Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PSALMS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 40
Psal Alb 40:1  Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.
Psal Alb 40:2  Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.
Psal Alb 40:3  Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t'i besojnë Zotit.
Psal Alb 40:4  Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.
Psal Alb 40:5  O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t'i shpallja dhe t'i tregoja, do të ishin tepër për t'i radhitur.
Psal Alb 40:6  Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.
Psal Alb 40:7  Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.
Psal Alb 40:8  Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".
Psal Alb 40:9  E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.
Psal Alb 40:10  Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.
Psal Alb 40:11  Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.
Psal Alb 40:12  Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.
Psal Alb 40:13  Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
Psal Alb 40:14  U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.
Psal Alb 40:15  U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah...!".
Psal Alb 40:16  U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".
Psal Alb 40:17  Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.