Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PSALMS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 78
Psal Alb 78:1  Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
Psal Alb 78:2  Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
Psal Alb 78:3  Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
Psal Alb 78:4  nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
Psal Alb 78:5  Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
Psal Alb 78:6  me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre,
Psal Alb 78:7  dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
Psal Alb 78:8  dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
Psal Alb 78:9  Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
Psal Alb 78:10  nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
Psal Alb 78:11  harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.
Psal Alb 78:12  Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
Psal Alb 78:13  Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
Psal Alb 78:14  Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
Psal Alb 78:15  I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
Psal Alb 78:16  Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
Psal Alb 78:17  Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
Psal Alb 78:18  dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
Psal Alb 78:19  Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
Psal Alb 78:20  Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij?
Psal Alb 78:21  Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
Psal Alb 78:22  sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
Psal Alb 78:23  Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
Psal Alb 78:24  dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
Psal Alb 78:25  Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
Psal Alb 78:26  Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
Psal Alb 78:27  bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
Psal Alb 78:28  Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
Psal Alb 78:29  Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
Psal Alb 78:30  Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
Psal Alb 78:31  kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
Psal Alb 78:32  Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
Psal Alb 78:33  Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
Psal Alb 78:34  Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
Psal Alb 78:35  Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
Psal Alb 78:36  Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
Psal Alb 78:37  Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
Psal Alb 78:38  Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
Psal Alb 78:39  duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
Psal Alb 78:40  Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
Psal Alb 78:41  Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
Psal Alb 78:42  Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
Psal Alb 78:43  kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
Psal Alb 78:44  i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
Psal Alb 78:45  Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin.
Psal Alb 78:46  Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
Psal Alb 78:47  I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.
Psal Alb 78:48  Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.
Psal Alb 78:49  Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.
Psal Alb 78:50  I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.
Psal Alb 78:51  I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.
Psal Alb 78:52  Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.
Psal Alb 78:53  I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.
Psal Alb 78:54  Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.
Psal Alb 78:55  I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.
Psal Alb 78:56  Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.
Psal Alb 78:57  U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;
Psal Alb 78:58  provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.
Psal Alb 78:59  Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
Psal Alb 78:60  Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;
Psal Alb 78:61  dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.
Psal Alb 78:62  Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.
Psal Alb 78:63  Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.
Psal Alb 78:64  Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.
Psal Alb 78:65  Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.
Psal Alb 78:66  I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.
Psal Alb 78:67  Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,
Psal Alb 78:68  por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.
Psal Alb 78:69  Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.
Psal Alb 78:70  Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,
Psal Alb 78:71  dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
Psal Alb 78:72  Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.