Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
JOB
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 31
Job Alb 31:1  "Unë kisha bërë një besëlidhje me sytë e mi; si mund ta fiksoja, pra, shikimin mbi një virgjëreshë?
Job Alb 31:2  Cili është fati që më ka caktuar Perëndia nga atje lart dhe trashëgimia e të Plotfuqishmit nga vendet e larta?
Job Alb 31:3  A nuk është vallë fatkeqësia për njeriun e çoroditur dhe mjerimi për atë që kryen të keqen?
Job Alb 31:4  Nuk i shikon ai tërë rrugët e mia dhe nuk i numëron të gjitha hapat që bëj?
Job Alb 31:5  Në rast se kam vepruar me falsitet, ose në rast se këmba ime është shpejtuar të ndjekë mashtrimin,
Job Alb 31:6  le të më peshojë me një peshore të saktë, dhe Perëndia do ta njohë ndershmërinë time.
Job Alb 31:7  Në qoftë se hapat e mia kanë dalë nga rruga e drejtë, dhe në qoftë se zemra ime ka ndjekur sytë e mi, apo në se ndonjë njollë u është ngjitur duarve të mia,
Job Alb 31:8  le të mbjell unë dhe një tjetër të hajë, dhe pasardhësit e mi u çrrënjofshin.
Job Alb 31:9  Në rast se zemra ime është mashtruar nga një grua dhe kam përgjuar në portën e të afërmit tim,
Job Alb 31:10  gruaja ime le të bluajë për një tjetër dhe të tjerë u përkulshin mbi të.
Job Alb 31:11  Sepse kjo do të ishte një mbrapshti, një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët,
Job Alb 31:12  një zjarr që konsumon deri në Abadon, dhe do të kishte shkatërruar deri në rrënjë gjithë të korrat e mia.
Job Alb 31:13  Në rast se kam hedhur poshtë të drejtën e shërbëtorit tim dhe të shërbëtores sime, kur po grindeshin me mua,
Job Alb 31:14  çfarë do të bëja kur Perëndia të ngrihej kundër meje, dhe si do t'i përgjigjesha kur të më kërkonte llogari?
Job Alb 31:15  Ai që më ka bërë mua në barkun e nënës, a nuk e ka bërë edhe atë? A nuk ka qenë po ai Perëndi që na ka krijuar në bark?
Job Alb 31:16  Në rast se u kam refuzuar të varfërve atë që dëshironin dhe bëra të veniten sytë e gruas së ve,
Job Alb 31:17  në rast se e hëngra vetëm copën e bukës pa i dhënë një pjesë jetimit,
Job Alb 31:18  (por që në rininë time unë e rrita si një baba, dhe që në bark të nënës sime e kam ndihmuar gruan e ve)
Job Alb 31:19  në rast se kam parë dikë të vdesë për mungesë rrobash ose një të varfër që nuk kishte me se të mbulohej,
Job Alb 31:20  në rast se ijet e tij nuk më kanë bekuar, dhe nuk është ngrohur me leshin e qengjave të mi,
Job Alb 31:21  në qoftë se kam ngritur dorën kundër jetimit, sepse e dija që do të ndihmohesha tek porta,
Job Alb 31:22  supi im u ndaftë nga shpatulla, krahu im u theftë në bërryl!
Job Alb 31:23  Sepse fatkeqësia që vjen nga Perëndia më kall drithma, dhe për shkak të madhështisë së tij nuk mund të bëj asgjë.
Job Alb 31:24  Në qoftë se kam pasur besim tek ari, dhe arit të kulluar i kam thënë: "Ti je shpresa ime",
Job Alb 31:25  në rast se jam gëzuar sepse pasuritë e mia ishin të mëdha, dhe sepse dora ime ka grumbulluar shumë pasuri,
Job Alb 31:26  në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time;
Job Alb 31:27  edhe ky do të ishte një faj që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lart.
Job Alb 31:28  Në rast se jam gëzuar për fatkeqësinë e armikut tim dhe u ngrita, sepse e kishte goditur fakeqësia
Job Alb 31:29  (por unë nuk e lejova gojën time të mëkatonte, duke i uruar të vdesë me një mallkim);
Job Alb 31:30  në qoftë se njerëzit e çadrës sime nuk kanë thënë: "Kush mund të gjejë një që nuk është ngopur me mishin e tij?".
Job Alb 31:31  (përveç kësaj asnjë i huaj nuk e kalonte natën jashtë, sepse i hapja portat e mia udhëtarit);
Job Alb 31:32  në rast se i kam mbuluar mëkatet e mia si Adami, duke e fshehur fajin tim në gji,
Job Alb 31:33  sepse kisha frikë nga turma e madhe dhe përbuzja e familjeve më tmerronte, kështu që rrija i heshtur pa dalë nga shtëpia.
Job Alb 31:34  Ah, sikur të kisha një që të më dëgjonte! Ja firma ime! I Plotfuqishmi të më përgjigjet! Kundërshtari im të shkruajë një dokument,
Job Alb 31:35  dhe unë do ta mbaja me siguri mbi shpatullat e mia, dhe do ta mbaja si një diademë
Job Alb 31:36  do t'i jepja llogari për të gjitha hapat e mia, duke iu paraqitur si një princ.
Job Alb 31:37  Në qoftë se toka ime bërtet kundër meje dhe brazdat e saj qajnë bashkë me të,
Job Alb 31:38  në rast se kam ngrënë frytin e saj pa paguar, në rast se u kam nxjerrë frymën e fundit zotërve të saj,
Job Alb 31:39  në vend të grurit u rritshin ferra dhe barëra të këqija në vend të elbit".