Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PROVERBS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 4
Prov Alb 4:1  Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,
Prov Alb 4:2  sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
Prov Alb 4:3  Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,
Prov Alb 4:4  ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
Prov Alb 4:5  Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;
Prov Alb 4:6  mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.
Prov Alb 4:7  Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.
Prov Alb 4:8  Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.
Prov Alb 4:9  Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".
Prov Alb 4:10  Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.
Prov Alb 4:11  Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.
Prov Alb 4:12  Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.
Prov Alb 4:13  Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.
Prov Alb 4:14  Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;
Prov Alb 4:15  evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.
Prov Alb 4:16  Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;
Prov Alb 4:17  ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
Prov Alb 4:18  Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.
Prov Alb 4:19  Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.
Prov Alb 4:20  Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;
Prov Alb 4:21  mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;
Prov Alb 4:22  sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.
Prov Alb 4:23  Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.
Prov Alb 4:24  Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.
Prov Alb 4:25  Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.
Prov Alb 4:26  Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.
Prov Alb 4:27  Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.