Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
LUKE
Prev Up Next Toggle notes
Chapter 22
Luke Alb 22:1  Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.
Luke Alb 22:2  Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.
Luke Alb 22:3  Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.
Luke Alb 22:4  Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.
Luke Alb 22:6  Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t'ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.
Luke Alb 22:7  Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.
Luke Alb 22:8  Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: ''Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë''.
Luke Alb 22:9  Dhe ata e thanë: ''Ku dëshiron ta përgatisim?''.
Luke Alb 22:10  Atëherë ai tha atyre: ''Ja, kur të hyni në qytet, do t'ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.
Luke Alb 22:11  I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".
Luke Alb 22:12  Atëherë ai do t'ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet''.
Luke Alb 22:13  Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.
Luke Alb 22:14  Dhe, kur erdhi ora, ai u ul në tryezë dhe bashkëmetë dymbëdhjetë apostujt.
Luke Alb 22:15  Atëherë ai u tha atyre: ''Kam pasur dëshirë të madhe ta ha këtë Pashkë bashkë me ju, para se të vuaj,
Luke Alb 22:16  sepse po ju them se nuk do të ha më të tillë derisa ajo të plotësohet në mbretërinë e Perëndisë''.
Luke Alb 22:17  Pastaj mori kupën, falenderoi, dhe tha: ''Merrnie këtë dhe ndanie midis jush,
Luke Alb 22:18  sepse unë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë derisa të vijë mbretëria e Perëndisë''.
Luke Alb 22:19  Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ''Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim''.
Luke Alb 22:20  Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ''Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
Luke Alb 22:21  Por ja, dora e atij që më tradhton është me mua mbi tryezë.
Luke Alb 22:22  Sigurisht Biri i njeriut shkon, siç është caktuar, por mjerë ai njeri me anë të cilit është tradhëtuar!''.
Luke Alb 22:23  Atëherë ata filluan ta pyesin njëri-tjetrin se kush nga ata do ta bënte këtë gjë.
Luke Alb 22:24  Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.
Luke Alb 22:25  Por Jezusi u tha atyre: ''Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.
Luke Alb 22:26  Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.
Luke Alb 22:27  Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s'është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
Luke Alb 22:28  Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.
Luke Alb 22:29  Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,
Luke Alb 22:30  që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Luke Alb 22:31  Edhe Zoti tha: ''Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t'ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.
Luke Alb 22:32  Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu''.
Luke Alb 22:33  Por ai tha: ''Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje''.
Luke Alb 22:34  Por Jezusi tha: ''Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh''.
Luke Alb 22:35  Pastaj u tha atyre: ''Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?''. Dhe ata thanë: ''Asgjë''.
Luke Alb 22:36  U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.
Luke Alb 22:37  Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre''.
Luke Alb 22:38  Atëherë ata thanë: ''Zot, ja këtu dy shpata''. Por ai u tha atyre ''Mjaft!''.
Luke Alb 22:39  Pastaj Jezusi doli dhe shkoi si zakonisht në malin e Ullinjve, dhe edhe dishepujt e tij e ndiqnin.
Luke Alb 22:40  Kur arriti në vend, u tha atyre: ''Lutuni që të mos hyni në tundim''.
Luke Alb 22:41  Dhe u largua prej tyre, aq sa mund të hidhet një gur, dhe ra në gjunj dhe lutej,
Luke Alb 22:42  duke thënë: ''O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti''.
Luke Alb 22:43  Atëherë iu shfaq një engjëll nga qie-lli për t'i dhënë forcë.
Luke Alb 22:44  Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.
Luke Alb 22:45  Si u çua pastaj nga lutja, erdhi te dishepujt e vet dhe i gjeti që flinin nga trishtimi,
Luke Alb 22:46  dhe u tha atyre: ''Pse po flini? Çohuni dhe lutuni që të mos hyni në tundim''.
Luke Alb 22:47  Ndërsa ai ende po fliste, ja një turmë; dhe ai që quhej Judë, një nga të dymbëdhjetët, i printe dhe iu afrua Jezusit për ta puthur.
Luke Alb 22:48  Dhe Jezusi i tha: ''Judë, ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?''.
Luke Alb 22:49  Atëherë ata që ishin përreth tij, duke parë çfarë do të ndodhte, i thanë: ''Zot, a t'u biem me shpatë?''.
Luke Alb 22:50  Dhe një nga ata i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë.
Luke Alb 22:51  Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: ''Lëreni, mjaft kështu''. Dhe si e preku veshin e atij njeriu, e shëroi.
Luke Alb 22:52  Pastaj Jezusi u tha krerëve të priftërinjve, krerëve të rojeve të tempullit dhe pleqve që kishin ardhur kundër tij: ''Keni dalë kundër meje me shpata dhe me shkopinj si kundër një kusari?
Luke Alb 22:53  Kur unë çdo ditë isha me ju në tempull, ju nuk vutë dorë kurrë mbi mua; por kjo është ora juaj dhe pushteti i errësirës''.
Luke Alb 22:54  Mbasi e kapën, e çuan dhe e shtinë në shtëpinë e kryepriftit. Dhe Pjetri e ndiqte nga larg.
Luke Alb 22:55  Kur ata ndezën një zjarr në mes të oborrit dhe u ulën rreth tij, Pjetri u ul midis tyre.
Luke Alb 22:56  Një shërbëtore e pa ulur pranë zjarrit, e shikoi me vëmendje dhe tha: ''Edhe ky ishte me të''.
Luke Alb 22:57  Por ai e mohoi duke thënë: ''O grua, nuk e njoh''.
Luke Alb 22:58  Pak më vonë e pa një tjetër dhe tha: ''Edhe ti je nga ata''. Por Pjetri tha: ''O njeri, nuk jam''.
Luke Alb 22:59  Mbasi kaloi rreth një orë, një tjetër pohoi me këmbëngulje duke thënë: ''Në të vërtetë edhe ky ishte bashkë me të, sepse është Galileas''.
Luke Alb 22:60  Por Pjetri tha: ''O njeri, s'di ç'po thua''. Dhe menjëherë, ndërsa ai ende po fliste, këndoi gjeli.
Luke Alb 22:61  Dhe Zoti u kthye, dhe e shikoi Pjetrin. Dhe Pjetrit iu kujtua fjala që i kishte thënë Zoti: ''Para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''.
Luke Alb 22:62  Atëherë Pjetri doli përjashta dhe qau me hidhërim.
Luke Alb 22:63  Ndërkaq njerëzit që e mbanin Jezusin e përqeshnin dhe e rrihnin.
Luke Alb 22:64  Dhe, mbasi ia mbuluan sytë, i binin në fytyrë dhe e pyetnin duke thënë: "Profetizo, kush është ai që të ra?".
Luke Alb 22:65  Dhe duke blasfemuar thoshin shumë gjëra të tjera kundër tij.
Luke Alb 22:66  Dhe, kur u bë ditë, u mblodhën pleqtë e popullit, kreret e prifterinjve dhe skribët dhe e çuan në sinedrin e tyre, duke thënë:
Luke Alb 22:67  ''Në se ti je Krishti, na e thuaj''. Por ai u tha atyre: ''Edhe sikur t'jua thoja, nuk do ta besonit.
Luke Alb 22:68  Edhe sikur t'ju pyesja, ju nuk do të më përgjigjeshit dhe as nuk do të më linit të shkoja.
Luke Alb 22:69  Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë''.
Luke Alb 22:70  Atëherë të gjithë thanë: ''Je ti, pra, Biri i Perëndisë?''. Dhe ai u tha atyre: ''Ju thoni se unë jam''.
Luke Alb 22:71  Atëherë ata thanë: ''Ç'nevojë kemi akome për dëshmi? Ne vetë e dëgjuam nga goja e tij''.