Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
ISAIAH
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 1
Isai Alb 1:1  Vegimi i Isaias, birit të Amotsit, që ai pa për Judën dhe Jeruzalemin në ditët e Uziahut, të Jothamit, të Ashazit dhe të Ezekias; mbretër të Judës;
Isai Alb 1:2  Dëgjoni; o qiej; dhe dëgjo, o tokë, sepse Zoti ka folur: "Kam edukuar fëmijë dhe i rrita, ata u rebeluan kundër meje.
Isai Alb 1:3  Kau e njeh të zotin e tij dhe gomari grazhdin e zotërisë së tij, por Izraeli nuk ka dije dhe populli im nuk ka mend".
Isai Alb 1:4  Mjerë, komb mëkatar, popull i ngarkuar me paudhësi, racë keqbërësish, bij që veprojnë në mënyrë të çoroditur! Kanë braktisur Zotin, kanë përçmuar të Shenjtin e Izraelit, kanë devijuar dhe janë kthyer prapa.
Isai Alb 1:5  Pse doni që të goditeni edhe më? Do të ngrinit krye edhe më tepër. Gjithë koka është e sëmurë, gjithë zemra lëngon.
Isai Alb 1:6  Nga tabani i këmbës deri te koka nuk ka asgjë të shëndoshë; vetëm plagë, vurrata dhe plagë të hapura, që nuk janë as pastruar, as lidhur as qetësuar me vaj.
Isai Alb 1:7  Vendi juaj është shkretuar, qytetet tuaja janë djegur nga zjarri, tokën tuaj e përpijnë të huajtë para syve tuaj; është si një shkretim sikur ta kishin shkatërruar të huajtë.
Isai Alb 1:8  Kështu bija e Sionit ka mbetur si një karakollë në një vresht, si një kasolle në një arë me shalqi, si një qytet i ngujuar.
Isai Alb 1:9  Në qoftë se Zoti i ushtrive nuk do të na kishte lënë një mbetje të vogël, do të ishim si Sodoma, do t'i ngjisnim Gomorrës.
Isai Alb 1:10  Dëgjoni fjalën e Zotit, o krerë të Sodomës, verini veshin ligjit të Perëndisë tonë, o popull i Gomorrës!
Isai Alb 1:11  "Ç'më duhet shumica e flijimeve tuaja, thotë Zoti. Jam ngopur nga olokaustet e deshve dhe nga dhjami i kafshëve të majme; gjakun e demave, të qengjave dhe të cjepve nuk e pëlqej.
Isai Alb 1:12  Kur vini të paraqiteni përpara meje, kush ua ka kërkuar këtë, që të shkelni oborret e mia?
Isai Alb 1:13  Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t'i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta.
Isai Alb 1:14  Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar.
Isai Alb 1:15  Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak.
Isai Alb 1:16  Lahuni, pastrohuni, largoni nga prania ime ligësinë e veprimeve tuaja, mos bëni më keq.
Isai Alb 1:17  Mësoni të bëni të mirën, kërkoni drejtësinë, ndihmoni të shtypurin, sigurojini drejtësi jetimit, mbroni çështjen e gruas së ve.
Isai Alb 1:18  Ejani, pra, dhe të diskutojmë bashkë, thotë Zoti, edhe sikur mëkatet tuaja të ishin të kuqe flakë, do të bëhen të bardha si bora, edhe sikur të ishin të kuqe të purpur, do të bëhen si leshi.
Isai Alb 1:19  Në rast se jeni të gatshëm të bindeni, do të hani gjërat më të mira të vendit;
Isai Alb 1:20  por në rast se refuzoni dhe rebeloheni, do t'ju përpijë shpata", sepse goja e Zotit ka folur.
Isai Alb 1:21  Si bëhet që qyteti besnik është shndërruar në një prostitutë? Ishte plot ndershmëri, drejtësia qëndronte në të, por tani aty banojnë vrasësit.
Isai Alb 1:22  Argjendi yt është bërë zgjyrë, vera jote është holluar me ujë.
Isai Alb 1:23  Princat e tu janë rebelë dhe shokë me hajdutët; të gjithëve u pëlqejnë dhuratat dhe turren pas shpërblimeve. Nuk i sigurojnë drejtësi jetimit dhe çështja e gruas së ve nuk arrin para tyre.
Isai Alb 1:24  Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, i Fuqishmi i Izraelit thotë: "Po, do të hakmerrem me kundërshtarët e mi, do të marr hak me armiqtë e mi.
Isai Alb 1:25  Do ta vë përsëri dorën time mbi ty, do të të pastroj nga zgjyrat e tua si me sodën dhe do të heq tërë plumbin tënd.
Isai Alb 1:26  Do të rivendos gjyqtarët e tu siç ishin në krye dhe këshilltarët e tu siç ishin në fillim. Mbas kësaj do të quhesh "qyteti i drejtësisë", "qyteti besnik".
Isai Alb 1:27  Sioni do të çlirohet me anë të drejtës dhe ata që do të pendohen me anë të drejtësisë.
Isai Alb 1:28  Por rebelët dhe mëkatarët do të shkatërrohen së bashku, dhe ata që braktisin Zotin do të shfarosen.
Isai Alb 1:29  Atëherë do t'ju vijë turp për lisat që keni dashur dhe do të skuqeni për kopshtet që keni zgjedhur.
Isai Alb 1:30  Sepse do të jeni si një lis me gjethe të fishkura dhe si një kopësht pa ujë.
Isai Alb 1:31  Njeriu i fortë do të jetë si kallamishtet dhe vepra e tij si një shkëndijë; do të digjen të dy bashkë dhe askush nuk do t'i shuajë".