Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
SONG OF SOLOMON
Up
1 2 3 4 5 6 7 8
Toggle notes
Chapter 1
Song Alb 1:1  Kantiku i kantikëve që është i Salomonit.
Song Alb 1:2  Më puth me të puthurat e gojës së vet! Sepse dashuria jote është më e mirë se vera.
Song Alb 1:3  Nga aroma e vajrave të tua të këndshme emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur; prandaj të duan vajzat.
Song Alb 1:4  Tërhiqmë te ti! Ne do të rendim pas teje! Mbreti më çoi në dhomat e tij. Ne do të kënaqemi dhe do të gëzohemi te ti; ne do ta kujtojmë dashurinë tënde më shumë se verën. Kanë të drejtë që të duan.
Song Alb 1:5  Unë jam e zezë por e bukur, o bija të Jeruzalemit, si çadrat e Kedarit, si perdet e Salomonit.
Song Alb 1:6  Mos shikoni se jam e zezë, sepse dielli më ka nxirë. Bijtë e nënes sime janë zemëruar me mua; më kanë caktuar të ruaj vreshtat, por vreshtin tim nuk e kam ruajtur.
Song Alb 1:7  Thuamë, o ti që të dashuron zemra ime, ku e kullot kopenë dhe ku e lë të pushojë në mesditë. Pse vallë duhet të jem si një grua e mbuluar me vel pranë kopeve të shokëve të tu?
Song Alb 1:8  Në rast se ti nuk e di, o më e bukura e grave, ndiq gjurmët e kopesë dhe kulloti kecat e tua pranë çadrave të barinjve.
Song Alb 1:9  Mikesha ime, ti më ngjan si pela ime midis qerreve të Faraonit.
Song Alb 1:10  Faqet e tua janë të bukura me ornamente, dhe qafa jote me gjerdane margaritaresh.
Song Alb 1:11  Ne do të bëjmë për ty gjerdane të arta me tokëza prej argjendi.
Song Alb 1:12  Ndërsa mbreti është ulur në tryezë, livanda ime përhap aromën e saj.
Song Alb 1:13  Kënaqësia ime është një qeskë e vogël mirre; ajo do të pushojë tërë natën midis gjive të mia.
Song Alb 1:14  Kënaqësia ime është për mua një tufë lulesh alkane në vreshtat e En-gedit.
Song Alb 1:15  Ti je e bukur, mikja ime, ja, je e bukur! Sytë e tu janë si ato të pëllumbeshave.
Song Alb 1:16  Sa i bukur je, i dashuri im, madje dhe i dashurueshëm! Për më tepër shtrati ynë është blerosh.
Song Alb 1:17  Trarët e shtëpive tona janë prej kedri dhe tavanet tona prej qiparisi.
Chapter 2
Song Alb 2:1  Unë jam trëndafili i Sharonit, zambaku i luginave.
Song Alb 2:2  Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave.
Song Alb 2:3  Si një mollë midis pemëve të pyllit kështu është i dashuri im midis të rinjve. Kam dëshëruar shumë të rri në hijen e tij dhe aty jam ulur, fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time.
Song Alb 2:4  Më çoi në shtëpinë e banketit dhe flamuri i tij mbi mua është dashuria.
Song Alb 2:5  Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria.
Song Alb 2:6  Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.
Song Alb 2:7  Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t'i pëlqejë
Song Alb 2:8  Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat.
Song Alb 2:9  I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.
Song Alb 2:10  I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: "Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!
Song Alb 2:11  Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku.
Song Alb 2:12  Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.
Song Alb 2:13  Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja.
Song Alb 2:14  O pëllumbesha ime, që rri në të çarat e shkëmbinjve, në strukat e rrëmoreve, ma trego fytyrën tënde, më bëj ta dëgjoj zërin tënd, sepse zëri yt është i këndshëm dhe fytyra jote është e hijshme".
Song Alb 2:15  I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona janë në lulëzim.
Song Alb 2:16  I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve.
Song Alb 2:17  Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.
Chapter 3
Song Alb 3:1  Mbi shtratin tim gjatë natës kërkova atë që dashuron zemra ime, e kërkova, por nuk e gjeta.
Song Alb 3:2  Tani do të ngrihem dhe do të shkoj rrotull nëpër qytet, nëpër rrugët dhe nëpër sheshet do të kërkoj atë që do zemra ime. E kërkova, por nuk e gjeta.
Song Alb 3:3  Rojet që sillen nëpër qytet më takuan. I pyeta ata: "A e patë atë që do zemra ime?".
Song Alb 3:4  Sapo i kalova, gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis deri sa ta çoj në shtëpinë e nënes sime dhe në dhomën e asaj që më ka ngjizur.
Song Alb 3:5  Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t'i pëlqejë.
Song Alb 3:6  Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?
Song Alb 3:7  Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit.
Song Alb 3:8  Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës.
Song Alb 3:9  Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani.
Song Alb 3:10  I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit.
Song Alb 3:11  Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.
Chapter 4
Song Alb 4:1  Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad.
Song Alb 4:2  Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.
Song Alb 4:3  Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege.
Song Alb 4:4  Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima.
Song Alb 4:5  Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve.
Song Alb 4:6  Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit.
Song Alb 4:7  Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.
Song Alb 4:8  Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve.
Song Alb 4:9  Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate.
Song Alb 4:10  Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!
Song Alb 4:11  Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.
Song Alb 4:12  Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.
Song Alb 4:13  Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo,
Song Alb 4:14  me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira.
Song Alb 4:15  Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani.
Song Alb 4:16  Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura!
Chapter 5
Song Alb 5:1  Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur!
Song Alb 5:2  Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës.
Song Alb 5:3  E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t'i fëlliq përsëri?
Song Alb 5:4  I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrëndshmet e mia u ngashërryen nga ai.
Song Alb 5:5  U ngrita për t'i hapur derën të dashurit tim, dhe nga duart e mia pikoi mirra, nga gishtërinjtë e mi mirra e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës.
Song Alb 5:6  Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligshtohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m'u përgjigj.
Song Alb 5:7  Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën, më rrahën, më plagosën; rojet e mureve më çorën velin.
Song Alb 5:8  Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t'i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.
Song Alb 5:9  Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?
Song Alb 5:10  I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.
Song Alb 5:11  Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb.
Song Alb 5:12  Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.
Song Alb 5:13  Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.
Song Alb 5:14  Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire.
Song Alb 5:15  Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat.
Song Alb 5:16  Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.
Chapter 6
Song Alb 6:1  Ku shkoi i dashuri yt, o më e bukura midis grave? Ku shkoi i dashuri yt, që të mund ta kërkojmë bashkë me ty?
Song Alb 6:2  I dashuri im zbriti në kopshtin e tij, në lehet e balsamit për të kullotur kopenë në kopshtet dhe për të mbledhur zambakë.
Song Alb 6:3  Unë jam e të dashurit tim dhe i dashuri im është imi; ai e kullot kopenë midis zambakëve.
Song Alb 6:4  Mikja ime, ti je e bukur si Tirtsahu, i hijshëm si Jeruzalemi, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur.
Song Alb 6:5  Largo nga unë sytë e tu, sepse më turbullojnë. Flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin mbi malin e Galaadit.
Song Alb 6:6  Dhëmbët e tua janë si një kope dhensh, që kthehen nga vendi ku lahen; të gjitha kanë binjakë dhe asnjëra prej tyre nuk është shterpe.
Song Alb 6:7  Tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një rriskë shege.
Song Alb 6:8  Aty ka gjashtëdhjetë mbretëresha dhe tetëdhjetë konkubina, si dhe vajza pa numërim.
Song Alb 6:9  Por pëllumbesha ime, e përkryera ime, është e vetme; nëna e ka të vetme, e përzgjedhura e saj që e ka pjellë. Vajzat e kanë parë dhe e kanë shpallur të lume, po, edhe mbretëreshat dhe konkubinat, e kanë lavdëruar.
Song Alb 6:10  Kush është ajo që shfaqet si agimi, e bukur si hëna, e pastër si dielli, e tmerrshme si një ushtri me flamuj të shpalosur?
Song Alb 6:11  Unë zbrita në kopshtin e arrave për të parë bimët e blerta të luginës, për të parë në se hardhitë ishin në lulëzim dhe shegët kishin bulëzuar.
Song Alb 6:12  Nuk e di si, por dëshira ime më vuri mbi qerret e popullit tim fisnik.
Song Alb 6:13  Kthehu, kthehu, o Shulamite, kthehu, kthehu, që të mund të të admirojmë. Çfarë shikoni te Shulamitja? Si një valle me dy grupe?
Chapter 7
Song Alb 7:1  Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakta të ijëve të tua janë si stolira, vepër e dorës së një artisti.
Song Alb 7:2  Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë.
Song Alb 7:3  Dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjel, binjake të gazelave.
Song Alb 7:4  Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut.
Song Alb 7:5  Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua.
Song Alb 7:6  Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!
Song Alb 7:7  Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe sisët e tua janë si vile.
Song Alb 7:8  Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin sisët e tua si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve,
Song Alb 7:9  dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.
Song Alb 7:10  Unë jam e të dashurit tim dhe ai më dëshiron.
Song Alb 7:11  Eja, i dashuri im, le të dalim nëpër fusha, ta kalojmë natën nëpër fshatra!
Song Alb 7:12  Të çohemi shpejt në mëngjes për të shkuar në vreshtat dhe për të parë në qoftë se vreshti ka lëshuar llastarë, në se kanë çelur lulet e tij dhe në se shegët kanë lulëzuar. Aty do të jap dashurinë time.
Song Alb 7:13  Madërgonat përhapin aromën e tyre dhe mbi portat tona ka fryte të zgjedhura të çdo lloji, të freskëta dhe të thata, që i kam ruajtur për ty, i dashuri im.
Chapter 8
Song Alb 8:1  Ah, sikur të ishe ti si një vëllai im, që mënd në gjitë e nënës sime! Duke të gjetur jashtë do të të puthja, dhe askush nuk do të më përçmonte.
Song Alb 8:2  Do të të çoja dhe do të fusja në shtëpinë e nënës sime; ti do të më mësoje dhe unë do të të jepja për të pirë verë aromatike, lëng nga shega ime.
Song Alb 8:3  Dora e tij e majtë qoftë nën kokën time dhe e djathta e tij më përqafoftë!
Song Alb 8:4  O bija të Jerzalemit, ju lutem shumë, mos e shqetësoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t'i pëlqejë.
Song Alb 8:5  Kush është ajo që del nga shkretëtira duke u mbështetur tek i dashuri i saj? Të kam zgjuar nën mollën, ku nëna jote të ka lindur, ku ajo që të ka lindur të ka nxjerrë në dritë.
Song Alb 8:6  Më vër si një vulë mbi zemrën tënde, si një vulë mbi krahun tënd; sepse dashuria është e fortë si vdekja, xhelozia është e ashpër si Sheoli. Flakët e saj janë flakë zjarri, një flakë që përvëlon.
Song Alb 8:7  Ujërat e mëdha nuk do të mund ta shuajnë dashurinë, as lumenjtë ta përmbytin. Në rast se dikush do të jepte tërë pasuritë e shtëpisë së tij në këmbim të dashurisë, do të përbuzej me siguri.
Song Alb 8:8  Ne kemi një motër të vogël që ende nuk ka sisë; çfarë do të bëjmë për motrën tonë ditën që do të flitet për të?
Song Alb 8:9  Në qoftë se është një mur, do të ndërtojmë mbi të një pallat prej argjendi; në qoftë se është një portë, do ta forcojmë me dërrasa kedri.
Song Alb 8:10  Unë jam një mur, dhe sisët e mia janë si kulla; prandaj në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqen.
Song Alb 8:11  Salomoni kishte një vresht në Baal-Hamon; ai ua besoi disa rojtarëve, secili prej tyre duhet t'i çonte si fryt të tij një mijë sikla argjendi.
Song Alb 8:12  Vreshti im, që është imi, ndodhet para meje. Ti, Salomon, mbaji një mijë siklat dhe rojtarët e frytit të tij marrshin dyqind.
Song Alb 8:13  Ti që banon në kopshte, shokët po dëgjojnë zërin tënd; bëj ta dëgjoj edhe unë.
Song Alb 8:14  Eja shpejt, i dashuri im, dhe ngjaji një gazele apo një sute në malet e aromave!