Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PROVERBS
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 8
Prov Alb 8:1  A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?
Prov Alb 8:2  Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;
Prov Alb 8:3  bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;
Prov Alb 8:4  "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
Prov Alb 8:5  Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.
Prov Alb 8:6  Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.
Prov Alb 8:7  Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.
Prov Alb 8:8  Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.
Prov Alb 8:9  Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.
Prov Alb 8:10  Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,
Prov Alb 8:11  sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.
Prov Alb 8:12  Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.
Prov Alb 8:13  Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
Prov Alb 8:14  Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.
Prov Alb 8:15  Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.
Prov Alb 8:16  Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
Prov Alb 8:17  Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
Prov Alb 8:18  Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
Prov Alb 8:19  Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
Prov Alb 8:20  Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,
Prov Alb 8:21  për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
Prov Alb 8:22  Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.
Prov Alb 8:23  U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.
Prov Alb 8:24  Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.
Prov Alb 8:25  Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,
Prov Alb 8:26  kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.
Prov Alb 8:27  Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,
Prov Alb 8:28  kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,
Prov Alb 8:29  kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,
Prov Alb 8:30  unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;
Prov Alb 8:31  kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.
Prov Alb 8:32  Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!
Prov Alb 8:33  Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!
Prov Alb 8:34  Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
Prov Alb 8:35  Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.
Prov Alb 8:36  Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".