Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
JOB
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 37
Job Alb 37:1  Prandaj zemra ime dridhet dhe brof jashtë vendit të saj.
Job Alb 37:2  Dëgjoni me vëmendje shungullimën e zërit të saj, gjëmimin që del nga goja e saj!
Job Alb 37:3  Ai lëshon vetëtimën e tij nën gjithë qiellin dhe deri në skajet e tokës.
Job Alb 37:4  Prapa tij një zë vrumbullon; ai gjëmon me zërin e tij madhështor; ai nuk i përmban kur dëgjohet zëri i tij.
Job Alb 37:5  Perëndia gjëmon në mënyrë të mrekullueshme me zërin e tij dhe bën gjëra të mëdha që nuk mund t'i kuptojmë.
Job Alb 37:6  I thotë në fakt borës: "Bjerë mbi tokë", ia thotë si shirave të lehta ashtu dhe shirave të rrebeshta.
Job Alb 37:7  Ai ndal dorën e çdo njeriu, me qëllim që të gjithë vdekatarët të mund të njohin veprat e tij.
Job Alb 37:8  Bishat hyjnë në strukat e tyre dhe rrinë në strofkat e tyre.
Job Alb 37:9  Nga vendet më të largëta të jugut vjen stuhia dhe të ftohtit nga erërat e acarta të veriut.
Job Alb 37:10  Me frymën e Perëndisë formohet akulli dhe shtrirja e ujërave tërhiqet.
Job Alb 37:11  I ngarkon retë e dendura me lagështirë dhe i shpërndan larg retë e tij dritëplota.
Job Alb 37:12  Ato enden në qiell kudo, duke ndryshuar drejtimin në bazë të drejtimit të tij, për të kryer çfarëdo gjë që ai urdhëron mbi faqen e tokës së banuar.
Job Alb 37:13  I dërgon o për dënim, o për tokën e tij o për mirësi.
Job Alb 37:14  Dëgjo këtë, o Job, ndalu dhe merr parasysh mrekullitë e Perëndisë!
Job Alb 37:15  A e di ti si i drejton Perëndia dhe si bën të shkëlqejë shkrepëtima e reve të tij?
Job Alb 37:16  A e di ti si rrinë pezull retë në ajër, mrekullitë e atij që i di të gjitha?
Job Alb 37:17  A e di ti përse rrobat e tua janë të ngrohta, kur toka pushon për shkak të erës së jugut?
Job Alb 37:18  Vallë a e ke shtrirë ti bashkë me të kupën qiellore, duke e bërë të fortë si një pasqyrë prej metali të shkrirë?
Job Alb 37:19  Na mëso se çfarë duhet t'i themi, sepse ne nuk mund të përgatisim shkakun tonë për errësirën.
Job Alb 37:20  A mund t'i thuhet vallë se unë dua të flas? Në rast se një njeri duhet të fliste, do të shkatërrohej me siguri.
Job Alb 37:21  Edhe tani askush nuk mund ta shikojë diellin me ngulm kur shkëlqen në qiell, mbas kalimit të erës që e ka bërë pa re.
Job Alb 37:22  Koha e bukur vjen nga veriu, por rreth Perëndisë kemi një madhështi të hatashme.
Job Alb 37:23  Të Plotfuqishmin ne nuk mund ta arrijmë. Ai është i madhërishëm për nga fuqia, nga ndershmëria dhe nga drejtësia; ai nuk shtyp asnjeri.
Job Alb 37:24  Prandaj njerëzit e kanë frikë; por ai nuk e përfill atë që e quan veten të ditur".