Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
MATTHEW
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 26
Matt Alb 26:1  Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:
Matt Alb 26:2  ''Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar''.
Matt Alb 26:3  Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.
Matt Alb 26:4  Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;
Matt Alb 26:5  por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull''.
Matt Alb 26:6  Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,
Matt Alb 26:7  iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
Matt Alb 26:8  Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: ''Përse gjithë ky shpenzim i kotë?
Matt Alb 26:9  Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve''.
Matt Alb 26:10  Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: ''Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.
Matt Alb 26:11  Sepse të varfërit do t'i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.
Matt Alb 26:12  Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.
Matt Alb 26:13  Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj''.
Matt Alb 26:14  Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,
Matt Alb 26:15  dhe u tha atyre: ''Sa do të më jepni që unë t'jua dorëzoj?''. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.
Matt Alb 26:16  Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
Matt Alb 26:17  Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: ''Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?''.
Matt Alb 26:18  Dhe ai u përgjigj: ''Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi"''.
Matt Alb 26:19  Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.
Matt Alb 26:20  Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;
Matt Alb 26:21  dhe, ndërsa po hanin, tha: ''Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''.
Matt Alb 26:22  Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: ''Mos jam unë; Zot?''.
Matt Alb 26:23  Dhe ai duke u përgjigjur, tha: ''Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.
Matt Alb 26:24  Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë''.
Matt Alb 26:25  Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: ''Rabbi, mos jam unë ai?''. Ai i tha: ''Ti po thua!''.
Matt Alb 26:26  Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im''.
Matt Alb 26:27  Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ''Pini prej tij të gjithë,
Matt Alb 26:28  sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.
Matt Alb 26:29  Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim''.
Matt Alb 26:30  Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.
Matt Alb 26:31  Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".
Matt Alb 26:32  Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''.
Matt Alb 26:33  Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''.
Matt Alb 26:34  Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''.
Matt Alb 26:35  Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.
Matt Alb 26:36  Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''.
Matt Alb 26:37  Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.
Matt Alb 26:38  Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''.
Matt Alb 26:39  Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''.
Matt Alb 26:40  Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?
Matt Alb 26:41  Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''.
Matt Alb 26:42  U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''.
Matt Alb 26:43  Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.
Matt Alb 26:44  Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.
Matt Alb 26:45  Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.
Matt Alb 26:46  Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër''.
Matt Alb 26:47  Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.
Matt Alb 26:48  Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''.
Matt Alb 26:49  Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht.
Matt Alb 26:50  Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.
Matt Alb 26:51  Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
Matt Alb 26:52  Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.
Matt Alb 26:53  A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
Matt Alb 26:54  Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''.
Matt Alb 26:55  Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.
Matt Alb 26:56  Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
Matt Alb 26:57  Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.
Matt Alb 26:58  Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.
Matt Alb 26:59  Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,
Matt Alb 26:60  por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,
Matt Alb 26:61  të cilët thanë: ''Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"''.
Matt Alb 26:62  Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: ''Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?''.
Matt Alb 26:63  Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: ''Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë''.
Matt Alb 26:64  Jezusi i tha: ''Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit''.
Matt Alb 26:65  Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: ''Ai blasfemoi; ç'na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.
Matt Alb 26:66  Si ju duket juve?''. Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: ''Ai është fajtor për vdekje!''.
Matt Alb 26:67  Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,
Matt Alb 26:68  duke thënë: ''O Krisht, profetizo! Kush të ra?''.
Matt Alb 26:69  Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: ''Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin''.
Matt Alb 26:70  Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: ''Nuk di ç'po thua!''.
Matt Alb 26:71  Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: ''Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!''.
Matt Alb 26:72  Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''.
Matt Alb 26:73  Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: ''Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!''.
Matt Alb 26:74  Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. Dhe në atë çast këndoi gjeli.
Matt Alb 26:75  Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: ''Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë''. Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.