Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PSALMS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 89
Psal Alb 89:1  Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t'u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
Psal Alb 89:2  Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
Psal Alb 89:3  "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
Psal Alb 89:4  "Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
Psal Alb 89:5  Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
Psal Alb 89:6  Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
Psal Alb 89:7  Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
Psal Alb 89:8  O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
Psal Alb 89:9  Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
Psal Alb 89:10  Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
Psal Alb 89:11  Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
Psal Alb 89:12  Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
Psal Alb 89:13  Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
Psal Alb 89:14  Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
Psal Alb 89:15  Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
Psal Alb 89:16  do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
Psal Alb 89:17  Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
Psal Alb 89:18  Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
Psal Alb 89:19  Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
Psal Alb 89:20  Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
Psal Alb 89:21  Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
Psal Alb 89:22  Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
Psal Alb 89:23  Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
Psal Alb 89:24  Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
Psal Alb 89:25  Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
Psal Alb 89:26  Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
Psal Alb 89:27  Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
Psal Alb 89:28  Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
Psal Alb 89:29  Do t'i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
Psal Alb 89:30  Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
Psal Alb 89:31  në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
Psal Alb 89:32  unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
Psal Alb 89:33  por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
Psal Alb 89:34  Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t'i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
Psal Alb 89:35  Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
Psal Alb 89:36  pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
Psal Alb 89:37  do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
Psal Alb 89:38  Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.
Psal Alb 89:39  Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.
Psal Alb 89:40  Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.
Psal Alb 89:41  Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.
Psal Alb 89:42  Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.
Psal Alb 89:43  Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.
Psal Alb 89:44  I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.
Psal Alb 89:45  Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)
Psal Alb 89:46  Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
Psal Alb 89:47  Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
Psal Alb 89:48  Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
Psal Alb 89:49  Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
Psal Alb 89:50  Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
Psal Alb 89:51  me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
Psal Alb 89:52  I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!