Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
EXODUS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 8
Exod Alb 8:1  Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe thuaji: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim të shkojë me qëllim që të më shërbejë.
Exod Alb 8:2  Dhe në qoftë se nuk pranon ta lësh të shkojë, ja, unë do ta godas gjithë vendin tënd me kamxhikun e bretkosave.
Exod Alb 8:3  Kështu lumi do të mbushet me bretkosa, dhe ato do të ngjiten dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën ku fle ti, mbi shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe midis popullit, në furrat e tua dhe në magjet e bukës.
Exod Alb 8:4  Dhe bretkosat do të vijnë kundër teje, kundër popullit tënd dhe kundër tërë shërbëtorëve të tu"".
Exod Alb 8:5  Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Shtri dorën tënde me bastunin tënd mbi lumenjtë, mbi kanalet dhe pellgjet dhe bëj që të ngjiten bretkosat mbi vendin e Egjiptit"".
Exod Alb 8:6  Kështu Aaroni shtriu dorën e tij mbi ujërat e Egjiptit, dhe bretkosat u ngjitën dhe mbuluan vendin e Egjiptit.
Exod Alb 8:7  Por magjistarët bënë të njëjtën gjë me artet e tyre të fshehta dhe i bënë bretkosat të ngjiten në vendin e Egjiptit.
Exod Alb 8:8  Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Lutjuni Zotit që t'i largojë bretkosat nga unë, nga populli im, dhe unë do ta lejoj popullin të shkojë, që të bëjë fli për Zotin".
Exod Alb 8:9  Moisiu i tha Faraonit: "Bëmë nderin të më thuash kur të ndërhyj për ty, për shërbëtorët e tu dhe për popullin tënd, pranë Zotit me qëllim që ai të zhdukë bretkosat që ndodhen rreth teje dhe shtëpive të tua, dhe të mbeten vetëm në lumë".
Exod Alb 8:10  Ai u përgjigj: "Nesër". Dhe Moisiu tha: "Do të bëhet siç thua ti, kështu që ti të dish se askush nuk është si Zoti, Perëndia ynë.
Exod Alb 8:11  Dhe bretkosat do të largohen nga ti, nga shtëpitë e tua, nga shërbëtorët e tu dhe nga populli yt; ato do të mbeten vetëm në lumë".
Exod Alb 8:12  Moisiu dhe Aaroni dolën nga Faraoni; dhe Moisiu iu lut Zotit për bretkosat që kishte dërguar kundër Faraonit.
Exod Alb 8:13  Dhe Zoti veproi sipas fjalës së Moisiut, dhe bretkosat ngordhën në shtëpitë, në oborret dhe në arat.
Exod Alb 8:14  I grumbulluan pastaj në togje dhe vendi filloi të mbajë erë të keqe.
Exod Alb 8:15  Po kur Faraoni pa që kishte pak lehtësim, e ngurtësoi zemrën e tij dhe nuk i dëgjoi më, ashtu siç kishte thënë Zoti.
Exod Alb 8:16  Pastaj Zoti i tha Moisiut: "I thuaj Aaronit: "Zgjate bastunin tënd dhe rrih pluhurin e tokës, dhe ai do të bëhet mushkonja për tërë vendin e Egjiptit"".
Exod Alb 8:17  Dhe ata kështu vepruan. Aaroni shtriu dorën me bastunin e tij, rrahu pluhurin e tokës dhe njerëzit e kafshët u mbuluan nga mushkonja; tërë pluhuri i tokës u shndërrua në mushkonja në të gjithë vendin e Egjiptit.
Exod Alb 8:18  Magjistarët u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me anë të arteve të tyre të fshehta për të prodhuar mushkonja, por nuk ia dolën dot. Mushkonjat mbuluan, pra, njerëzit dhe kafshët.
Exod Alb 8:19  Atëherë magjistarët i thanë Faraonit: "Ky është gishti i Perëndisë". Por zemra e Faraonit u ngurtësua dhe ai nuk i dëgjoi më, ashtu si kishte thënë Zoti.
Exod Alb 8:20  Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Çohu herët në mëngjes dhe paraqitu tek Faraoni, kur ai del për të vajtur drejt ujit; dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti: Lëre popullin tim që të mund të më shërbejë.
Exod Alb 8:21  Por në rast se ti nuk e lë popullin tim të shkojë, ja unë do të dërgoj kundër teje, mbi shërbëtorët e tu, mbi popullin tënd e brenda shtëpive të tua mori mizash; shtëpitë e Egjiptasve do të jenë plot me mori mizash, dhe kështu do të jetë toka mbi të cilën ndodhen.
Exod Alb 8:22  Por atë ditë unë do ta veçoj vendin e Goshenit, ku banon populli im; dhe atje nuk do të ketë mori mizash, që ti të dish që unë jam Zoti në mes të vendit.
Exod Alb 8:23  Unë do të bëj një dallim midis popullit tim dhe popullit tënd. Nesër ka për të ndodhur kjo mrekulli"".
Exod Alb 8:24  Dhe Zoti ashtu veproi; erdhën grumbuj të dendur mizash në shtëpinë e Faraonit dhe në shtëpitë e shërbëtorëve të tij, dhe në gjithë vendin e Egjiptit toka u shkretua nga moria e mizave.
Exod Alb 8:25  Atëherë Faraoni thirri Moisiun dhe Aaronin dhe u tha: "Shkoni, bëni fli për Perëndinë tuaj në vend".
Exod Alb 8:26  Por Moisiu u përgjigj: "Kjo s'ka si bëhet, sepse do t'i bënim Zotit, Perëndisë tonë, fli që janë të neveritshme për Egjiptasit. Ja, duke bërë para syve të tyre fli që janë të neveritshme për Egjiptasit, a nuk do të na vrasin me gurë?
Exod Alb 8:27  Do të shkojmë në shkretëtirë duke ecur tri ditë me radhë dhe do të bëjmë fli për Zotin, Perëndinë tonë, ashtu si do të na urdhërojë Ai".
Exod Alb 8:28  Faraoni tha: "Unë do t'ju lë të shkoni, që të bëni fli për Zotin, Perëndinë tuaj, në shkretëtirë; vetëm, mos shkoni shumë larg. lutuni për mua".
Exod Alb 8:29  Moisiu tha: "Ja, unë po dal nga ti dhe do t'i lutem Zotit dhe nesër moria e mizave do të largohet nga Faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; mjafton që Faraoni të mos tallet me ne, duke e penguar popullin të shkojë e të bëjë fli për Zotin".
Exod Alb 8:30  Moisiu u largua pastaj nga prania e Faraonit dhe iu lut Zotit.
Exod Alb 8:31  Dhe Zoti veproi simbas fjalës së Moisiut dhe largoi morinë e mizave nga Faraoni, nga shërbëtorët e tij dhe nga populli i tij; nuk mbeti as edhe një mizë.
Exod Alb 8:32  Por edhe këtë herë Faraoni e fortësoi zemrën e tij dhe nuk e la popullin të shkojë.