mësoj ligjin e Perëndisë të vendit".
II K Alb 17:28  Kështu një nga priftërinjtë, që ishin internuar nga Samaria, shkoi dhe u vendos në Bethel dhe u mësoi atyre si duhet t'i druheshin Zotit.
II K Alb 17:29  Megjithatë, tërë këto kombe vazhduan të bëjnë perënditë e tyre dhe i vendosën në tempujt e vendeve të larta që kishin ndërtuar Samaritanët, çdo komb në qytetin ku banonte.
II K Alb 17:30  Ata të Babilonisë bënë Sukoth-Benothin, ata të Kuthit Nergalin, ata të Hamathit Ashiman;
II K Alb 17:31  ata të Avas bënë Nibhazin dhe Tartakun; dhe ata të Sefarvaimit i digjnin bijtë e tyre për nder të Adramelekut dhe të Anamelekut, perëndi të Sefarvaimit.
II K Alb 17:32  Ata kishin frikë nga Zoti, por zgjodhën priftërinj të vendeve të larta të ardhur nga çdo klasë dhe që ofronin flijime për ta në tempujt e vendeve të larta.
II K Alb 17:33  Kështu ata kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin perëndive të tyre, sipas zakoneve të kombeve nga të cilat qenë shpërngulur.
II K Alb 17:34  Edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ndjekin zakonet e vjetra; nuk kanë frikë nga Zoti dhe nuk veprojnë sipas statuteve dhe urdhërimeve të tij dhe as sipas ligjeve dhe urdhërimeve që Zoti u kishte dhënë bijve të Jakobit, të quajtur prej tij Izrael.
II K Alb 17:35  Me ta në fakt Zoti kishte vendosur dhe u kishte urdhëruar: "Mos kini frikë nga perëndi të tjera, mos bini përmbys para tyre, mos u shërbeni dhe mos u ofroni flijime,
II K Alb 17:36  por kini frikë nga Zoti, që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me krahun e tij të shtrirë; para tij bini përmbys dhe atij i ofroni flijime.
II K Alb 17:37  Kini kujdes të zbatoni gjithnjë statutet, dekretet, ligjin dhe urdhërimet që ai shkroi për ju; por mos kini frikë nga perënditë e tjera.
II K Alb 17:38  Mos harroni besëlidhjen që kam lidhur me ju dhe mos kini frikë nga perëndi të tjera;
II K Alb 17:39  por kini frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe ai do t'ju çlirojë nga duart e tërë armiqve tuaj".
II K Alb 17:40  Por ata nuk e dëgjuan dhe vazhduan përkundrazi të ndjekin zakonet e tyre të lashta.
II K Alb 17:41  Kështu këto kombe kishin frikë nga Zoti dhe u shërbenin idhujve të tyre. Edhe bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre kanë vazhduar të veprojnë deri më sot siç kanë vepruar etërit e tyre.