Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
LAMENTATIONS
Up
1 2 3 4 5
Toggle notes
Chapter 1
Lame Alb 1:1  Si qëndron vallë i vetmuar qyteti që ishte plot e përplot me popull? E madhja midis kombeve është bërë si një e ve; princesha midis provincave i është nënshtruar haraçit.
Lame Alb 1:2  Ajo qan me hidhërim natën, lotët vijëzojnë faqet e saj; midis gjithë atyre që e donin nuk ka njeri që ta ngushëllojë; tërë miqtë e saj e kanë tradhëtuar, janë bërë armiq të saj.
Lame Alb 1:3  Juda ka shkuar në robëri, mbi të rëndojnë pikëllimi dhe një skllavëri e rëndë; ai banon midis kombeve, nuk gjen prehje; tërë përndjekësit e tij e kanë arritur midis fatkeqësive.
Lame Alb 1:4  Rrugët e Sionit mbajnë zi, sepse askush nuk vjen më në festat solemne; tërë portat e tij janë të shkreta, priftërinjtë e tij psherëtijnë, virgjëreshat e tij hidhërohen dhe ai është në trishtim.
Lame Alb 1:5  Kundërshtarët e tij janë bërë sundimtarë, armiqtë e tij begatohen, sepse Zoti e ka mjeruar për shkak të morisë së shkeljeve të tij; fëmijët e tij kanë shkuar në robëri përpara armikut.
Lame Alb 1:6  Vajza e Sionit ka humbur tërë madhështinë e saj; krerët e tij janë bërë si drerë që nuk gjejnë kullotë; ecin pa forca përpara atyre që i ndjekin.
Lame Alb 1:7  Në ditët e trishtimit të tij dhe të endjes Jeruzalemi kujton tërë të mirat e çmuara që zotëronte qysh nga ditët e lashta. Kur populli i tij binte në dorë të armikut dhe askush nuk i vinte në ndihmë, kundërshtarët e tij e shikonin dhe qeshnin me shkatërrimin e tij.
Lame Alb 1:8  Jeruzalemi ka mëkatuar rëndë, prandaj është bërë një gjë e fëlliqur; tërë ata që e nderonin e përçmojnë, sepse e kanë parë lakuriq, po, ai psherëtin dhe kthehet prapa.
Lame Alb 1:9  Fëlliqësia e tij ishte në cepat e rrobave të tij, nuk mendonte për fundin e tij; prandaj ra në mënyrë të habitshme, pa pasur njeri që ta ngushëllojë: "Shiko, o Zot, dëshpërimin tim sepse armiku po ngrihet".
Lame Alb 1:10  Kundërshtari ka shtrirë dorën mbi të gjitha thesaret e tua, sepse pa kombet të hyjnë në shenjtëroren tënde; pikërisht ata që ti u kishe urdhëruar të mos hynin në kuvendin tënd.
Lame Alb 1:11  Tërë populli i tij psherëtin duke kërkuar bukë; japin gjërat e tyre më të çmuara për ushqim me qëllim që të rifitojnë jetën. "Shiko, o Zot, dhe kqyr sa jam bërë i neveritshëm!". pranimi i mëkateve të tij dhe pasojat e tyre
Lame Alb 1:12  "Asgjë e tillë mos t'ju ndodhë, o ju që kaloni afër. Soditni dhe shikoni, në se ka një dhimbje të ngjashme me dhembjen time, ajo që më brengos dhe që Zoti më ka dhënë ditën e zemërimit të tij të zjarrtë.
Lame Alb 1:13  Nga lart ka dërguar një zjarr në kockat e mia, i kaplon ato; ka shtrirë një rrjetë në këmbët e mia, më ka kthyer prapa, më ka shkretuar në kapitjen e ditëve të mia.
Lame Alb 1:14  Nga dora e tij është lidhur zgjedha e shkeljeve të mia, që lidhen bashkë dhe rëndojnë mbi qafën time; më ka pakësuar forcën time; Zoti më ka lënë në duart e atyre të cilëve nuk mund t'u bëj ballë.
Lame Alb 1:15  Zoti ka rrëzuar në mesin tim tërë trimat e mi; ka thirrur kundër meje një kuvend për të shtypur të rinjtë e mi; Zoti ka shtypur si në një butinë bijën e virgjër të Judës.
Lame Alb 1:16  Prandaj unë qaj; sytë e mi, vetë sytë e mi shkrihen ndër lot, sepse ngushëlluesi që do të mund të më jepte përsëri jetën është larg meje. Bijtë e mi janë të dëshpëruar, sepse armiku doli fitimtar".
Lame Alb 1:17  Sioni zgjat duart e tij, por nuk ka njeri që ta ngushëllojë. Përsa i përket Jakobit, Zoti ka urdhëruar që ata që janë rreth tij të bëhen armiq të tij. Jeruzalemi është bërë në mes tyre si një gjë e papastër.
Lame Alb 1:18  Zoti është i drejtë, sepse jam rebeluar kundër fjalës së tij. Dëgjoni, pra, o popuj mbarë, dhe shikoni dhimbjen time! Virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë shkuar në robëri.
Lame Alb 1:19  Thirra dashnorët e mi, por ata më kanë mashtruar; priftërinjt e mi dhe pleqtë e mi nxorën frymën e fundit në qytet, ndërsa kërkonin ushqim për të shpëtuar jetën e tyre.
Lame Alb 1:20  Shiko, o Zot, unë jam në ankth. Zorrët e mia dridhen, zemra ime është e tronditur brenda meje, sepse kam qënë rebele e madhe. Jashtë shpata më la pa bij, në shtëpi është si të jetë vdekje.
Lame Alb 1:21  Më dëgjojnë që psherëtij, askush nuk më ngushëllon. Tërë armiqtë e mi e kanë mësuar fatkeqësinë time dhe janë të kënaqur që ti ke bërë këtë gjë. Ti do të sjellësh ditën që ke lajmëruar, dhe atëherë do të jenë si unë.
Lame Alb 1:22  Le të vijë para teje tërë ligësia e tyre, dhe trajtoi ashtu si më ke trajtuar mua për shkak të të gjitha shkeljeve të mia. Sepse të shumta janë psherëtimat e mia dhe zemra ime lëngon.
Chapter 2
Lame Alb 2:1  Si bëhet që në zemërimin e tij Zoti ka mbuluar me një re bijën e Sionit? Ai ka hedhur nga qielli në tokë lavdinë e Izraelit dhe nuk u kujtua për ndenjësen e këmbëve të tij ditën e zemërimit të tij.
Lame Alb 2:2  Zoti i ka shkatërruar pa mëshirë të gjitha banesat e Jakobit; në zemërimin e tij ka shembur fortesat e bijës së Judës, i ka hedhur për tokë duke përdhosur mbretërinë dhe krerët e saj.
Lame Alb 2:3  Me një zemërim të zjarrtë ka thyer tërë fuqinë e Izraelit, ka tërhequr të djathtën e tij përpara armikut, ka djegur në mes të Jakobit si një zjarr flakërues që gllabëron gjithçka rreth e qark.
Lame Alb 2:4  Ka nderur harkun e tij si një armik, ka ngritur dorën e djathtë si një kundërshtar, ka shkatërruar të gjitha ato që ishin të këndshme për sytë në çadrën e bijës së Sionit, e ka derdhur zemërimin e tij si një zjarr.
Lame Alb 2:5  Zoti u bë si një armik; përpiu Izraelin, përpiu tërë pallatet e tij, shkatërroi fortesat e tij, shumëfishoi të qarat dhe vajtimet tek e bija e Judës.
Lame Alb 2:6  Shkatërroi tabernakullin e tij si një kopësht, prishi vendin ku mblidhet kuvendi; Zoti bëri të harrohen në Sion festat solemne dhe të shtunat dhe gjatë tërbimit e të zemërimit të tij hodhi poshtë mbretër dhe priftërinj.
Lame Alb 2:7  Zoti braktisi altarin e tij, hodhi poshtë shenjtëroren e tij, dorëzoi në dorë të armikut muret e fortesave të tij; ata lartuan britma në shtëpinë e Zotit si në një ditë feste solemne.
Lame Alb 2:8  Zoti vendosi të shkatërrojë muret e bijës së Sionit; vuri litarin, nuk ka hequr dorë nga shkatërrimi; ka bërë të vajtojnë fortesa dhe mure; që të dyja lëngojnë.
Lame Alb 2:9  Portat e tij janë fundosur në dhe; ai ka prishur dhe ka copëtuar shufrat e tyre; mbreti i tij dhe krerët e tij ndodhen midis kombeve; nuk ka më ligj, dhe profetët e tij nuk marrin asnjë vegim nga Zoti.
Lame Alb 2:10  Pleqtë e bijës së Sionit ulen për tokë në heshtje; kanë hedhur pluhur mbi kokën e tyre, kanë ngjeshur trupin me thes; virgjëreshat e Jeruzalemit ulin deri në tokë kokën e tyre.
Lame Alb 2:11  Sytë e mi konsumohen nga të qarat, zorrët e mia drithërohen, mëlçia ime përhapet për tokë për shkak të shkatërrimit të bijës së popullit tim, për ligështimin e fëmijëve dhe të foshnjave në gji në sheshet e qytetit.
Lame Alb 2:12  Ata u kërkonin nënave të tyre: "Ku është gruri dhe vera?", ndërsa po ligështoheshin si të plagosur për vdekje në sheshet e qytetit dhe jepnin shpirt në prehrin e nënave të tyre.
Lame Alb 2:13  Si mund të të jap zemër? Në çfarë do të të ngjas, o bijë e Jeruzalemit? Çfarë gjë do të krahasoj me ty që të të ngushëlloj, o bijë e virgjër e Jeruzalemit? Sepse shkatërrimi yt është i madh si deti; kush mund të të shërojë?
Lame Alb 2:14  Profetët e tu kanë pasur për ty vegime të rreme dhe të paarsyeshme; nuk kanë zbuluar lakuriq paudhësinë tënde që të largojnë robërinë prej teje; ata kanë shqiptuar për ty profeci të rreme dhe mashtruese.
Lame Alb 2:15  Tërë kalimtarët i rrahin duart kundër teje; fërshëllejnë dhe tundin kokën kundër bijës së Jeruzalemit: "Ky qënka qyteti që e quanin "bukuri e përsosur", "gëzimi i tërë tokës"?".
Lame Alb 2:16  Tërë armiqtë e tu hapin gojën kundër teje; fërshëllejnë dhe kërcëllijnë dhëmbët, dhe thonë: "E kemi gëlltitur! Po, kjo është dita që prisnim; arritëm ta shohim".
Lame Alb 2:17  Zoti ka realizuar atë që kishte menduar; ka mbajtur fjalën që kishte dekretuar në ditët e lashta. Ka shkatërruar pa asnjë mëshirë, ka vepruar në mënyrë që armiku të gëzohet me ty, ka lavdëruar fuqinë e kundërshtarëve të tu.
Lame Alb 2:18  Zemra e tyre i bërtet Zotit: "O mure të bijës së Sionit, bëni që të derdhen lotët si një përrua ditën e natën. Mos i jepni qetësi vetes, mos paçin çlodhje bebet e syve tuaj.
Lame Alb 2:19  Çohuni, bërtisni natën, në fillim të çdo vigjiljeje. Derdhni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart në drejtim të tij për jetën e fëmijëve tuaj, që mpaken nga uria në hyrje të të gjitha rrugëve".
Lame Alb 2:20  "Shiko, o Zot, dhe shqyrto. Cilin ke trajtuar në këtë mënyrë? A duhet të hanin gratë frytin e barkut të tyre, fëmijët që përkëdhelnin? A duhet të vriteshin prifti dhe profeti në shenjtëroren e tij?
Lame Alb 2:21  Të vegjëlit dhe pleqtë dergjen për tokë nëpër rrugë; virgjëreshat e mia dhe të rinjtë e mi kanë rënë nga shpata; ti i ke vrarë ditën e zëmërimit tënd, i ke masakruar pa mëshirë.
Lame Alb 2:22  Ti ke mbledhur si për një ditë feste tmerret që më rrethojnë nga çdo anë. Në ditën e zemërimit të Zotit nuk pati as ikanak as të mbetur. Ata që kisha ushqyer me gji dhe që kisha rritur, i shfarosi armiku im".
Chapter 3
Lame Alb 3:1  Unë jam njeriu që pa hidhërimin nën thuprën e tërbimit të tij.
Lame Alb 3:2  Ai më ka udhëhequr dhe më ka bërë të eci nëpër terr dhe jo në dritë.
Lame Alb 3:3  Po, kundër meje ai ka kthyer disa herë dorën e tij tërë ditën.
Lame Alb 3:4  Ai ka konsumuar mishin tim dhe lëkurën time, ka coptuar kockat e mia.
Lame Alb 3:5  Ka ndërtuar fortesa kundër meje, më ka rrethuar me hidhërim dhe me ankth.
Lame Alb 3:6  Ka bërë që unë të banoj në vende plot errësirë, ashtu si të vdekurit prej shumë kohe.
Lame Alb 3:7  Më ka ndërtuar një mur rreth e qark, me qëllim që unë të mos dal; e ka bërë të rëndë zinxhirin tim.
Lame Alb 3:8  Edhe kur bërtas dhe kërkoj ndihmë me zë të lartë, ai nuk pranon të dëgjojë lutjen time.
Lame Alb 3:9  Ai i ka mbyllur rrugët e mia me gurë të prerë, i ka bërë shtigjet e mia plot me prita.
Lame Alb 3:10  Ai ka qenë për mua si një ari në pritë, si një luan në vende të fshehta.
Lame Alb 3:11  Ka devijuar rrugët e mia, më ka coptuar dhe më ka dëshpëruar.
Lame Alb 3:12  Ka nderur harkun e tij dhe më ka bërë objekt të shigjetave të tij.
Lame Alb 3:13  Ka bërë të depërtojnë në zemrën time shigjetat e kukurës së tij.
Lame Alb 3:14  Jam bërë tallja e tërë popullit tim, kënga e tij e tërë ditës.
Lame Alb 3:15  Më ka ngopur me hidhërim, më ka bërë të pij pelin.
Lame Alb 3:16  Më ka coptuar dhëmbët me zall, më ka mbuluar me hi.
Lame Alb 3:17  Ke larguar shpirtin tim nga paqja, kam harruar mirëqënien.
Lame Alb 3:18  Kam thënë: "Éshtë zhdukur besimi im dhe shpresa ime tek Zoti".
Lame Alb 3:19  Kujtohu për pikëllimin dhe për endjen time, për pelinin dhe hidhërimin.
Lame Alb 3:20  Shpirti im kujtohet gjithnjë për këtë dhe është i rrëzuar brenda meje.
Lame Alb 3:21  Këtë dua ta sjell në mëndje dhe prandaj dua të shpresoj.
Lame Alb 3:22  Éshtë një hir i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht.
Lame Alb 3:23  Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikeria jote.
Lame Alb 3:24  "Zoti është pjesa ime", thotë shpirti im, "prandaj do të kem shpresë tek ai.
Lame Alb 3:25  Zoti është i mirë me ata që kanë shpresë tek ai, me shpirtin që e kërkon.
Lame Alb 3:26  Gjë e mirë është të presësh në heshtje shpëtimin e Zotit.
Lame Alb 3:27  Gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij.
Lame Alb 3:28  Le të ulet i vetmuar dhe të qëndrojë në heshtje kur Perëndia ia imponon.
Lame Alb 3:29  Le ta vërë gojën e tij në pluhur, ndofta ka ende shpresë.
Lame Alb 3:30  Le ti japë faqen atij që e godet, të ngopet me fyerje.
Lame Alb 3:32  por, në rast se të hidhëron, do ti vijë keq sipas shumicës së zemërmirësive të tij,
Lame Alb 3:33  sepse nuk e bën me kënaqësi poshtërimin dhe hidhërimin e bijve të njerëzve.
Lame Alb 3:34  Kur dikush shtyp nën këmbët e tij tërë robërit e dheut,
Lame Alb 3:35  kur dikush shtrëmbëron të drejtën e një njeriu në prani të Më të Lartit,
Lame Alb 3:36  kur dikujt i bëhet një padrejtësi në çështjen e tij, a nuk e shikon Zoti?
Lame Alb 3:37  Vallë kush thotë diçka që më pas realizohet, në rast se Zoti nuk e ka urdhëruar?
Lame Alb 3:38  E keqja dhe e mira a nuk vijnë vallë nga goja e Më të Lartit?
Lame Alb 3:39  Pse vallë ankohet një njeri i gjallë, një njeri për ndëshkimin e mëkateve të tij?
Lame Alb 3:40  Le të shqyrtojmë rrugët tona, t'i hetojmë dhe të kthehemi tek Zoti.
Lame Alb 3:41  Le të ngremë lart zemrat tona dhe duart tona në drejtim të Perëndisë të qiejve.
Lame Alb 3:42  Ne kemi kryer mëkate, kemi qënë rebelë dhe ti nuk na ke falur.
Lame Alb 3:43  Je mbështjellë në zëmërimin tënd dhe na ke ndjekur, na ke vrarë pa mëshirë.
Lame Alb 3:44  Ti je mbështjellë në një re, në mënyrë që asnjë lutje të mos kalonte dot.
Lame Alb 3:45  Na ke bërë plehra dhe mbeturina në mes të popujve.
Lame Alb 3:46  Tërë armiqtë tanë kanë hapur gojën kundër nesh.
Lame Alb 3:47  Na ka rënë mbi trup tmerri, laku, dëshpërimi i thellë dhe shkatërrimi.
Lame Alb 3:48  Rrëke uji rrjedhin nga sytë e mi për shkatërrimin e bijës së popullit tim.
Lame Alb 3:50  deri sa Zoti të mos vështrojë nga qielli dhe të mos shikojë.
Lame Alb 3:51  Syri im i sjell dhembje shpirtit tim për të gjitha bijat e qytetit tim.
Lame Alb 3:52  Ata që më urrejnë pa shkak më kanë gjuajtur si të isha zog.
Lame Alb 3:53  Kanë shkatërruar jetën time në gropë, më kanë hedhur gurë.
Lame Alb 3:54  Ujrat rrjedhin mbi kokën time, unë thoja: "Ka marrë fund për mua".
Lame Alb 3:55  Përmenda emrin tënd, o Zot, nga thellësia e gropës.
Lame Alb 3:56  Ti e dëgjove zërin tim; mos ia fshih veshin tënd psherëtimës sime, thirrjes time për ndihmë.
Lame Alb 3:57  Kur të kam thirrur ti je afruar; ke thënë: "Mos ki frikë!"
Lame Alb 3:58  O Zot ti ke mbrojtur çështjen e shpirtit tim, ti ke çliruar jetën time.
Lame Alb 3:59  O Zot, ti ke parë dëmin që kam pësuar, prandaj mbro çështjen time!
Lame Alb 3:60  Ti ke parë tërë frymën e tyre të hakmarrjes, intrigat e tyre kundër meje.
Lame Alb 3:61  Ti ke dëgjuar fyerjet e tyre, o Zot, tërë intrigat e tyre kundër meje,
Lame Alb 3:62  fjalimet e tyre që ngrihen kundër meje, atë që mendojnë kundër meje tërë ditën.
Lame Alb 3:63  Vër re kur ulen dhe kur ngrihen, unë jam kënga e tyre.
Lame Alb 3:64  Shpërbleji, o Zot, sipas veprës së duarve të tyre.
Lame Alb 3:66  Ndiqi në zemërimin tënd dhe shkatërroi poshtë qiejve të Zotit.
Chapter 4
Lame Alb 4:1  Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve.
Lame Alb 4:2  Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit?
Lame Alb 4:3  Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës.
Lame Alb 4:4  Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t'ua japë atyre.
Lame Alb 4:5  Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten.
Lame Alb 4:6  Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj.
Lame Alb 4:7  Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir.
Lame Alb 4:8  Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru.
Lame Alb 4:9  Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës.
Lame Alb 4:10  Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim.
Lame Alb 4:11  Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij.
Lame Alb 4:12  Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit.
Lame Alb 4:13  Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë.
Lame Alb 4:14  Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre.
Lame Alb 4:15  Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu".
Lame Alb 4:16  Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë.
Lame Alb 4:17  Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte.
Lame Alb 4:18  Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur.
Lame Alb 4:19  Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë.
Lame Alb 4:20  Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve".
Lame Alb 4:21  Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde.
Lame Alb 4:22  Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua.
Chapter 5
Lame Alb 5:1  Kujto, o Zot, atë që na ka ndodhur, shiko dhe vër re turpin tonë.
Lame Alb 5:2  Trashëgimia jonë u ka kaluar të huajve, shtëpitë tona njerëzve që nuk janë tanët.
Lame Alb 5:3  Ne u bëmë jetimë, pa etër, nënat tona janë si të veja.
Lame Alb 5:4  Duhet të paguajmë për ujët që pimë, drutë tona i kemi vetëm me pagesë.
Lame Alb 5:5  Na ndjekin me një zgjedhë mbi qafë, jemi të rraskapitur dhe nuk kemi fare pushim.
Lame Alb 5:6  I kemi shtrirë dorën Egjiptit dhe Asirisë për t'u ngopur me bukë.
Lame Alb 5:7  Etërit tanë kanë mëkatuar dhe nuk janë më, dhe ne mbajmë ndëshkimin për paudhësitë e tyre.
Lame Alb 5:8  Skllevërit sundojnë mbi ne, askush nuk mund të na çlirojë nga duart e tyre.
Lame Alb 5:9  E nxjerrim bukën duke rrezikuar jetën tonë, përpara shpatës së shkretëtirës.
Lame Alb 5:10  Lëkura jonë është ngrohur si në një furrë për shkak të valës së urisë.
Lame Alb 5:11  Kanë dhunuar gratë në Sion, virgjëreshat në qytetet e Judës.
Lame Alb 5:12  Krerët janë varur nga duart e tyre, personi i pleqëve nuk është respektuar.
Lame Alb 5:13  Të rinjtë i vunë të bluajnë, të vegjëlit u rrëzuan nën barrën e druve.
Lame Alb 5:14  Pleqtë nuk mblidhen më te porta, të rinjtë nuk u bien më veglave të tyre.
Lame Alb 5:15  Gëzimi i zemrave tona është pakësuar, vallja jonë është shndërruar në zi.
Lame Alb 5:16  Kurora ka rënë nga koka jonë; mjerë ne, sepse kemi mëkatuar!
Lame Alb 5:17  Prandaj u sëmur zemra jonë, për këto gjëra na janë errësuar sytë:
Lame Alb 5:18  për malin e Sionit që është i shkretuar dhe në të cilin sillen dhelprat.
Lame Alb 5:19  Por ti, o Zot, mbetesh për jetë, dhe froni yt brez pas brezi.
Lame Alb 5:20  Pse do të na harroje për jetë dhe do të na braktisje për një kohë të gjatë?
Lame Alb 5:21  Na bëj që të rikthehemi te ti, o Zot, dhe ne do të kthehemi; rivendos ditët tona si në të kaluarën.
Lame Alb 5:22  Mos vallë na hodhe poshtë fare apo je zemëruar me të madhe kundër nesh?