Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PROVERBS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 24
Prov Alb 24:1  Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
Prov Alb 24:2  sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
Prov Alb 24:3  Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
Prov Alb 24:4  Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.
Prov Alb 24:5  Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.
Prov Alb 24:6  Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
Prov Alb 24:7  Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.
Prov Alb 24:8  Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.
Prov Alb 24:9  Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
Prov Alb 24:10  Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
Prov Alb 24:11  Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.
Prov Alb 24:12  Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.
Prov Alb 24:13  Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.
Prov Alb 24:14  Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
Prov Alb 24:15  O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,
Prov Alb 24:16  sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
Prov Alb 24:17  Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
Prov Alb 24:18  me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
Prov Alb 24:19  Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
Prov Alb 24:20  sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
Prov Alb 24:21  Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;
Prov Alb 24:22  mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
Prov Alb 24:23  Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.
Prov Alb 24:24  Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.
Prov Alb 24:25  Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.
Prov Alb 24:26  Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
Prov Alb 24:27  Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
Prov Alb 24:28  Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.
Prov Alb 24:29  Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".
Prov Alb 24:30  Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;
Prov Alb 24:31  dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.
Prov Alb 24:32  Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:
Prov Alb 24:33  të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;
Prov Alb 24:34  kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.