Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PSALMS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 35
Psal Alb 35:1  O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.
Psal Alb 35:2  Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.
Psal Alb 35:3  Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".
Psal Alb 35:4  Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.
Psal Alb 35:5  U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.
Psal Alb 35:6  Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.
Psal Alb 35:7  Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.
Psal Alb 35:8  Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.
Psal Alb 35:9  Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
Psal Alb 35:10  Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
Psal Alb 35:11  Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.
Psal Alb 35:12  Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.
Psal Alb 35:13  Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.
Psal Alb 35:14  Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.
Psal Alb 35:15  Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.
Psal Alb 35:16  Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
Psal Alb 35:17  O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.
Psal Alb 35:18  Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.
Psal Alb 35:19  Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,
Psal Alb 35:20  sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.
Psal Alb 35:21  Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".
Psal Alb 35:22  O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.
Psal Alb 35:23  Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.
Psal Alb 35:24  Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,
Psal Alb 35:25  dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".
Psal Alb 35:26  U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.
Psal Alb 35:27  Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".
Psal Alb 35:28  Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.