Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
JOB
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 10
Job Alb 10:1  "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!
Job Alb 10:2  Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.
Job Alb 10:3  A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?
Job Alb 10:4  A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?
Job Alb 10:5  A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,
Job Alb 10:6  sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,
Job Alb 10:7  megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?
Job Alb 10:8  Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.
Job Alb 10:9  Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!
Job Alb 10:10  A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?
Job Alb 10:11  Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.
Job Alb 10:12  Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time,
Job Alb 10:13  por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.
Job Alb 10:14  Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.
Job Alb 10:15  Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim.
Job Alb 10:16  Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.
Job Alb 10:17  Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.
Job Alb 10:18  Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!
Job Alb 10:19  Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.
Job Alb 10:20  A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;
Job Alb 10:21  para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,
Job Alb 10:22  të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira".