Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
JOB
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 3
Job Alb 3:1  Atëherë Jobi hapi gojën dhe mallkoi ditën e lindjes së tij.
Job Alb 3:3  "Humbtë dita në të cilën linda dhe nata që tha: "U ngjiz një mashkull!".
Job Alb 3:4  Ajo ditë u bëftë terr, mos u kujdesoftë për të Perëndia nga lart, dhe mos shkëlqeftë mbi të drita!
Job Alb 3:5  E marrshin përsëri terri dhe hija e vdekjes, qëndroftë mbi të një re, furtuna e ditës e tmerroftë!
Job Alb 3:6  Atë natë e marrtë terri, mos hyftë në ditët e vitit, mos hyftë në llogaritjen e muajve!
Job Alb 3:7  Po, ajo natë qoftë natë shterpe, mos depërtoftë në të asnjë britmë gëzimi.
Job Alb 3:8  E mallkofshin ata që mallkojnë ditën, ata që janë gati të zgjojnë Leviathanin.
Job Alb 3:9  U errësofshin yjet e muzgut të tij, le të presë dritën; por mos e pastë fare dhe mos paftë ditën që agon,
Job Alb 3:10  sepse nuk e mbylli portën e barkut të nënës sime dhe nuk ua fshehu dhembjen syve të mi.
Job Alb 3:11  Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?
Job Alb 3:12  Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe sisët për të pirë?
Job Alb 3:13  Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,
Job Alb 3:14  bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,
Job Alb 3:15  ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.
Job Alb 3:16  Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?
Job Alb 3:17  Atje poshtë të këqinjtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.
Job Alb 3:18  Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.
Job Alb 3:19  Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.
Job Alb 3:20  Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,
Job Alb 3:21  të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;
Job Alb 3:22  gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?
Job Alb 3:23  Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?
Job Alb 3:24  Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.
Job Alb 3:25  Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.
Job Alb 3:26  Nuk kam qetësi, nuk kam prehje, por më pushton shqetësimi".