Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
MATTHEW
Up
Toggle notes
Chapter 1
Matt Alb 1:1  Libri i gjenealogjisë së Jezu Krishtit, birit të Davidit, birit të Abrahamit.
Matt Alb 1:2  Abrahamit i lindi Isaku; Isakut i lindi Jakobi; Jakobit i lindi Juda dhe vëllezërit e tij.
Matt Alb 1:3  Judës i lindi nga Tamara Faresi dhe Zara; Faresit i lindi Esromi; Esromit i lindi Arami;
Matt Alb 1:4  Aramit i lindi Aminadabi; Aminadabit i lindi Naasoni; Naasonit i lindi Salmoni.
Matt Alb 1:5  Salmonit i lindi Boozi nga Rahabi; Boozit i lindi Obedi nga Ruthi; Obedit i lindi Jeseu.
Matt Alb 1:6  Jeseut i lindi Davidi mbret; mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias.
Matt Alb 1:7  Salomonit i lindi Roboami; Roboamit i lindi Abia; Abias i lindi Asai.
Matt Alb 1:8  Asait i lindi Jozafati; Jozafatit i lindi Jorami; Joramit i lindi Ozia.
Matt Alb 1:9  Ozias i lindi Joatami; Joatamit i lindi Akazi; Akazit i lindi Ezekia.
Matt Alb 1:10  Ezekias i lindi Manaseu; Manaseut i lindi Amoni; Amonit i lindi Josia.
Matt Alb 1:11  Josias i lindi Jekonia dhe vëllezërit e tij në kohën e internimit në Babiloni.
Matt Alb 1:12  Pas internimit në Babiloni Jekonias i lindi Salatieli; Salatielit i lindi Zorobabeli.
Matt Alb 1:13  Zorobabelit i lindi Abiudi; Abiudit i lindi Eliakimi; Eliakimit i lindi Azori.
Matt Alb 1:14  Azorit i lindi Sadoku; Sadokut i lindi Akimi; Akimit i lindi Eliudi.
Matt Alb 1:15  Eliudit i lindi Eleazari, Eleazarit i lindi Matthani, Matthanit i lindi Jakobi.
Matt Alb 1:16  Jakobit i lindi Jozefi, bashkëshorti i Marisë, nga e cila lindi Jezusi, që quhet Krisht.
Matt Alb 1:17  Kështu të gjithë brezat nga Abrahami deri te Davidi bëhen katërmbëdhjetë breza; dhe, nga Davidi deri te internimi në Babiloni, katërmbëdhjetë breza; dhe, nga internimi në Babiloni deri te Krishti, katërmbëdhjetë breza.
Matt Alb 1:18  Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Frymën e Shenjtë.
Matt Alb 1:19  Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas.
Matt Alb 1:20  Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjell i Zotit dhe i tha: ''Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç'është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë.
Matt Alb 1:21  Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t'i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre''.
Matt Alb 1:22  E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë:
Matt Alb 1:23  ''Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t'i venë emrin Emanuel, që do të thotë: "Zoti me ne"''.
Matt Alb 1:24  Dhe Jozefi, si u zgjua nga gjumi, veproi ashtu siç e kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori pranë vetës gruan e tij;
Matt Alb 1:25  por ai nuk e njohu, derisa ajo lindi djalin e saj të parëlindur, të cilit ia vuri emrin Jezus.
Chapter 2
Matt Alb 2:1  Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem,
Matt Alb 2:2  duke thënë: ''Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar''.
Matt Alb 2:3  Mbreti Herod, kur dëgjoi këto fjalë, u shqetësua, dhe bashkë me të mbarë Jeruzalemi.
Matt Alb 2:4  Dhe, mbasi i mblodhi të gjithë krerët e priftërinjve dhe skribët e popullit, i pyeti ku duhet të lindte Krishti.
Matt Alb 2:5  Dhe ata i thanë: ''Në Bethlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:
Matt Alb 2:6  "Dhe ti, Bethlehem, tokë në Jude, nuk je aspak më e parendësishmja ndër princat e Judesë, sepse nga ti do të dalë një udhëheqës, që do të kullotë popullin tim, Izraelin"''.
Matt Alb 2:7  Atëherë Herodi i thirri fshehurazi dijetarët, dhe i pyeti me hollësi se kur e kishin parë yllin për herë të parë.
Matt Alb 2:8  Dhe i dërgoi në Bethlehem dhe tha: ''Shkoni dhe pyesni me kujdes për fëmijën; dhe, kur ta gjeni, më njoftoni që të vij edhe unë ta adhuroj''.
Matt Alb 2:9  Dhe ata, pasi e dëgjuan mbretin, u nisën; dhe ja, ylli që kishin parë në lindje u shkonte përpara atyre derisa u ndal përmbi vendin ku ndodhej fëmija.
Matt Alb 2:10  Ata, kur e panë yllin, u gëzuan me gëzim shumë të madh.
Matt Alb 2:11  Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan. Pastaj hapën thesaret e tyre dhe dhuruan: ar, temjan dhe mirrë.
Matt Alb 2:12  Pasi Perëndia i udhëzoi në ëndërr që të mos ktheheshin te Herodi, ata u kthyen në vendin e tyre nga një rrugë tjetër.
Matt Alb 2:13  Tani pasi u nisën Dijetarët, ja një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt, dhe rri aty deri sa të të lajmëroj, sepse Herodi do ta kërkojë fëmijën për ta vrarë''.
Matt Alb 2:14  Jozefi, pra, u zgjua, mori fëmijën dhe nënën e tij natën dhe iku në Egjipt.
Matt Alb 2:15  Dhe qëndroi aty deri sa vdiq Herodi, që të përmbushet ç'ishte thënë nga Zoti me anë të profetit: ''E thirra birin tim nga Egjipti''.
Matt Alb 2:16  Atëherë Herodi, duke parë se dijetarët e kishin mashtruar, u zemërua fort dhe urdhëroi të vriten të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Bethlehem dhe në tërë rrethinën e tij, nga dy vjeç e poshtë,
Matt Alb 2:17  Atëherë u përmbush ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Jeremi që thotë:
Matt Alb 2:18  ''Në Ramë u dëgjua një klithmë, një vaje një qarje dhe gjëmë e madhe; Rakela vajton bijtë e saj dhe nuk pranon të ngushëllohet, sepse ata nuk janë më''.
Matt Alb 2:19  Pasi vdiq Herodi, ja një engjëll i Zotit i shfaqet në ëndërr Jozefit në Egjipt,
Matt Alb 2:20  dhe i thotë: ''Çohu, merr fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në vendin e Izraelit, sepse ata që donin ta vrisnin fëmijën kanë vdekur''.
Matt Alb 2:21  Dhe ai u çua, mori fëmijën dhe nënën e tij dhe shkoi në vendin e Izraelit;
Matt Alb 2:22  por, kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judë në vend të Herodit, atit të tij, pati frikë të shkojë atje. Dhe, mbasi u udhëzua nga Perëndia në ëndërr, iku në krahinën e Galilesë,
Matt Alb 2:23  dhe, mbasi arriti atje, zuri vend në një qytet që quhej Nazaret, që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët: ''Ai do të quhet Nazareas''.
Chapter 3
Matt Alb 3:1  Tani në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori, që predikonte në shkretëtirën e Judesë,
Matt Alb 3:2  dhe thoshte: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''
Matt Alb 3:3  Dhe në fakt për Gjonin kishte folur profeti Isaia kur tha: ''Një zë i atij që bërtet në shkretëtirë: "Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij"''.
Matt Alb 3:4  Tani Gjoni vet kishte veshur një rrobë prej leshi të devesë dhe një brez prej lëkure në bel; ai ushqehej me karkaleca dhe mjaltë të egër.
Matt Alb 3:5  Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai,
Matt Alb 3:6  dhe pagëzoheshin nga ai, në Jordan duke rrëfyer mëkatet e tyre.
Matt Alb 3:7  Por ai, kur pa se shumë farisenj dhe saducenj po vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha atyre: ''Pjellë nepërkash, kush ju ka mësuar t'i arratiseni zemërimit që po vjen?
Matt Alb 3:9  Dhe mos t'ju shkojë mendja të thoni me vete: "Ne kemi Abrahamin për atë"; sepse unë po ju them se Perëndia mund të nxjerrë bij të Abrahamit edhe prej këtyre gurëve.
Matt Alb 3:10  Dhe tashmë sëpata është në rrënjën e drurëve; çdo dru, pra, që nuk jep fryt të mirë, do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.
Matt Alb 3:11  Unë po ju pagëzoj me ujë, për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, dhe unë nuk jam i denjë as të mbaj sandalet e tij; ai do t'ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.
Matt Alb 3:12  Ai mban në dorë terploten dhe do ta pastrojë plotësisht lëmin e tij; grurin e tij do ta mbledhë në hambar, por bykun do ta djegë me zjarr të pashueshëm''.
Matt Alb 3:13  Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij.
Matt Alb 3:14  Por Gjoni e kundërshtoi fort duke i thënë: ''Mua më duhet të pagëzohem prej teje dhe ti po vjen tek unë?''.
Matt Alb 3:15  Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur, u tha: ''Lejo të bëhet për tani, sepse në këtë mënyrë përmbushim çdo drejtësi''. Atëherë ai e lejoi.
Matt Alb 3:16  Dhe Jezusi, sapo u pagëzua, doli nga uji; dhe ja, qiejt iu hapën, dhe ai pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si një pëllumb e duke ardhur mbi të;
Matt Alb 3:17  dhe ja një zë nga qielli që tha: ''Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur''.
Chapter 4
Matt Alb 4:1  Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte.
Matt Alb 4:2  Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria.
Matt Alb 4:3  Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: ''Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë''.
Matt Alb 4:4  Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"''.
Matt Alb 4:5  Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit
Matt Alb 4:6  dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: "Ai do t'u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur"''.
Matt Alb 4:7  Jezusi i tha: ''Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''.
Matt Alb 4:8  Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,
Matt Alb 4:9  dhe i tha: ''Unë do të t'i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron''.
Matt Alb 4:10  Atëherë Jezusi i tha: ''Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij"''.
Matt Alb 4:11  Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin.
Matt Alb 4:12  Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile.
Matt Alb 4:13  Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit,
Matt Alb 4:14  që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha:
Matt Alb 4:15  ''Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve,
Matt Alb 4:16  populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita''.
Matt Alb 4:17  Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''.
Matt Alb 4:18  Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;
Matt Alb 4:19  dhe u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''.
Matt Alb 4:20  Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.
Matt Alb 4:21  Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri.
Matt Alb 4:22  Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas.
Matt Alb 4:23  Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull.
Matt Alb 4:24  Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte.
Matt Alb 4:25  Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.
Chapter 5
Matt Alb 5:1  Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij.
Matt Alb 5:2  Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë:
Matt Alb 5:3  ''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
Matt Alb 5:4  Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
Matt Alb 5:5  Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.
Matt Alb 5:6  Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.
Matt Alb 5:7  Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë.
Matt Alb 5:8  Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë.
Matt Alb 5:9  Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë.
Matt Alb 5:10  Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve.
Matt Alb 5:11  Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.
Matt Alb 5:12  Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''.
Matt Alb 5:13  ''Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t'u hedhur dhe ta shkelin njerëzit.
Matt Alb 5:14  Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet.
Matt Alb 5:15  Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t'u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi.
Matt Alb 5:16  Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej''.
Matt Alb 5:17  ''Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, po për t'i plotësuar.
Matt Alb 5:18  Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka.
Matt Alb 5:19  Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t'u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t'i vërë në praktikë dhe do t'ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve.
Matt Alb 5:20  Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
Matt Alb 5:21  Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t'i nënshtrohet gjyqit";
Matt Alb 5:22  por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t'i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t'i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t'i thotë: "Budalla", do t'i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.
Matt Alb 5:23  Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje,
Matt Alb 5:24  lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde.
Matt Alb 5:25  Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg.
Matt Alb 5:26  Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.
Matt Alb 5:27  Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën".
Matt Alb 5:28  Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet.
Matt Alb 5:29  Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt;
Matt Alb 5:30  dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt.
Matt Alb 5:31  Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes".
Matt Alb 5:32  Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën.
Matt Alb 5:33  Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit".
Matt Alb 5:34  Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,
Matt Alb 5:35  as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.
Matt Alb 5:36  Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku;
Matt Alb 5:37  Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu.
Matt Alb 5:38  Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb".
Matt Alb 5:39  Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën,
Matt Alb 5:40  dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin.
Matt Alb 5:41  Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të.
Matt Alb 5:42  Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t'i japësh atij që të kërkon hua.
Matt Alb 5:43  Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd".
Matt Alb 5:44  Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,
Matt Alb 5:45  për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët.
Matt Alb 5:46  Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
Matt Alb 5:47  Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit?
Matt Alb 5:48  Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej''.
Chapter 6
Matt Alb 6:1  ''Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t'ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.
Matt Alb 6:2  Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
Matt Alb 6:3  Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç'bën e djathta,
Matt Alb 6:4  që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.
Matt Alb 6:5  Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t'i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
Matt Alb 6:6  Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.
Matt Alb 6:7  Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t'u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.
Matt Alb 6:8  Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t'i kërkoni.
Matt Alb 6:9  Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.
Matt Alb 6:10  Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.
Matt Alb 6:12  Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.
Matt Alb 6:13  Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".
Matt Alb 6:14  Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t'jua falë edhe juve;
Matt Alb 6:15  por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t'ua falë juve gabimet tuaja.
Matt Alb 6:16  Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t'u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.
Matt Alb 6:17  Kurse ti, kur të agjërosh, vajose kokën dhe laje fytyrën,
Matt Alb 6:18  me qëllim që të mos u tregosh njerëzve se ti agjëron, por Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, i cili shikon në fshehtësi, do ta japë shpërblimin publikisht.
Matt Alb 6:19  Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit shpërthejnë dhe vjedhin,
Matt Alb 6:20  përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin.
Matt Alb 6:21  Sepse ku është thesari juaj do të jetë edhe zemra juaj.
Matt Alb 6:22  Drita e trupit është syri; në qoftë se syri yt është i pastër, gjithë trupi yt do të jetë i ndriçuar,
Matt Alb 6:23  por në qoftë se syri yt është i lig, gjithë trupi yt do të jetë në errësirë; në qoftë se drita, pra, që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!
Matt Alb 6:24  Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t'i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.
Matt Alb 6:25  Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?
Matt Alb 6:26  Vini re zogjtë e qiellit: ata nuk mbjellin, nuk korrin dhe nuk mbledhin në hambare; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju shumë më tepër se sa ata?
Matt Alb 6:27  Dhe cili nga ju, me gjithë kujdesin e tij, mund t'i shtojë shtatit të tij qoftë edhe një kubit të vetëm?
Matt Alb 6:28  Pse shqetësoheni për veshjen tuaj? Vini re si rriten zambakët e fushës: ata nuk lodhen dhe nuk tjerrin;
Matt Alb 6:29  dhe unë, pra, po ju them se Salomoni vetë, me gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë nga ata.
Matt Alb 6:30  Tani nëse Perëndia e vesh kështu barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, vallë nuk do t'ju veshë shumë më tepër ju, njerëz besimpakë?
Matt Alb 6:31  Mos u shqetësoni, pra duke thënë: "Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?".
Matt Alb 6:32  Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.
Matt Alb 6:33  Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t'ju shtohen.
Matt Alb 6:34  Mos u brengosni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të kujdeset vetë për vete. Secilës ditë i mjafton pikëllimi i vet''.
Chapter 7
Matt Alb 7:2  Sepse ju do të gjykoheni sipas gjykimit me të cilin ju gjykoni; dhe me masën me të cilën ju masni, do t'ju masin të tjerët.
Matt Alb 7:3  Pse shikon lëmishten që është në syrin e vëllait tënd dhe nuk shikon trarin që është në syrin tënd?
Matt Alb 7:4  Ose, si mund t'i thuash vëllait tënd: "Dale të të heq lëmishten nga syri", kur ke një tra në syrin tënd?
Matt Alb 7:5  O hipokrit, hiqe më parë trarin nga syri yt dhe pastaj shiko qartë për të nxjerrë lëmishten nga syri i vëllait tënd.
Matt Alb 7:6  Mos u jepni qenve ç'është e shenjtë dhe mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen kundër jush dhe t'ju shqyejnë.
Matt Alb 7:7  Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju çelet.
Matt Alb 7:8  Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket.
Matt Alb 7:9  A ka midis jush ndonjë njeri që, po t'i kërkojë i biri bukë, t'i japë një gur?
Matt Alb 7:10  Ose po t'i kërkojë një peshk, t'i japë një gjarpër?
Matt Alb 7:11  Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.
Matt Alb 7:12  Gjithçka, pra, që ju dëshironi t'ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre, sepse ky është ligji dhe profetët.
Matt Alb 7:13  Hyni nga dera e ngushtë, sepse e gjërë është dera dhe e hapur është udha që të çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të.
Matt Alb 7:14  Përkundrazi sa e ngushtë është dera dhe sa e vështirë është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!
Matt Alb 7:15  Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.
Matt Alb 7:16  Ju do t'i njihni nga frytet e tyre. A vilet vallë rrush nga ferrat ose fiq nga murrizat?
Matt Alb 7:17  Kështu çdo dru i mirë jep fryte të mira; por druri i keq prodhon fryte të këqija.
Matt Alb 7:18  Një dru i mirë nuk mund të japë fryte të këqija, as një dru i keq të japë fryte të mira.
Matt Alb 7:19  Çdo dru që nuk jep fryt të mirë pritet dhe hidhet në zjarr.
Matt Alb 7:20  Ju, pra, do t'i njihni profetët nga frytet e tyre.
Matt Alb 7:21  Jo çdo njeri që më thotë: "Zot, Zot" do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej.
Matt Alb 7:22  Shumë do të më thonë atë ditë: "O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?".
Matt Alb 7:23  Dhe atëherë unë do t'u sqaroj atyre: "Unë s'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi".
Matt Alb 7:24  Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb.
Matt Alb 7:25  Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
Matt Alb 7:26  Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë.
Matt Alb 7:27  Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh''.
Matt Alb 7:28  Tani kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat mbetën të habitura nga doktrina e tij,
Matt Alb 7:29  sepse ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët.
Chapter 8
Matt Alb 8:1  Tani kur Jezusi zbriti nga mali, turma të mëdha e ndiqnin.
Matt Alb 8:2  Dhe ja, një lebroz erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh''.
Matt Alb 8:3  Jezusi e shtriu dorën, e preku dhe i tha: ''Po, unë dua, shërohu''. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij.
Matt Alb 8:4  Atëherë Jezusi i tha: ''Ruhu se ia tregon kujt; por shko, paraqitu te prifti, bëj flijimin që ka urdhëruar Moisiu, me qëllim që kjo të jetë dëshmi për ta''.
Matt Alb 8:5  Kur Jezusi hyri në Kapernaum i erdhi një centurion duke iu lutur,
Matt Alb 8:6  dhe duke thënë: ''O Zot, shërbëtori im rri shtrirë në shtëpi i paralizuar dhe po vuan shumë''.
Matt Alb 8:7  Dhe Jezusi i tha: ''Do të vij dhe do ta shëroj''.
Matt Alb 8:8  Centurioni duke u përgjigjur i tha: ''Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
Matt Alb 8:9  Sepse unë jam një njeri nën urdhërin e të tjerëve, dhe i kam ushtarët nën vete; dhe, po t'i them dikujt: "Shko", ai shkon; dhe po t'i them një tjetri: "Eja", ai vjen; dhe po t'i them shërbëtorit tim: "Bëje këtë", ai e bën''.
Matt Alb 8:10  Dhe Jezusi, kur i dëgjoi këto gjëra, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: ''Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.
Matt Alb 8:11  Unë po ju them se shumë do të vijnë nga lindja dhe nga perëndimi dhe do të ulen në tryezë me Abrahamin, me Isaakun dhe me Jakobin, në mbretërinë e qiejve,
Matt Alb 8:12  por bijtë e mbretërisë do të flaken në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllimi dhëmbëve''.
Matt Alb 8:13  Dhe Jezusi i tha centurionit: ''Shko dhe u bëftë ashtu si besove!''. Dhe shërbëtori i tij u shërua që në atë çast.
Matt Alb 8:14  Pastaj Jezusi hyri në shtëpinë e Pjetrit dhe pa që e vjehrra ishte në shtrat me ethe.
Matt Alb 8:15  Dhe ai ia preku dorën dhe ethet e lanë; dhe ajo u ngrit dhe nisi t'u shërbejë.
Matt Alb 8:16  Dhe kur u ngrys, i sollën shumë të pushtuar nga demonë; dhe ai, me fjalë, i dëboi frymërat dhe i shëroi të gjithë të sëmurët,
Matt Alb 8:17  që kështu të përmbushej fjala e profetit Isaia kur tha: ''Ai i mori lëngatat tona dhe i mbarti sëmundjet tona''.
Matt Alb 8:18  Tani Jezusi, duke parë rreth tij turma të mëdha, urdhëroi që të kalonin në bregun tjetër.
Matt Alb 8:19  Atëherë një skrib iu afrua dhe i tha: ''Mësues, unë do të ndjek kudo që të shkosh''.
Matt Alb 8:20  Dhe Jezusi i tha: ''Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën''.
Matt Alb 8:21  Pastaj një tjetër nga dishepujt e tij i tha: ''O Zot, më jep më parë leje të shkoj të varros atin tim''.
Matt Alb 8:22  Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet''.
Matt Alb 8:23  Dhe mbasi ai hipi në barkë, dishepujt e tij e ndiqnin.
Matt Alb 8:24  Dhe ja, që u ngrit në det një stuhi aq e madhe, sa valët po e mbulonin barkën, por ai flinte.
Matt Alb 8:25  Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe e zgjuan duke i thënë: ''O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!''
Matt Alb 8:26  Por ai u tha atyre: ''Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?''. Dhe, pasi u ngrit, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
Matt Alb 8:27  Atëherë njërëzit u mrekulluan dhe thoshnin: ''Kush është ky, të cilit po i binden deti dhe erërat?''.
Matt Alb 8:28  Dhe kur arriti në bregun tjetër, në krahinën e Gergesenasve, i dolën para dy të demonizuar, që kishin dalë nga varret, dhe ishin aq të tërbuar sa që askush nuk mund të kalonte në atë udhë.
Matt Alb 8:29  Dhe ja, ata filluan të bërtasin duke thënë: ''Ç'është mes nesh dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë? Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?''.
Matt Alb 8:30  Jo larg tyre një tufë e madhe derrash po kulloste.
Matt Alb 8:31  Dhe demonët iu lutën duke i thënë: ''Në qoftë se na dëbon, na lejo të shkojmë në atë tufë derrash''.
Matt Alb 8:32  Dhe ai u tha atyre: ''Shkoni!''. Kështu ata, pasi dolën, hynë në atë tufë derrash; dhe ja, gjithë ajo tufë u hodh nga gremina në det, dhe u mbyt në ujë.
Matt Alb 8:33  Dhe ata që i kullotnin ikën dhe, kur shkuan në qytet, i treguan të gjitha këto gjëra, duke përfshirë ngjarjen e të demonizuarve.
Matt Alb 8:34  Dhe ja, gjithë qyteti i doli para Jezusit; dhe, kur e panë, iu lutën që të largohej prej vendit të tyre.
Chapter 9
Matt Alb 9:1  Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet.
Matt Alb 9:2  Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: ''Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!''
Matt Alb 9:3  Atëherë disa skribë thanë me vete: ''Ky po blasfemon!''.
Matt Alb 9:4  Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: ''Pse mendoni gjëra të mbrapështa në zemrat tuaja?
Matt Alb 9:5  Në fakt, ç'është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"?
Matt Alb 9:6  Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde''.
Matt Alb 9:7  Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet.
Matt Alb 9:8  Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve.
Matt Alb 9:9  Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe ai u çua dhe e ndoqi.
Matt Alb 9:10  Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij.
Matt Alb 9:11  Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ''Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?''.
Matt Alb 9:12  Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët.
Matt Alb 9:13  Tani shkoni dhe mësoni ç'do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët''.
Matt Alb 9:14  Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: ''Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?''.
Matt Alb 9:15  Dhe Jezusi u tha atyre: ''A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndërri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t'ua marrin dhëndërrin dhe atëherë ata do të agjërojnë.
Matt Alb 9:16  Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe.
Matt Alb 9:17  Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy''.
Matt Alb 9:18  Ndërsa Jezusi u thoshte këto, iu afrua një nga krerët e sinagogës, ra përmbys para tij, dhe i tha: ''Sapo më vdiq vajza, por eja, vëre dorën mbi të dhe ajo do të jetojë''.
Matt Alb 9:19  Dhe Jezusi u ngrit dhe e ndoqi bashkë me dishepujt e tij.
Matt Alb 9:20  Dhe ja një grua, e cila vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga një fluks gjaku, iu afrua nga mbrapa dhe i preku cepin e rrobes së tij.
Matt Alb 9:21  Sepse thoshte me vete: ''Po të prek vetëm rroben e tij, do të shërohem''.
Matt Alb 9:22  Jezusi u kthye, e pa dhe tha: ''Merr zemër, o bijë; besimi yt të ka shëruar''. Dhe që në atë çast gruaja u shërua.
Matt Alb 9:23  Kur Jezusi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën që zhurmonte,
Matt Alb 9:24  u tha atyre: ''Largohuni, sepse vajza nuk ka vdekur, por fle''. Dhe ata e përqeshnin.
Matt Alb 9:25  Pastaj, kur turmën e nxorën jashtë, ai hyri, e zuri për dore vajzën dhe ajo u ngrit.
Matt Alb 9:26  Fama e kësaj u përhap në mbarë atë vend.
Matt Alb 9:27  Dhe ndërsa Jezusi po largohej prej andej, dy të verbër e ndiqnin duke bërtitur dhe duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Bir i Davidit!''.
Matt Alb 9:28  Kur arriti në shtëpi, të verbërit iu afruan dhe Jezusi u tha atyre: ''A besoni ju se unë mund ta bëj këtë gjë?''. Ata iu përgjigjën: ''Po, o Zot''.
Matt Alb 9:29  Atëherë ai ua preku sytë, duke thënë: ''U bëftë sipas besimit tuaj''.
Matt Alb 9:30  Dhe atyre iu hapën sytë. Pastaj Jezusi i urdhëroi rreptësisht duke thënë: ''Ruhuni se mos e merr vesh njeri''.
Matt Alb 9:31  Por ata, sapo dolën, e përhapën famën e tij në mbarë atë vend.
Matt Alb 9:32  Dhe, kur ata po dilnin, i paraqitën një burrë memec dhe të demonizuar.
Matt Alb 9:33  Dhe, mbasi e dëboi demonin, memeci foli dhe turmat u çuditën dhe thanë: ''Nuk është parë kurrë një gjë e tillë në Izrael''.
Matt Alb 9:34  Por farisenjtë thonin: ''Ai i dëbon demonët me ndihmën e princit të demonëve!''.
Matt Alb 9:35  Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.
Matt Alb 9:36  Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.
Matt Alb 9:37  Atëherë ai u tha dishepujve të vet: ''E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.
Matt Alb 9:38  Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij''.
Chapter 10
Matt Alb 10:1  Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t'i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.
Matt Alb 10:2  Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;
Matt Alb 10:3  Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;
Matt Alb 10:4  Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.
Matt Alb 10:5  Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: ''Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,
Matt Alb 10:6  por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
Matt Alb 10:7  Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".
Matt Alb 10:8  Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.
Matt Alb 10:9  Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,
Matt Alb 10:10  as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.
Matt Alb 10:11  Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.
Matt Alb 10:13  Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.
Matt Alb 10:14  Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.
Matt Alb 10:15  Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.
Matt Alb 10:16  Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.
Matt Alb 10:17  Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t'ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.
Matt Alb 10:18  Dhe do t'ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.
Matt Alb 10:19  Dhe, kur t'ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t'ju jepet se çfarë duhet të thoni;
Matt Alb 10:20  sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.
Matt Alb 10:21  Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t'i vrasin.
Matt Alb 10:22  Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.
Matt Alb 10:23  Por kur do t'ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.
Matt Alb 10:24  Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.
Matt Alb 10:25  I mjafton dishepullit të bëhet si mësuesi i tij dhe shërbëtorit të bëhet si zotëria e tij. Në se të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t'i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!
Matt Alb 10:26  Mos ia kini frikën pra, sepse nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.
Matt Alb 10:27  Atë që unë ju them në terr, e thoni në dritë; dhe atë që dëgjoni të thënë në vesh, predikojeni mbi çatitë.
Matt Alb 10:28  Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t'ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.
Matt Alb 10:29  A nuk shiten vallë dy harabela për një aspër? Dhe, megjithatë asnjë prej tyre nuk bie për tokë pa dashjen e Atit tuaj.
Matt Alb 10:30  Sa për ju, madje edhe të gjitha fijet e flokëve të kokës suaj janë të numëruara.
Matt Alb 10:31  Mos kini frikë, pra; ju vleni më tepër se shumë harabela.
Matt Alb 10:32  Prandaj kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, dhe unë do ta rrëfejë përpara Atit tim që është në qiej.
Matt Alb 10:33  Por kushdo që do të më mohojë përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj përpara Atit tim që është në qiej''.
Matt Alb 10:34  ''Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.
Matt Alb 10:35  Sepse unë erdha ta ndaj birin nga ati, bijën nga nëna, nusen nga vjehrra,
Matt Alb 10:36  dhe armiqt e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet.
Matt Alb 10:37  Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua.
Matt Alb 10:38  Dhe ai që nuk e merr kryqin e vet dhe nuk vjen pas meje, nuk është i denjë për mua.
Matt Alb 10:39  Kush do të gjejë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë përsëri.
Matt Alb 10:40  Ai që ju pranon, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar.
Matt Alb 10:41  Ai që pranon një profet në emër të një profeti, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; dhe ai që pranon të drejtin në emër të të drejtit, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit.
Matt Alb 10:42  Dhe kushdo që i jep për të pirë qoftë edhe vetëm një gotë uji të freskët ndonjërit prej këtyre të vegjëlve në emër të një dishepulli, në të vërtetë ju them, që ai nuk do të humbë aspak shpërblimin e tij''.
Chapter 11
Matt Alb 11:1  Mbasi Jezusi përfundoi dhënien e porosive të tij dymbëdhjetë dishepujve të vet, u largua nga ai vend, për të mësuar dhe për të predikuar në qytetet e tyre.
Matt Alb 11:2  Por Gjoni, që kishte dëgjuar në burg të flitej për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet për t'i thënë:
Matt Alb 11:3  ''A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?''
Matt Alb 11:4  Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Shkoni dhe i tregoni Gjonit gjërat që dëgjoni dhe shikoni:
Matt Alb 11:5  Të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve.
Matt Alb 11:6  Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!''.
Matt Alb 11:7  Dhe kur ata po largoheshin, Jezusi nisi t'u thotë turmave për Gjonin: ''Çfarë keni dalë të shikoni në shkretëtirë? Kallamin që e tund era?
Matt Alb 11:8  Por çfarë keni dalë të shikoni? Njeriun e mbështjellur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të buta banojnë në pallatet mbretërore.
Matt Alb 11:9  Atëherë, pra, ç'dolët të shikoni? Një profet? Po, ju them: ai është më shumë se një profet.
Matt Alb 11:10  Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: "Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate; ai do ta bëjë gati rrugën tënde para teje".
Matt Alb 11:11  Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai.
Matt Alb 11:12  Dhe qysh nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tash mbretëria e qiejve po pëson dhunë dhe të dhunshmit e grabitën.
Matt Alb 11:13  Sepse të gjithë profetët dhe ligji kanë profetizuar deri te Gjoni.
Matt Alb 11:14  Dhe, në daçi ta pranoni, ai është Elia, që duhej të vijë.
Matt Alb 11:15  Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!
Matt Alb 11:16  Por me kë ta krahasoj këtë brez? Ai u ngjan fëmijëve që rrinë në sheshe dhe u drejtohen shokëve të tyre
Matt Alb 11:17  duke thënë: "Ne i kemi rënë fyellit për ju dhe ju nuk kërcyet; nisëm vajin dhe ju nuk u brengosët".
Matt Alb 11:18  Pra, erdhi Gjoni që as hante, as pinte, dhe ata thonë: "Ai ka një demon".
Matt Alb 11:19  Erdhi Biri i njeriut, që ha dhe pi dhe ata thonë: "Ja një grykës dhe një pijanec, miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve". Por dituria është justifikuar nga bijtë e vet''.
Matt Alb 11:20  Atëherë ai nisi t'i qortojë ato qytete, ku ishte kryer pjesa më e madhe e veprave të fuqishme të tij, sepse ato nuk ishin penduar duke thënë:
Matt Alb 11:21  ''Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse, në se në Tiro dhe në Sidon do të ishin kryer veprat e fuqishme që u bënë ndër ju, prej kohësh do të ishin penduar me thes dhe hi.
Matt Alb 11:22  Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit, Tiro dhe Sidoni do të trajtohen me më shumë tolerancë se ju.
Matt Alb 11:23  Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse në se do të ishin kryer në Sodomë veprat të fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite.
Matt Alb 11:24  Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit fati i vendit të Sodomës do të jetë më i lehtë se yti''.
Matt Alb 11:25  Në atë kohë Jezusi nisi të thotë: ''Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut, sepse ua fshehe këto gjëra të urtit dhe të mençurit, dhe ua zbulove fëmijëve të vegjël.
Matt Alb 11:27  Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t'ia zbulojë.
Matt Alb 11:28  Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t'ju jap çlodhje.
Matt Alb 11:29  Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.
Matt Alb 11:30  Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!''.
Chapter 12
Matt Alb 12:1  Në atë kohë Jezusi po ecte një të shtunë nëpër arat me grurë; dhe dishepujt e vet, të uritur, filluan të këpusin kallinj dhe t'i hanë.
Matt Alb 12:2  Por farisenjtë, kur panë këtë, i thanë: ''Ja, dishepujt e tu po bëjnë atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën''.
Matt Alb 12:3  Dhe ai u tha atyre: ''A nuk keni lexuar vallë se ç'bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të?
Matt Alb 12:4  Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t'i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?
Matt Alb 12:5  Apo nuk keni lexuar në ligj që në tempull, të shtunave, priftërinjtë e shkelin të shtunën dhe megjithatë nuk mëkatojnë?
Matt Alb 12:6  Dhe unë po ju them se këtu është një më i madh se tempulli.
Matt Alb 12:7  Dhe, po të dinit se çfarë do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime", nuk do të kishit dënuar të pafajshmit.
Matt Alb 12:8  Sepse Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës''.
Matt Alb 12:9  Pastaj, mbasi u largua që andej, hyri në sinagogën e tyre;
Matt Alb 12:10  dhe ja, aty ishte një burrë të cilit i qe tharë dora. Ata e pyetën Jezusin, me qëllim që ta padisin më pas: ''A është e lejueshme që dikush të shërojë ditën e shtunë?''.
Matt Alb 12:11  Dhe ai u tha atyre: ''A ka ndonjë prej jush që ka një dele, dhe ajo bie në një gropë ditën e shtunë, dhe e ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?
Matt Alb 12:12  E, pra, sa më i vlefshëm është njeriu se delja! A është, pra, e lejueshme të bësh të mirën të shtunën?''.
Matt Alb 12:13  Atëherë ai i tha atij burri: ''Shtrije dorën tënde!''. Dhe ai e shtriu dhe ajo iu shëndosh si tjetra.
Matt Alb 12:14  Por farisenjtë, mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.
Matt Alb 12:15  Por kur Jezusi e mori vesh u largua prej andej dhe turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi të gjithë,
Matt Alb 12:16  dhe i urdhëroi ata rreptësisht të mos thonin kush ishte ai,
Matt Alb 12:17  me qëllim që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia që thotë:
Matt Alb 12:18  ''Ja shërbëtori im, që unë e zgjodha; i dashuri im, në të cilin shpirti im është i kënaqur. Unë do ta vë Frymën tim mbi të dhe ai do t'u shpall drejtësinë popujve.
Matt Alb 12:19  Ai nuk do të zihet dhe as nuk do të bërtasë dhe askush nuk do t'ia dëgjojë zërin e tij nëpër sheshe.
Matt Alb 12:20  Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym, deri sa të mos e ketë bërë të triumfojë drejtësinë.
Matt Alb 12:21  Dhe njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij''.
Matt Alb 12:22  Atëherë i paraqitën një të idemonizuar, që ishte i verbër dhe memec; dhe ai e shëroi, kështu që i verbëri e memeci fliste dhe shikonte.
Matt Alb 12:23  Dhe mbarë turmat çuditeshin dhe thonin: ''A mos është ky i Biri i Davidit?''.
Matt Alb 12:24  Por farisenjtë, kur e dëgjuan këtë, thanë: ''Ky i dëbon demonët vetëm me fuqinë e Beelzebubit, princit të demonëve''.
Matt Alb 12:25  Dhe Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, u tha: ''Çdo mbretëri, që përçahet në vetvete, shkon drejt shkatërrimit; dhe çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk shkon gjatë.
Matt Alb 12:26  Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanë, ai është përçarë në vetvete, dhe si mund të qëndrojë mbretëria e tij?
Matt Alb 12:27  Dhe në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebubit, me ndihmën e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Prandaj ata do të jenë gjykatësit tuaj.
Matt Alb 12:28  Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj.
Matt Alb 12:29  Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fuqishmit dhe t'i grabisë pasurinë, po të mos e ketë lidhur më parë të fuqishmin? Vetëm atëherë ai do të mund t'ia plaçkisë shtëpinë.
Matt Alb 12:30  Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh.
Matt Alb 12:31  Prandaj unë po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet atyre.
Matt Alb 12:32  Dhe kushdo që flet kundër Birit të njeriut do të falet; por ai që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do të falet as në këtë botë as në atë të ardhme''.
Matt Alb 12:33  ''Ose bëjeni të mirë pemën dhe fryti i saj do të jetë i mirë, ose bëjeni të keqe pemën dhe fryti i saj do të jetë i keq; sepse pema njihet nga fryti.
Matt Alb 12:34  O pjellë nepërkash! Si mund të flisni mirë, kur jeni të këqij? Sepse ç'ka zemra qet goja.
Matt Alb 12:35  Njeriu i mirë nga thesari i mirë i zemrës nxjerr gjëra të mira; por njeriu i keq nxjerr gjëra të këqija nga thesari i tij i keq.
Matt Alb 12:36  Por unë po ju them se ditën e gjyqit njërëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.
Matt Alb 12:37  Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh''.
Matt Alb 12:38  Atëherë disa skribë dhe farisenj e pyetën duke thënë: ''Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje''.
Matt Alb 12:39  Por ai duke iu përgjigjur u tha atyre: ''Ky brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por asnjë shenjë nuk do t'i jepet, përveç shenjës së profetit Jona.
Matt Alb 12:40  Në fakt ashtu si Jona qëndroi tri ditë e tri net në barkun e peshkut të madh, kështu Biri i njeriut do të qëndrojë tri ditë e tri net në zemër të tokës.
Matt Alb 12:41  Banorët e Ninivit do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan me predikimin e Jonas; dhe ja, këtu është një më i madh se Jona.
Matt Alb 12:42  Mbretëresha e jugut do të ringjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi nga skaji më i largët i tokës për të dëgjuar diturinë e Salomonit; dhe ja, këtu është një më i madh se Salomoni.
Matt Alb 12:43  Tani kur fryma e ndyrë ka dalë nga një njeri, endet nëpër vende të thata, duke kërkuar qetësi, por nuk e gjen.
Matt Alb 12:44  Atëherë thotë: "Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë"; po kur arrin e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar;
Matt Alb 12:45  atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja. Kështu do t'i ndodhë edhe këtij brezi të mbrapshtë''.
Matt Alb 12:46  Ndërsa ai vazhdonte t'u fliste turmave, ja nëna e tij dhe vëllezërit e tij po rrinin jashtë dhe kërkonin të flisnin me të.
Matt Alb 12:47  Dhe dikush i tha: ''Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu janë atje jashtë dhe duan të flasin me ty''.
Matt Alb 12:48  Por ai duke iu përgjigjur, i tha atij që e kishte lajmëruar: ''Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?''.
Matt Alb 12:49  E shtriu dorën e vet drejt dishepujve të vet dhe tha: ''Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
Matt Alb 12:50  Sepse kushdo që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej, më është vëlla, motër dhe nënë''.
Chapter 13
Matt Alb 13:1  Tani po atë ditë, Jezusi doli nga shtëpia dhe u ul në breg të detit.
Matt Alb 13:2  Turma të mëdha u mblodhën rreth tij kështu që ai hipi mbi një barkë dhe u ul; dhe gjithë populli rrinte në këmbë në breg.
Matt Alb 13:3  Dhe ai u paraqiti shumë gjëra në shëmbëlltyrë, duke thënë: ''Ja, një mbjellës doli për të mbjellë.
Matt Alb 13:4  Ndërsa po mbillte, një pjesë e farës ra përgjatë rrugës; dhe zogjtë erdhën dhe e hëngrën.
Matt Alb 13:5  Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë tokë, dhe mbiu shpejt sepse terreni nuk ishte i thellë;
Matt Alb 13:6  por kur doli dielli u fishk dhe u tha sepse s'kishte rrënjë.
Matt Alb 13:7  Një pjesë tjetër ra midis ferrave dhe ferrat u rritën dhe ia zunë frymën.
Matt Alb 13:8  Një tjetër ra në tokë të mirë dhe dha fryt duke dhënë njëra njëqindfish, tjetra gjashtëdhjetëfish dhe tjetra tridhjetëfish.
Matt Alb 13:9  Kush ka vesh për të dëgjuar, le të dëgjojë!''.
Matt Alb 13:10  Atëherë dishepujt iu afruan dhe i thanë: ''Pse po u flet atyre me shëmbëlltyrë?''.
Matt Alb 13:11  Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Sepse juve ju është dhënë mundësia të njihni të fshehtat e mbretërisë së qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.
Matt Alb 13:12  Sepse atij që ka, do t'i jepet dhe do të ketë bollëk; ndërsa atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka.
Matt Alb 13:13  Prandaj unë u flas atyre me shëmbëll-tyrë, sepse duke parë nuk shohin, dhe duke dëgjuar nuk dëgjojnë as nuk kuptojnë.
Matt Alb 13:14  Kështu ndër ta përmbushet profecia e Isaias, që thotë: "Ju do të dëgjoni, por nuk do të kuptoni, do të vështroni, por nuk do të shikoni.
Matt Alb 13:15  Sepse zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme, ata janë bërë të rëndë nga veshët dhe kanë mbyllur sytë, që nuk shohin me sy dhe nuk dëgjojnë me vesh, dhe nuk gjykojnë me zemër dhe nuk kthehen, dhe unë t'i shëroj.
Matt Alb 13:16  Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë.
Matt Alb 13:17  Sepse në të vërtetë ju them se shumë profetë dhe të drejtë deshën t'i shohin gjërat që ju po shihni dhe nuk i panë, dhe t'i dëgjojnë gjërat që ju dëgjoni dhe nuk i dëgjuan!
Matt Alb 13:18  Juve pra kuptoni shëmbëlltyrën e mbjellësit.
Matt Alb 13:19  Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij. Ky është ai njeri që ka marrë fara përgjatë rrugës.
Matt Alb 13:20  Dhe ai që ka marrë farën nëpër gurishte, është ai që dëgjon fjalën dhe e pranon menjëherë me gëzim;
Matt Alb 13:21  por, nuk ka rrënjë në vete, dhe është për pak kohë; dhe kur vijnë mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohet menjëherë.
Matt Alb 13:22  Dhe ai që ka marrë farën midis ferrave është ai që e dëgjon fjalën, por shqetësimet e kësaj bote dhe mashtrimet e pasurisë ia mbysin fjalën; dhe ajo bëhet e pafrytshme.
Matt Alb 13:23  Por ai që merr farën në tokë të mirë, është ai që e dëgjon fjalën, e kupton dhe jep fryt; dhe prodhon njëri njëqindfish, tjetri gjashtëdhjetëfish dhe tjetri tridhjetëfish.
Matt Alb 13:24  Ai u propozoi atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e vet.
Matt Alb 13:25  Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku.
Matt Alb 13:26  Kur më pas gruri u rrit dhe jepte fryt u duk edhe egjra.
Matt Alb 13:27  Dhe shërbëtorët e padronit të shtëpisë iu afruan atij dhe i thanë: "Zot, a nuk ke mbjellë farë të mirë në arën tënde? Vallë nga doli egjra?
Matt Alb 13:28  Dhe ai u tha atyre: "Këtë e ka bërë armiku". Atëherë shërbëtorët i thanë: "A do ti të shkojmë e ta shkulim?".
Matt Alb 13:29  Por ai tha: "Jo, kam frikë se, duke shkulur egjrën, bashkë me të, do të shkulni edhe grurin.
Matt Alb 13:30  I lini të rriten bashkë deri në të korra. Në kohën e korrjes unë do t'u them korrësve: Mblidhni më parë egjrën, lidheni në duaj për ta djegur; por grurin futeni në hambarin tim"''.
Matt Alb 13:31  Ai u proposoi atyre një shëmbëlltyre tjetër duke thënë: ''Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet.
Matt Alb 13:32  Ajo, pa dyshim, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se të gjitha barishtet, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj''.
Matt Alb 13:33  Ai u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: ''Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e merr një grua dhe zë brumë me tri masa miell deri sa brumi të mbruhet plotësisht''.
Matt Alb 13:34  Jezusi ua tha turmave të gjitha këto gjëra në shëmbëlltyra; dhe u fliste atyre vetëm në shëmbëlltyra,
Matt Alb 13:35  që të përmbushej ç'është e thënë nëpërmjet profetit: ''Unë do të hap gojën time në shëmbëlltyra dhe do të zbuloj gjëra të fshehura që nga themelimi i botës''.
Matt Alb 13:36  Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: ''Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë''.
Matt Alb 13:37  Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut.
Matt Alb 13:38  Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut,
Matt Alb 13:39  dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt.
Matt Alb 13:40  Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës.
Matt Alb 13:41  Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi,
Matt Alb 13:42  dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.
Matt Alb 13:43  Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!''.
Matt Alb 13:44  ''Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.
Matt Alb 13:45  Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur.
Matt Alb 13:46  Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen.
Matt Alb 13:47  Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash.
Matt Alb 13:48  Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç'është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë.
Matt Alb 13:49  Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t'i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët;
Matt Alb 13:50  dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh''.
Matt Alb 13:51  Jezusi u tha atyre: ''A i kuptuat të gjitha këto?''. Ata i thanë: ''Po, Zot''.
Matt Alb 13:52  Dhe ai u tha atyre: ''Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra''.
Matt Alb 13:53  Tani kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, u largua që andej.
Matt Alb 13:54  Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thonin: ''Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme?
Matt Alb 13:55  A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda?
Matt Alb 13:56  Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?''.
Matt Alb 13:57  Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: ''Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet''.
Matt Alb 13:58  Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.
Chapter 14
Matt Alb 14:1  Në atë kohë Herodi, tetrarku, mori vesh famën e Jezusit,
Matt Alb 14:2  dhe u tha shërbëtorëve të vet: ''Ky është Gjon Pagëzori; ai u ngjall së vdekuri dhe prandaj fuqitë e mbinatyrshme veprojnë në të''.
Matt Alb 14:3  Herodi, në fakt, e kishte arrestuar Gjonin, i kishte hedhur prangat dhe e kishte futur në burg, për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të vet.
Matt Alb 14:4  Sepse Gjoni i thoshte: ''Nuk është e lejueshme të bashkëjetosh me të!''.
Matt Alb 14:5  Dhe, ndonëse donte ta vriste, Herodi kishte frikë nga populli që e konsideronte Gjonin profet.
Matt Alb 14:6  Kur po festohej ditëlindja e Herodit, e bija e Herodiadës vallëzoi përpara tij dhe i pëlqeu Herodit
Matt Alb 14:7  aq shumë, sa ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që t'i kërkonte.
Matt Alb 14:8  Dhe ajo, e shtyrë nga e ëma, tha: ''Ma jep këtu, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit''.
Matt Alb 14:9  Mbretit i erdhi keq, po për shkak të betimit dhe të ftuarve që ishin me të në tryezë, urdhëroi që t'ia japin.
Matt Alb 14:10  Kështu dërgoi dikë për t'i prerë kokën Gjon Pagëzorit në burg;
Matt Alb 14:11  dhe kokën e tij e prunë mbi një pjatë dhe ia dhanë vajzës; ajo ia çoi s'ëmës.
Matt Alb 14:12  Pastaj erdhën dishepujt e tij, e morën trupin dhe e varrosën, mandej ata shkuan dhe ia treguan ngjarjen Jezusit.
Matt Alb 14:13  Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.
Matt Alb 14:14  Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.
Matt Alb 14:15  Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime''.
Matt Alb 14:16  Por Jezusi u tha atyre: ''Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë''.
Matt Alb 14:17  Dhe ata i thanë: ''Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq''.
Matt Alb 14:19  Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.
Matt Alb 14:20  Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.
Matt Alb 14:21  Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
Matt Alb 14:22  Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, deri sa ai t'i lëshojë turmat.
Matt Alb 14:23  Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjëndej aty, i vetëm fare.
Matt Alb 14:24  Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
Matt Alb 14:25  Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
Matt Alb 14:26  Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Éshtë një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika;
Matt Alb 14:27  por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''.
Matt Alb 14:28  Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''.
Matt Alb 14:29  Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
Matt Alb 14:30  Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''.
Matt Alb 14:31  Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''.
Matt Alb 14:33  Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.
Matt Alb 14:34  Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenezaretit.
Matt Alb 14:35  Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
Matt Alb 14:36  dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.
Chapter 15
Matt Alb 15:1  Atëherë skribët dhe farisenjtë e Jeruzalemit erdhën te Jezusi dhe i thanë:
Matt Alb 15:2  ''Përse dishepujt e tu shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë''.
Matt Alb 15:3  Por ai u përgjigj dhe u tha atyre: ''Dhe ju përse shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
Matt Alb 15:4  Perëndia, në fakt, ka urdhëruar kështu: "Ndero atin dhe nënën"; dhe: "Ai që e mallkon të atin ose të ëmën të dënohet me vdekje".
Matt Alb 15:5  Kurse ju thoni: "Kushdo që i thotë atit ose nënës: "Gjithçka me të cilën mund të të mbaja i është ofruar Perëndisë",
Matt Alb 15:6  ai nuk është më i detyruar të nderojë atin e vet dhe nënën e vet. Kështu ju keni prapësuar urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
Matt Alb 15:7  Hipokritë, mirë profetizoi Isaia për ju kur tha:
Matt Alb 15:8  "Ky popull po më afrohet me gojë dhe më nderon me buzët; por zemra e tyre rri larg meje.
Matt Alb 15:9  Dhe më kot më nderojnë, duke i mësuar doktrina që janë urdhërime nga njerëzit"''.
Matt Alb 15:10  Pastaj e thirri turmën pranë tij dhe u tha atyre: ''Dëgjoni dhe kuptoni:
Matt Alb 15:11  Njeriun nuk e ndot çfarë i hyn në gojë, por ajo që del nga goja e tij e ndot njeriun''.
Matt Alb 15:12  Atëherë dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: ''A e di se farisenjtë, kur i dëgjuan këto fjalë u skandalizuan?''.
Matt Alb 15:13  Por ai duke u përgjigjur u tha: ''Çdo bimë që Ati im qiellor nuk e ka mbjellë, do të shkulet me rrënjë.
Matt Alb 15:14  Hiqni dorë prej tyre; ata janë të verbër, prijës të verbërish; dhe në qoftë se një i verbër i prin një të verbëri tjetër, të dy do të bien në gropë''.
Matt Alb 15:15  Atëherë Pjetri iu përgjigj dhe i tha: ''Na e shpjego këtë shëmbëlltyrë''.
Matt Alb 15:16  Dhe Jezusi tha: ''As juve s'keni kuptuar akoma?
Matt Alb 15:17  A nuk e kuptoni se çdo gjë që hyn në gojë kalon në bark dhe jashtëqitet në gjiriz?
Matt Alb 15:18  Por gjërat që dalin nga goja, dalin nga zemra; dhe ato ndotin njeriun.
Matt Alb 15:19  Sepse nga zemra dalin mendimet e mbrapshta, vrasjet, shkeljet e kurorës; kurvëria, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë.
Matt Alb 15:20  Këto janë gjërat që e ndotin njeriun, kurse të hash pa i larë duart nuk e ndot njeriun''.
Matt Alb 15:21  Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
Matt Alb 15:22  Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: ''Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!''.
Matt Alb 15:23  Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: ''Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh''.
Matt Alb 15:24  Por ai u përgjigj dhe tha: ''Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit''.
Matt Alb 15:25  Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: ''O Zot, ndihmomë!''.
Matt Alb 15:26  Ai u përgjigj, duke thënë: ''Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve''.
Matt Alb 15:27  Por ajo tha: ''Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre''.
Matt Alb 15:28  Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: ''O grua, i madh është besimi yt! T'u bëftë ashtu si dëshiron''. Dhe që në atë çast e bija u shërua.
Matt Alb 15:29  Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.
Matt Alb 15:30  Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.
Matt Alb 15:31  Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.
Matt Alb 15:32  Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: ''Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t'i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës''.
Matt Alb 15:33  Dhe dishepujt e tij i thanë: ''Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?''.
Matt Alb 15:34  Dhe Jezusi u tha atyre: ''Sa bukë keni?''. Ata thanë: ''Shtatë dhe pak peshq të vegjël''.
Matt Alb 15:35  Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.
Matt Alb 15:36  Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.
Matt Alb 15:37  Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.
Matt Alb 15:38  Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.
Matt Alb 15:39  Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.
Chapter 16
Matt Alb 16:1  Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t'u tregojë një shenjë nga qielli.
Matt Alb 16:2  Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: ''Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq".
Matt Alb 16:3  Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës?
Matt Alb 16:4  Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t'i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona''. Dhe i la ata dhe shkoi.
Matt Alb 16:5  Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete.
Matt Alb 16:6  Dhe Jezusi u tha atyre: ''Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!''.
Matt Alb 16:7  Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: ''Se nuk kemi marrë bukë''.
Matt Alb 16:8  Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: ''O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë?
Matt Alb 16:9  Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur?
Matt Alb 16:10  Dhe të shtatë bukët për katër mijë bu-rra dhe sa kosha keni mbushur?
Matt Alb 16:11  Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?''.
Matt Alb 16:12  Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve.
Matt Alb 16:13  Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ''Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?''.
Matt Alb 16:14  Dhe ata thanë: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët''.
Matt Alb 16:15  Ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''.
Matt Alb 16:16  Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''.
Matt Alb 16:17  Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ''I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
Matt Alb 16:18  Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
Matt Alb 16:19  Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej''.
Matt Alb 16:20  Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.
Matt Alb 16:21  Që nga ai çast Jezusi filloi t'u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.
Matt Alb 16:22  Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ''O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë''.
Matt Alb 16:23  Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ''Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s'ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve''.
Matt Alb 16:24  Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.
Matt Alb 16:25  Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.
Matt Alb 16:26  Ç'përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?
Matt Alb 16:27  Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.
Matt Alb 16:28  Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet''.
Chapter 17
Matt Alb 17:1  Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
Matt Alb 17:2  dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
Matt Alb 17:3  Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
Matt Alb 17:4  Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: ''Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian''.
Matt Alb 17:5  Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: ''Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!''.
Matt Alb 17:6  Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
Matt Alb 17:7  Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: ''Çohuni dhe mos kini frikë!''.
Matt Alb 17:8  Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
Matt Alb 17:9  Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: ''Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri''.
Matt Alb 17:10  Atëherë dishepujt e tij e pyetën duke thënë: ''Vallë pse skribët thonë se duhet të vijë më parë Elia?''.
Matt Alb 17:11  Dhe Jezusi u përgjigj: ''Vërtetë Elia duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë.
Matt Alb 17:12  Por unë ju them se Elia ka ardhur dhe ata nuk e kanë njohur, madje u sollën me të si deshën; kështu edhe Birit të njeriut do t'i duhet të vuajë prej tyre''.
Matt Alb 17:13  Atëherë dishepujt e kuptuan se u kishte folur për Gjon Pagëzorin.
Matt Alb 17:14  Kur arritën afër turmës, një burrë iu afrua dhe, duke u gjunjëzuar para tij,
Matt Alb 17:15  tha: ''Zot, ki mëshirë për birin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë; shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.
Matt Alb 17:16  Tani unë e solla te dishepujt e tu, por ata nuk mundën ta shërojnë''.
Matt Alb 17:17  Dhe Jezusi duke u përgjigjur tha: ''O brez që nuk beson dhe i çoroditur! Deri kur do të qëndroj midis jush? Deri kur do t'ju duroj? E sillni këtu tek unë''.
Matt Alb 17:18  Atëherë Jezusi e qortoi demonin dhe ky doli nga djali; dhe që nga ai çast djali u shërua.
Matt Alb 17:19  Atëherë dishepujt iu afruan Jezusit mënjanë dhe i thanë: ''Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?''.
Matt Alb 17:20  Dhe Jezusi u tha atyre: ''Prej mosbesimit tuaj; sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali: "Zhvendosu nga këtu atje", dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.
Matt Alb 17:21  Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit''.
Matt Alb 17:22  Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: ''Biri i njeriut do t'u dorëzohet në duart e njerëzve,
Matt Alb 17:23  dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet''. Dhe ata u pikëlluan shumë.
Matt Alb 17:24  Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: ''Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?''.
Matt Alb 17:25  Ai tha: ''Po''. Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: ''Ç'mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?''.
Matt Alb 17:26  Pjetri i tha: ''Prej të huajve''. Jezusi tha: ''Bijtë, pra, përjashtohen.
Matt Alb 17:27  Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua''.
Chapter 18
Matt Alb 18:1  Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: ''Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?''.
Matt Alb 18:2  Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre
Matt Alb 18:3  dhe tha: ''Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
Matt Alb 18:4  Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.
Matt Alb 18:5  Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.
Matt Alb 18:6  Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t'i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit.
Matt Alb 18:7  Mjerë bota për skandalet! Sepse është nevojshëm të vijnë skandalët, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!
Matt Alb 18:8  Tani në qoftë se dora jote ose këmba jote të skandalizohet për mëkat, preje dhe flake nga vetja; është më mirë për ty të hysh në jetë dorëcung ose i çalë, se sa të kesh dy duar dhe dy këmbë dhe të hidhesh në zjarr të përjetshëm.
Matt Alb 18:9  Po ashtu, në qoftë se syri yt të skandalizohet për mëkat, nxirre dhe hidhe larg teje; është më mirë për ty të hysh në jetë vetëm me një sy se sa t'i kesh të dy dhe të të hedhin në Gehena të zjarrit.
Matt Alb 18:10  Ruhuni se përbuzni ndonjë nga këta të vegjël, sepse unë po ju them se engjëjt e tyre në qiej shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim, që është në qiej.
Matt Alb 18:11  Sepse Biri i njeriut erdhi për të shpëtuar atë që qe humbur.
Matt Alb 18:12  Si mendoni? Në qoftë se një njeri ka njëqind dele dhe njera prej tyre humb rrugën, a nuk do t'i lërë ai të nëntëdhjetë e nëntat mbi male për të kërkuar atë që humbi rrugën?
Matt Alb 18:13  Dhe në se i ndodh ta gjejë, unë ju them në të vërtetë se ai do të gëzohet më shumë për këtë, se sa për të nëntëdhjetë e nëntat që nuk kishin humbur rrugën.
Matt Alb 18:14  Kështu është dëshira e Atit tuaj që është në qiej, që asnjë nga këta të vegjël të mos humbasë''.
Matt Alb 18:15  ''Por në qoftë se vëllai yt ka mëkatuar kundër teje, shko dhe qortoje vetëm për vetëm; në qoftë se të dëgjon, ti e fitove vëllanë tënd;
Matt Alb 18:16  por në qoftë se nuk të dëgjon, merr me vete edhe një ose dy vetë, që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve.
Matt Alb 18:17  Në se pastaj refuzon t'i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës.
Matt Alb 18:18  Në të vërtetë ju them se gjitha gjërat që do të keni lidhur mbi tokë do të jenë lidhur edhe në qiell; dhe gjitha gjërat që keni zgjidhur mbi tokë do të jenë zgjidhur edhe në qiell.
Matt Alb 18:19  Po ju them gjithashtu se, në qoftë se dy prej jush bien në ujdi mbi tokë të kërkojnë çfarëdo gjëje, kjo do t'u jepet atyre nga Ati im që është në qiej.
Matt Alb 18:20  Sepse, kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre''.
Matt Alb 18:21  Atëherë Pjetri iu afrua dhe tha: ''Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?''.
Matt Alb 18:22  Jezusi i tha: ''Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
Matt Alb 18:23  Prandaj mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e vet.
Matt Alb 18:24  Mbasi filloi t'i bëjë llogaritë, i sollën një që i detyrohej dhjetë mijë talenta.
Matt Alb 18:25  Dhe, duke qenë se ky nuk kishte të paguante, zotëria e tij urdhëroi që të shitej ai me gruan e tij, bijtë e tij dhe gjithë ç'kishte, dhe të shlyejë detyrimin.
Matt Alb 18:26  Atëherë ai shërbëtor i ra ndër këmbë e i lutej duke thënë: "Zot, ki durim me mua dhe unë do t'i paguaj të gjitha".
Matt Alb 18:27  I shtyrë nga dhembshuria, zotëria e atij shërbëtori e la të lirë atë dhe ia fali detyrimin.
Matt Alb 18:28  Por ai shërbëtor, si doli, takoi një nga shërbëtorët e tjerë, që i detyrohej njëqind denarë; dhe, mbasi e zuri për fyti, po e mbyste duke thënë: "Më paguaj detyrimin që më ke".
Matt Alb 18:29  Atëherë shërbëtori shok i tij, i ra ndër këmbë dhe iu lut duke thënë: "Ki durim me mua, dhe do t'i paguaj të gjitha".
Matt Alb 18:30  Por ai nuk deshi, madje shkoi dhe e futi në burg deri sa ai ta shlyente detyrimin.
Matt Alb 18:31  Por shërbëtorët e tjerë, kur e panë ngjarjen, u pikëlluan shumë dhe shkuan e i thanë zotërisë së tyre gjithçka që kishte ndodhur.
Matt Alb 18:32  Atëherë zotëria e tij e thirri dhe i tha: "Shërbëtor i lig, unë ta fala gjithë këtë detyrim, sepse m'u lute.
Matt Alb 18:33  A nuk duhej të kishe mëshirë edhe ti për shokun tënd, ashtu si pata mëshirë unë për ty?".
Matt Alb 18:34  Dhe zotëria i tij, i zemëruar, ua dorëzoi torturuesve deri sa të paguante gjithë detyrimin.
Matt Alb 18:35  Kështu do të veprojë me ju edhe Ati im qiellor, në qoftë se secili prej jush nuk e fal me gjithë zemër vëllanë e vet për fajet e tij''.
Chapter 19
Matt Alb 19:1  Mbasi Jezusi i mbaroi këto ligjërata, u nis nga Galilea dhe erdhi në krahinën e Judesë, përtej Jordanit.
Matt Alb 19:2  Turma të mëdha e ndiqnin dhe ai i shëroi atje.
Matt Alb 19:3  Atëherë iu afruan disa farisenj për ta provokuar dhe i thanë: ''A është e lejueshme që burri ta ndajë gruan për një shkak çfarëdo?''.
Matt Alb 19:4  Dhe ai, duke u përgjigjur u tha atyre: ''A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?
Matt Alb 19:5  Dhe tha: "Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm".
Matt Alb 19:6  Dhe kështu ata nuk janë më dy, por një mish i vetëm; prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë''.
Matt Alb 19:7  Ata i thanë: ''Atëherë përse Moisiu urdhëroi të jepet letërndarja dhe të lëshohet?''.
Matt Alb 19:8  Ai u tha atyre: ''Moisiu ju lejoi t'i ndani gratë tuaja për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja, por në fillim nuk ka qenë kështu.
Matt Alb 19:9  Por unë ju them se kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën''.
Matt Alb 19:10  Dishepujt e vet i thanë: ''Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet''.
Matt Alb 19:11  Por ai u tha atyre: ''Jo të gjithë i kuptojnë këto fjalë, por atyre që iu është dhënë.
Matt Alb 19:12  Sepse ka eunukë që kanë lindur të tillë nga barku i nënës; ka eunukë që janë bërë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë që janë bërë vet eunukë për mbretërinë e qiejve. Ai që mund ta kuptojë, le ta kuptojë''.
Matt Alb 19:13  Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej, por dishepujt i qortuan.
Matt Alb 19:14  Por Jezusi tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve''.
Matt Alb 19:15  Dhe, mbasi vuri duart mbi ata, u nis që andej.
Matt Alb 19:16  Dhe ja, iu afrua dikush dhe i tha: ''Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?''.
Matt Alb 19:17  Dhe ai tha: ''Pse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi: Perëndia. Tani në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet''.
Matt Alb 19:18  Ai i tha: ''Cilat?''. Atëherë Jezusi i tha: ''Mos vraj, mos shkel kurorën, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme,
Matt Alb 19:19  ndero atin tënd dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde''.
Matt Alb 19:20  I riu i tha: ''Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?''.
Matt Alb 19:21  Jezusi i tha: ''Në qoftë se do të jesh i përsosur, shko, shit ç'të kesh, jepua të varfërve dhe ti do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja dhe më ndiq mua''.
Matt Alb 19:22  Por i riu, kur i dëgjoi këto fjalë, iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.
Matt Alb 19:23  Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.
Matt Alb 19:24  Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.
Matt Alb 19:25  Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: ''Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?''.
Matt Alb 19:26  Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: ''Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur''.
Matt Alb 19:27  Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: ''Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?''.
Matt Alb 19:28  Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
Matt Alb 19:29  Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
Matt Alb 19:30  Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët''.
Chapter 20
Matt Alb 20:1  ''Mbretëria e qiejve i ngjan, pra, një zot shtëpie, që doli herët në mëngjes për të pajtuar me mëditje punëtorë për vreshtin e vet.
Matt Alb 20:2  Mbasi ra në ujdi me punëtorët për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet.
Matt Alb 20:3  Pastaj doli rreth orës së tretë dhe pa të tjerë që rrinin në shesh, të papunë.
Matt Alb 20:4  Dhe u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe unë do t'ju jap sa është e drejtë". Dhe ata shkuan.
Matt Alb 20:5  Doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë dhe bëri po ashtu.
Matt Alb 20:6  Kur doli përsëri rreth orës njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë, të papunë, dhe u tha: "Përse rrini gjithë ditën këtu pa bërë asgjë?".
Matt Alb 20:7  Ata i thanë: "Sepse askush nuk na ka marrë me mëditje". Ai u tha atyre: "Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni aq sa është e drejtë".
Matt Alb 20:8  Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha kujdestarit të vet: "Thirri punëtorët dhe jepu mëditjen e tyre, duke filluar nga ata të fundit e deri te të parët".
Matt Alb 20:9  Dhe kur erdhën ata të orës njëmbëdhjetë, morën nga një denar secili.
Matt Alb 20:10  Kur erdhën të parët, menduan se do të merrnin më shumë, por edhe ata morën nga një denar secili.
Matt Alb 20:11  Duke e marrë, murmurisnin kundër zotit të shtëpisë,
Matt Alb 20:12  duke thënë: "Këta të fundit punuan vetëm një orë, dhe ti i trajtove si ne që hoqëm barrën dhe vapën e ditës".
Matt Alb 20:13  Por ai duke u përgjigjur i tha njerit prej tyre: "Mik, unë nuk po të ha hakun; a nuk re në ujdi me mua për një denar?
Matt Alb 20:14  Merr atë që të takon ty dhe shko; por unë dua t'i jap këtij të fundit aq sa ty.
Matt Alb 20:15  A nuk më lejohet të bëj me timen ç'të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?".
Matt Alb 20:16  Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit, sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.
Matt Alb 20:17  Pastaj, kur Jezusi po ngjitej në Jeruzalem, i mori mënjanë të dymbëdhjetë dishepujt gjatë rrugës dhe u tha atyre:
Matt Alb 20:18  ''Ja, ne ngjitemi në Jeruzalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet krerëve të priftërinjve dhe skribëve, dhe ata do ta dënojnë me vdekje.
Matt Alb 20:19  Do t'ua dorëzojnë pastaj në duart e paganëve që ta tallin, ta fshikullojnë dhe ta kryqëzojnë; por ai ditën e tretë do të ringjallet''.
Matt Alb 20:20  Atëherë nëna e bijve të Zebedeut iu afrua bashkë me bijtë e vet, ra përmbys para tij dhe i kërkoi diçka.
Matt Alb 20:21  Dhe ai i tha: ''Çfarë do?''. Ajo u përgjigj: ''Urdhëro që këta dy bijtë e mi të ulen njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën në mbretërinë tënde''.
Matt Alb 20:22  Dhe Jezusi, duke u përgjigjur tha: ''Ju nuk dini çfarë kërkoni; a mund ta pini ju kupën që unë do të pi dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem? Ata i thanë: ''Po, mundemi''.
Matt Alb 20:23  Atëherë ai u tha atyre: ''Ju me të vërtetë do ta pini kupën time dhe do të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë do të pagëzohem; por nuk është në dorën time që të uleni në të djathtën time ose në të majtën time, por u është rezervuar atyre, të cilëve u është përgatitur nga Ati im''.
Matt Alb 20:24  Kur i dëgjuan këto fjalë, të dhjetët të tjerët u indinjuan kundër të dy vëllezërve.
Matt Alb 20:25  Dhe Jezusi i thirri ata pranë vetes dhe u tha: ''Ju e dini se të parët e kombeve i sundojnë ato dhe të mëdhenjtë përdorin pushtet mbi ato,
Matt Alb 20:26  por midis jush kështu nuk do të ndodhë; madje secili prej jush që do të dojë të bëhet i madh, qoftë shërbëtori juaj;
Matt Alb 20:27  dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj.
Matt Alb 20:28  Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve.
Matt Alb 20:29  Kur po dilnin nga Jeriko, një turmë e madhe e ndoqi.
Matt Alb 20:30  Dhe ja, dy të verbër që uleshin gjatë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, filluan të bërtasin duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit''.
Matt Alb 20:31  Por turma i qortoi që të heshtnin; por ata bërtisnin edhe më fort duke thënë: ''Ki mëshirë për ne, Zot, Biri i Davidit!''.
Matt Alb 20:32  Atëherë Jezusi ndaloi, i thirri dhe tha: ''Çfarë doni të bëj për ju?''.
Matt Alb 20:34  Dhe Jezusi pati mëshirë për ta dhe ua preku sytë e tyre; dhe në atë çast u erdhi drita e syve dhe ata e ndiqnin.
Chapter 21
Matt Alb 21:1  Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj,
Matt Alb 21:2  duke u thënë atyre: ''Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m'i sillni!
Matt Alb 21:3  Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t'i kthejë shpejt''.
Matt Alb 21:4  Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç'ishtë thënë nga profeti, që thotë:
Matt Alb 21:5  ''I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë''.
Matt Alb 21:6  Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi.
Matt Alb 21:7  Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi.
Matt Alb 21:8  Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë.
Matt Alb 21:9  Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!''.
Matt Alb 21:10  Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ''Kush është ky?''.
Matt Alb 21:11  Dhe turmat thonin: ''Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë.
Matt Alb 21:12  Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.
Matt Alb 21:13  Dhe u tha atyre: ''Éshtë shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje", por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh''.
Matt Alb 21:14  Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi.
Matt Alb 21:15  Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit!'', u zemëruan,
Matt Alb 21:16  dhe i thanë: ''A po dëgjon ti çfarë thonë këta?''. Jezusi u tha atyre: ''Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?''.
Matt Alb 21:17  Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.
Matt Alb 21:18  Në mëngjes, kur po kthehej në qytet e mori uria.
Matt Alb 21:19  Dhe gjatë rrugës pa një fik dhe iu afrua, por nuk gjeti asgjë përveç gjetheve; dhe i tha: ''Mos u lidhtë më kurrë fryt prej teje përjetë!''. Dhe fiku u tha menjëherë.
Matt Alb 21:20  Kur e panë këtë, dishepujt u çuditën dhe thanë: ''Qysh u tha fiku në çast?''.
Matt Alb 21:21  Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them që, po të keni besim dhe të mos dyshoni, do të bëni jo vetëm atë që unë i bëra fikut, por, edhe sikur t'i thoni këtij mali: "Hiqu andej dhe hidhu në det", kjo do të ndodhë.
Matt Alb 21:22  Dhe gjithçka të kërkoni në lutje, duke patur besim, do të merrni''.
Matt Alb 21:23  Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: ''Me ç'pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?''.
Matt Alb 21:24  Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Edhe unë do t'ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t'ju them me ç'pushtet i kryej këto gjëra.
Matt Alb 21:25  Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?''. Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: ''Po t'i themi nga qielli, do të na thotë: "Përse atëhërë nuk i besuat?".
Matt Alb 21:26  Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet''.
Matt Alb 21:27  Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: ''Nuk e dimë''. Atëhërë ai u tha atyre: ''As unë nuk do t'ju them me ç'pushtet i bëj këto gjëra".
Matt Alb 21:28  ''Ç'mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: "Bir, shko sot të punosh në vreshtin tim";
Matt Alb 21:29  por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
Matt Alb 21:30  Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj", por nuk shkoi.
Matt Alb 21:31  Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?''. Ata i thanë: ''I pari''. Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
Matt Alb 21:32  Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t'i besuar''.
Matt Alb 21:33  ''Dëgjoni një shëmbëlltyrë tjetër: Ishte një pronar shtëpie, i cili mbolli një vresht, e rrethoi me gardh, gërmoi një vend ku të shtrydhte rrushin, ndërtoi një kullë dhe, mbasi ua besoi disa vreshtarëve, u nis në një vend të huaj.
Matt Alb 21:34  Dhe kur erdhi koha e të vjelave, ai dërgoi shërbëtorët e vet te vreshtarët, për të marrë frutat e tij,
Matt Alb 21:35  por vreshtarët i kapën shërbëtorët e tij, njërin e rrahën, një tjetër e vranë dhe një tjetër e vranë me gurë.
Matt Alb 21:36  Përsëri, ai dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, dhe këta vreshtarët i trajtuan në të njëjtën mënyrë.
Matt Alb 21:37  Më në fund ai i dërgoi atyre birin e vet duke thënë: "Për djalin tim do të kenë respekt!".
Matt Alb 21:38  Por vreshtarët, kur e panë të birin, i thanë njeri tjetrit: "Ky është trashëgimtari; ejani, ta vrasim dhe marrim si pronë trashëgiminë e tij".
Matt Alb 21:39  Dhe e kapën, e nxorën jashtë nga vreshti dhe e vranë.
Matt Alb 21:40  Tani, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë këtyre vreshtarëve?''.
Matt Alb 21:41  Ata i thanë: ''Ai do t'i vrasë keqas ata faqezinj dhe do t'ua besojë vreshtin vreshtarëve të tjerë, të cilët do t'i japin prodhimet në kohën e vet''.
Matt Alb 21:42  Jezusi u tha atyre: ''A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: "Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë"?
Matt Alb 21:43  Prandaj unë po ju them se juve do t'ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t'i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt.
Matt Alb 21:44  Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar''.
Matt Alb 21:45  Dhe krerët e priftërinjve dhe farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se po fliste për ta.
Matt Alb 21:46  Dhe kërkonin ta kapnin, por kishin frikë nga turmat, sepse ato e konsideronin profet.
Chapter 22
Matt Alb 22:1  Dhe Jezusi, nisi përsëri t'u flasë atyre me shëmbëlltyra, duke thënë:
Matt Alb 22:2  ''Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit.
Matt Alb 22:3  Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë.
Matt Alb 22:4  Dërgoi përsëri shërbëtorë të tjerë duke thënë: "U thoni të ftuarve: Ja unë e kam shtruar drekën time, viçat e mi dhe bagëtia ime e majmur janë therur dhe gjithçka është gati; ejani në dasmë".
Matt Alb 22:5  Por ata, pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.
Matt Alb 22:6  Dhe të tjerët, mbasi kapën shërbëtorët e tij, i shanë dhe i vranë.
Matt Alb 22:7  Mbreti atëhërë, kur dëgjoi këtë, u zemërua dhe dërgoi ushtritë e veta për të shfarosur ata gjaksorë dhe dogji qytetin e tyre.
Matt Alb 22:8  Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë.
Matt Alb 22:9  Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni."
Matt Alb 22:10  Dhe ata shërbëtorët dolën nëpër rrugë, mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij dhe të mirë, dhe vendi i dasmës u mbush me të ftuar.
Matt Alb 22:11  Atëherë mbreti hyri për të parë të ftuarit dhe gjeti aty një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme;
Matt Alb 22:12  dhe i tha: "Mik, si hyre këtu pa pasur rrobë dasme?". Dhe ai mbylli gojën.
Matt Alb 22:13  Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: "Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".
Matt Alb 22:14  Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur''.
Matt Alb 22:15  Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë.
Matt Alb 22:16  Dhe i dërguan dishepujt e tyre bashkë me herodianët, për t'i thënë: ''Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.
Matt Alb 22:17  Na thuaj, pra: Si e mendon? A është e ligjshme t'i paguhet taksa Cezarit apo jo?''.
Matt Alb 22:18  Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: ''Pse më tundoni, o hipokritë?
Matt Alb 22:19  Më tregoni monedhën e taksës''. Atëherë ata i treguan një denar.
Matt Alb 22:20  Dhe ai u tha atyre: ''E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?''.
Matt Alb 22:21  Ata i thanë: ''E Cezarit''. Atëherë ai u tha atyre: ''Jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit dhe Perëndisë atë që i përket Perëndisë''.
Matt Alb 22:22  Dhe ata, kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan, e lanë, dhe ikën.
Matt Alb 22:23  Po atë ditë erdhën tek ai saducenjtë, të cilët thonë se nuk ka ringjallje, dhe e pyetën
Matt Alb 22:24  duke thënë: ''Mësues, Moisiu ka thënë: "Në se dikush vdes pa lënë fëmijë, i vëllai le të martohet me gruan e tij, për t'i lindur trashëgimtarë vëllait të tij.
Matt Alb 22:25  Tani ndër ne ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq dhe duke mos pasë trashëgimtarë, ia la gruan vëllait të vet.
Matt Alb 22:26  Kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.
Matt Alb 22:28  Në ringjallje, pra, e kujt nga këta të shtatë do të jetë grua? Sepse të gjithë e patën gruaja''.
Matt Alb 22:29  Por Jezusi, duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ju bëni gabim, sepse nuk e kuptoni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë.
Matt Alb 22:30  Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.
Matt Alb 22:31  Pastaj sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk e keni lexuar ç'ju ishte thënë nga Perëndia kur thotë:
Matt Alb 22:32  "Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe i Jakobit"? Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve''.
Matt Alb 22:33  Dhe turmat, kur i dëgjuan këto gjëra, habiteshin nga doktrina e tij.
Matt Alb 22:34  Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.
Matt Alb 22:35  Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:
Matt Alb 22:36  ''Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?''.
Matt Alb 22:37  Dhe Jezusi i tha: ''"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".
Matt Alb 22:39  Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".
Matt Alb 22:40  Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët''.
Matt Alb 22:41  Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:
Matt Alb 22:42  ''Ç'u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?''. Ata i thanë: ''I Davidit''.
Matt Alb 22:43  Ai u tha atyre: ''Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:
Matt Alb 22:44  "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?
Matt Alb 22:45  Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?''.
Matt Alb 22:46  Por asnjë nuk ishte në gjendje t'i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.
Chapter 23
Matt Alb 23:1  Atëherë Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të vet,
Matt Alb 23:2  duke thënë: ''Skribët dhe farisenjtë ulen mbi katedrën e Moisiut.
Matt Alb 23:3  Zbatoni, pra, dhe bëni gjithçka t'ju thonë të zbatoni; por mos bëni si bëjnë ata, sepse thonë, por nuk e bëjnë.
Matt Alb 23:4  Por lidhin barrë të rënda që barten me vështirësi, dhe ua vënë mbi kurrizin e njerëzve; Por ata nuk duan të luajnë vetë as me gisht.
Matt Alb 23:5  Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u dukur nga njerëzit; i zgjërojnë filateritë e tyre dhe i zgjatin thekët e rrobave të tyre.
Matt Alb 23:6  Duan kryet e vendit në gostira dhe vendet e para në sinagoga,
Matt Alb 23:7  si edhe përshëndetjet në sheshe dhe të quhen rabbi, rabbi nga njerëzit.
Matt Alb 23:8  Por ju mos lejoni që t'ju quajnë rabbi, sepse vetëm një është mësuesi juaj: Krishti, dhe ju të gjithë jeni vëllezër.
Matt Alb 23:9  Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd atë tuaj, sepse vetëm një është Ati juaj, ai që është në qiej.
Matt Alb 23:10  As mos lejoni që t'ju quajnë udhëheqës, sepse vetëm një është udhëheqësi juaj: Krishti.
Matt Alb 23:11  Dhe më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj.
Matt Alb 23:12  Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.
Matt Alb 23:13  Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse mbyllni mbretërinë e qiejve para njerëzve; sepse as ju nuk hyni, as nuk i lini të hyjnë ata që janë për të hyrë.
Matt Alb 23:14  Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse gllabëroni shtëpitë e të vejave dhe për sy e faqe bëni lutje të gjata; për këtë arsye ju do të pësoni një dënim më të rreptë.
Matt Alb 23:15  Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse përshkoni detin dhe dheun për të bërë prozelitë, dhe kur ndokush bëhet i tillë, e bëni bir të Gehenas dhe dy herë më të keq se ju!
Matt Alb 23:16  Mjerë ju, udhëheqës të verbër, që thoni: "Në qoftë se dikush betohet për tempullin, kjo s'është gjë; por në qoftë se betohet për arin e tempullit, është i detyruar".
Matt Alb 23:17  Të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh: ari apo tempulli që e shenjtëron arin?
Matt Alb 23:18  Dhe në qoftë se dikush betohet për altarin, s'është gjë; por ne qoftë se betohet për ofertën që është mbi të, është i detyruar".
Matt Alb 23:19  Të marrë dhe të verbër! Sepse cila është më e madhe, oferta apo altari që e shenjtëron ofertën?
Matt Alb 23:20  Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për çdo gjë që është përmbi të!
Matt Alb 23:21  Ai që betohet për tempullin, betohet për të dhe për atë që banon atje.
Matt Alb 23:22  Dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që është ulur mbi të.
Matt Alb 23:23  Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ju llogaritni të dhjetën e mëndrës, të koprës dhe të barit të gjumit, dhe lini pas dore gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, mëshirën dhe besimin; këto gjëra duhet t'i praktikoni pa i lënë pas dore të tjerat.
Matt Alb 23:24  Udhëheqës të verbër, që sitni mushkonjën dhe kapërdini devenë!
Matt Alb 23:25  Mjerë ju, skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse pastroni anën e jashtme të kupës dhe të pjatës, ndërsa përbrenda janë plot me grabitje dhe teprime.
Matt Alb 23:26  Farise i verbër! Pastro më parë përbrenda kupën dhe pjatën, që edhe përjashta të jetë e pastër.
Matt Alb 23:27  Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse u ngjani varreve të zbardhuara (me gëlqere), që nga jashtë duken të bukur, por brenda janë plot eshtra të vdekurish dhe gjithfarë papastërtish.
Matt Alb 23:28  Kështu edhe ju nga jashtë u paraqiteni njerëzve si të drejtë; por përbrenda jeni plot hipokrizi dhe paudhësi.
Matt Alb 23:29  Mjerë ju, o skribë dhe farisenj hipokritë! Sepse ndërtoni varrezat e profetëve dhe zbukuroni monumentet e të drejtëve,
Matt Alb 23:30  dhe thoni: "Po të kishim jetuar në kohën e etërve tanë, nuk do të kishim bashkëpunuar me ta në vrasjen e profetëve".
Matt Alb 23:31  Duke folur kështu, ju dëshmoni kundër vetes suaj, se jeni bijtë e atyre që vranë profetët.
Matt Alb 23:33  O gjarpërinj, o pjellë nëpërkash! Si do t'i shpëtoni gjykimit të Gehenas?
Matt Alb 23:34  Prandaj, ja unë po ju dërgoj profetë, dijetarë dhe skribë; ju disa prej tyre do t'i vritni dhe do t'i kryqëzoni, disa të tjerë do t'i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t'i persekutoni nga një qytet në tjetrin,
Matt Alb 23:35  që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë i derdhur mbi dhe, nga gjaku i të drejtit Abel, deri te gjaku i Zaharias, birit të Barakias, që ju e vratë ndërmjet tempullit dhe altarit.
Matt Alb 23:36  Në të vërtetë po ju them se të gjitha këto gjëra do të bien mbi këtë brez.
Matt Alb 23:37  Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t'i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!
Matt Alb 23:39  Sepse unë po ju them, se tash e tutje nuk do të më shihni më deri sa të thoni: "I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!"''.
Chapter 24
Matt Alb 24:1  Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t'i treguar ndërtesat e tempullit.
Matt Alb 24:2  Por Jezusi u tha atyre: ''A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet''.
Matt Alb 24:3  Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: ''Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?''.
Matt Alb 24:4  Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!
Matt Alb 24:5  Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.
Matt Alb 24:6  Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.
Matt Alb 24:7  Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.
Matt Alb 24:8  Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.
Matt Alb 24:9  Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim.
Matt Alb 24:10  Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin.
Matt Alb 24:11  Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
Matt Alb 24:12  Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t'i ftohet dashuria;
Matt Alb 24:13  por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.
Matt Alb 24:14  Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi''.
Matt Alb 24:15  ''Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),
Matt Alb 24:16  atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.
Matt Alb 24:17  Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;
Matt Alb 24:18  dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.
Matt Alb 24:19  Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t'u japin gji fëmijëve në ato ditë!
Matt Alb 24:20  Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,
Matt Alb 24:21  sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!
Matt Alb 24:22  Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
Matt Alb 24:23  Atëherë, në qoftë se dikush do t'ju thotë: "Ja, Krishti është këtu", ose "Éshtë atje", mos i besoni.
Matt Alb 24:24  Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t'i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.
Matt Alb 24:26  Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë", mos shkoni atje: "Ja, është në dhomat e fshehta", mos u besoni.
Matt Alb 24:27  Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.
Matt Alb 24:28  Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat''.
Matt Alb 24:29  ''Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.
Matt Alb 24:30  Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
Matt Alb 24:31  Ai do t'i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t'i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.
Matt Alb 24:32  Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër.
Matt Alb 24:33  Kështu edhe ju, kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
Matt Alb 24:34  Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.
Matt Alb 24:35  Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.
Matt Alb 24:36  Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s'e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im.
Matt Alb 24:37  Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut.
Matt Alb 24:38  Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë;
Matt Alb 24:39  dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.
Matt Alb 24:40  Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet.
Matt Alb 24:41  dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet.
Matt Alb 24:42  Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.
Matt Alb 24:43  Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t'i shpërthehej shtëpia.
Matt Alb 24:44  Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni''.
Matt Alb 24:45  ''Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t'u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur?
Matt Alb 24:46  Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu.
Matt Alb 24:47  Në të vërtetë po ju them se ai do t'ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.
Matt Alb 24:48  Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: "Zotëria ime vonon të vijë",
Matt Alb 24:49  dhe fillon t'i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët;
Matt Alb 24:50  zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di;
Matt Alb 24:51  do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh''.
Chapter 25
Matt Alb 25:1  ''Atëherë mbretëria e qiejve do t'u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.
Matt Alb 25:2  Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.
Matt Alb 25:3  Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin;
Matt Alb 25:4  kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.
Matt Alb 25:5  Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.
Matt Alb 25:6  Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!".
Matt Alb 25:7  Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.
Matt Alb 25:8  Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken".
Matt Alb 25:9  Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini".
Matt Alb 25:10  Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
Matt Alb 25:11  Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna".
Matt Alb 25:12  Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh".
Matt Alb 25:13  Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut''.
Matt Alb 25:14  ''Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta.
Matt Alb 25:15  Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill.
Matt Alb 25:16  Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë.
Matt Alb 25:17  Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë.
Matt Alb 25:18  Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet.
Matt Alb 25:19  Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta.
Matt Alb 25:20  Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë".
Matt Alb 25:21  Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
Matt Alb 25:22  Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë".
Matt Alb 25:23  Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
Matt Alb 25:24  Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë,
Matt Alb 25:25  prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej".
Matt Alb 25:26  Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë;
Matt Alb 25:27  Ti duhet t'ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes.
Matt Alb 25:28  Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta.
Matt Alb 25:29  Sepse atij që ka do t'i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka.
Matt Alb 25:30  Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh"''.
Matt Alb 25:31  ''Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.
Matt Alb 25:32  Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.
Matt Alb 25:33  Dhe delet do t'i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.
Matt Alb 25:34  Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës.
Matt Alb 25:35  Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,
Matt Alb 25:36  isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".
Matt Alb 25:37  Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?
Matt Alb 25:38  Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?
Matt Alb 25:39  Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".
Matt Alb 25:40  Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.
Matt Alb 25:41  Pastaj ai do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.
Matt Alb 25:42  Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,
Matt Alb 25:43  isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".
Matt Alb 25:44  Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".
Matt Alb 25:45  Atëherë ai do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".
Matt Alb 25:46  Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme''.
Chapter 26
Matt Alb 26:1  Dhe ndodhi që, mbasi Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalime, u tha dishepujve të vet:
Matt Alb 26:2  ''Ju e dini se pas dy ditësh janë Pashkët dhe Biri i njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar''.
Matt Alb 26:3  Atëherë krerët e priftërinjve, skribët dhe pleqtë e popullit u mblodhën në pallatin e kryepriftit që quhej Kajafa.
Matt Alb 26:4  Edhe bënin këshillë për ta zënë Jezusin me dredhi dhe ta vrasin;
Matt Alb 26:5  por thonin: ''Jo gjatë festës, që të mos bëhet ndonjë trazirë në popull''.
Matt Alb 26:6  Tani, kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e lebrozit Simon,
Matt Alb 26:7  iu afrua një grua me një alabastër me vaj të parfumuar shumë të kushtueshëm, dhe ia derdhi mbi kokën e tij, kur ai po rrinte në tryezë.
Matt Alb 26:8  Kur e panë këtë gjë, dishepujt e tij u zemëruan dhe thanë: ''Përse gjithë ky shpenzim i kotë?
Matt Alb 26:9  Ky vaj, në fakt, mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve''.
Matt Alb 26:10  Por Jezusi e mori vesh dhe u tha atyre: ''Pse e shqetësoni këtë grua? Ajo kreu në fakt një vepër të mirë ndaj meje.
Matt Alb 26:11  Sepse të varfërit do t'i keni përherë me ju, por mua nuk do të më keni përherë.
Matt Alb 26:12  Sepse, duke derdhur këtë vaj të parfumuar mbi trupin tim, ajo e bëri për ta përgatitur trupin tim për varrim.
Matt Alb 26:13  Në të vërtetë unë po ju them se kudo që do të predikohet ky ungjill, në gjithë botën, do të tregohet edhe çfarë bëri kjo grua, në përkujtim të saj''.
Matt Alb 26:14  Atëherë një nga të dymbëdhjetët, me emër Judë Iskarioti, shkoi te krerët e priftërinjëve,
Matt Alb 26:15  dhe u tha atyre: ''Sa do të më jepni që unë t'jua dorëzoj?''. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi.
Matt Alb 26:16  Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
Matt Alb 26:17  Tani ditën e parë të ndormëve, dishepujt iu afruan Jezusit dhe i thanë: ''Ku don të shtrojmë për të ngrënë Pashkën?''.
Matt Alb 26:18  Dhe ai u përgjigj: ''Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: "Mësuesi thotë: Koha ime është afër; do të bëj Pashkën në shtëpinë tënde bashkë me dishepujt e mi"''.
Matt Alb 26:19  Atëherë dishepujt bënë ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi dhe përgatitën Pashkën.
Matt Alb 26:20  Dhe, kur u ngrys, ai u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët;
Matt Alb 26:21  dhe, ndërsa po hanin, tha: ''Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë''.
Matt Alb 26:22  Ata u pikëlluan shumë dhe secili prej tyrefilloi të thotë: ''Mos jam unë; Zot?''.
Matt Alb 26:23  Dhe ai duke u përgjigjur, tha: ''Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë.
Matt Alb 26:24  Sikurse është shkruar për të, Biri i njeriut pa tjetër shkon; por mjerë ai njeri me anë të të cilit Biri i njeriut tradhtohet! Për të do të ishte më mirë të mos kishte lindur kurrë''.
Matt Alb 26:25  Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: ''Rabbi, mos jam unë ai?''. Ai i tha: ''Ti po thua!''.
Matt Alb 26:26  Dhe ndërsa po hanin, Jezusi mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ''Merrni, hani; ky është trupi im''.
Matt Alb 26:27  Pastaj mori kupën, dhe falenderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ''Pini prej tij të gjithë,
Matt Alb 26:28  sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.
Matt Alb 26:29  Dhe unë po ju them, se që tani e tutje unë nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim''.
Matt Alb 26:30  Dhe, mbasi kënduan himnin, dolën jashtë te mali i Ullinjve.
Matt Alb 26:31  Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Këtë natë të gjithë ju do të skandalizoheni për shkakun tim, sepse është shkruar: "Do të godas bariun dhe delet e kopesë do të shpërndahen".
Matt Alb 26:32  Por, mbasi të jem ngjallur, do të shkoj përpara jush në Galile''.
Matt Alb 26:33  Atëherë Pjetri duke u përgjigjur i tha: ''Edhe sikur të gjithë të skandalizohen për shkakun tënd, unë nuk do të skandalizohem kurrë!''.
Matt Alb 26:34  Jezusi i tha: ''Në të vërtetë po të them se pikërisht këtë natë, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë''.
Matt Alb 26:35  Pjetri i tha: ''Edhe sikur të duhej të vdisja bashkë me ty, nuk do të të mohoj kurrsesi''. Po atë thanë edhe të gjithë dishepujt.
Matt Alb 26:36  Atëherë Jezusi shkoi bashkë me ta në një vend, që quhej Gjetsemani, dhe u tha dishepujve: ''Uluni këtu, ndërsa unë po shkoi aty të lutem''.
Matt Alb 26:37  Dhe mori me vete Pjetrin dhe të dy djemtë e Zebedeut, dhe filloi të ndjeje trishtim dhe ankth të madh.
Matt Alb 26:38  Atëherë ai u tha atyre: ''Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar bashkë me mua''.
Matt Alb 26:39  Dhe, si shkoi pak përpara, ra me fytyrë për tokë dhe lutej duke thënë: ''Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti''.
Matt Alb 26:40  Pastaj u kthye te dishepujt dhe i gjeti që flinin, dhe i tha Pjetrit: ''Po si, nuk mundët të vigjëloni me mua të paktën për një orë?
Matt Alb 26:41  Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët''.
Matt Alb 26:42  U largua përsëri për herë të dytë dhe u lut duke thënë: ''Ati im, në qoftë se nuk është e mundur që kjo kupë të largohet prej meje pa u pirë prej meje, u bëftë vullneti yt!''.
Matt Alb 26:43  Pastaj u kthye dhe i gjeti përsëri që flinin, sepse sytë u ishin rënduar.
Matt Alb 26:44  Dhe, mbasi i la ata, u largua përsëri dhe u lut për të tretën herë, duke thënë të njëjtat fjalë.
Matt Alb 26:45  Pastaj u kthye te dishepujt e vet dhe u tha atyre: ''Tani vazhdoni të flini dhe pushoni; ja erdhi ora, dhe Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve.
Matt Alb 26:46  Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhëton është afër''.
Matt Alb 26:47  Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit.
Matt Alb 26:48  Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: ''Atë që unë do të puth, ai është; kapeni''.
Matt Alb 26:49  Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ''Tungjatjeta, Mësues!''. Dhe e puthi përzemërsisht.
Matt Alb 26:50  Dhe Jezusi i tha: ''Mik, çfarë ke ardhur të bësh?''. Atëherë ata iu afruan, vunë duart mbi Jezusin dhe e zunë.
Matt Alb 26:51  Dhe ja, një nga ata që ishte me Jezusin, zgjati dorën, nxori shpatën e vet, iu hodh shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
Matt Alb 26:52  Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.
Matt Alb 26:53  A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
Matt Alb 26:54  Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''.
Matt Alb 26:55  Në atë moment Jezusi u tha turmave: ''Ju dolët të më zini mua me shpata dhe me shkopinj, si kundër një kusar; e pra, çdo ditë isha ulur midis jush duke mësuar në tempull, dhe ju nuk më kapët.
Matt Alb 26:56  Por të gjitha këto ndodhën që të përmbushen Shkrimet e profetëve''. Atëherë të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
Matt Alb 26:57  Dhe ata që e kishin arrestuar Jezusin e çuan te Kajafa, kryeprifti, ku tashmë ishin mbledhur skribët dhe pleqtë.
Matt Alb 26:58  Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri në pallatin e kryepriftit, dhe, mbasi hyri aty, u ul bashkë me rojet për të parë fundin.
Matt Alb 26:59  Tani krerët e priftërinjve, pleqtë dhe gjithë sinedri kërkonin ndonjë dëshmi të rreme kundër Jezusit, për ta vrarë,
Matt Alb 26:60  por nuk gjetën asnjë; ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë, nuk e gjetën. Por në fund u paraqitën dy dëshmitarë të rremë,
Matt Alb 26:61  të cilët thanë: ''Ky ka thënë: "Unë mund ta shkatërroj tempullin e Perëndisë dhe ta rindërtoj për tri ditë"''.
Matt Alb 26:62  Atëherë kryeprifti u çua dhe i tha: ''Nuk po përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?''.
Matt Alb 26:63  Por Jezusi rrinte në heshtje. Dhe kryeprifti vazhdoi duke thënë: ''Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë''.
Matt Alb 26:64  Jezusi i tha: ''Ti po thua! Madje unë po ju them se në të ardhmen ju do ta shihni Birin e njeriut duke ndënjur në të djathtën e Pushtetit, dhe duke ardhur mbi retë e qiellit''.
Matt Alb 26:65  Atëherë kryeprifti ia shqeu rrobat e veta, duke thënë: ''Ai blasfemoi; ç'na duhen më dëshmitarët? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë e tij.
Matt Alb 26:66  Si ju duket juve?''. Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: ''Ai është fajtor për vdekje!''.
Matt Alb 26:67  Atëherë e pështynë në fytyrë, e goditën me shuplaka; dhe disa të tjerë i ranë me grushta,
Matt Alb 26:68  duke thënë: ''O Krisht, profetizo! Kush të ra?''.
Matt Alb 26:69  Tani Pjetri ndënji përjashta, në oborr dhe një shërbëtore iu afrua duke thënë: ''Edhe ti ishe me Jezusin, Galileasin''.
Matt Alb 26:70  Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: ''Nuk di ç'po thua!''.
Matt Alb 26:71  Dhe kur ai po dilte në hajat, e pa atë një shërbëtore tjetër dhe u tha të pranishmëve: ''Edhe ky ishte me Jezusin, Nazareasin!''.
Matt Alb 26:72  Por ai përsëri e mohoi me be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''.
Matt Alb 26:73  Mbas pak edhe të pranishmit iu afruan dhe i thanë Pjetrit: ''Sigurisht, edhe ti je një nga ata, sepse e folura jote të tradhton!''.
Matt Alb 26:74  Atëherë ai nisi të mallkojë dhe të bëjë be, duke thënë: ''Unë nuk e njoh atë njeri''. Dhe në atë çast këndoi gjeli.
Matt Alb 26:75  Atëherë Pjetri kujtoi atë që i kishte thënë Jezusi: ''Para se të këndojë gjeli, do të më mohosh tri herë''. Dhe ai doli përjashta dhe qau me hidhërim.
Chapter 27
Matt Alb 27:1  Kur erdhi mëngjesi, të gjithë krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit bënin këshill kundër Jezusit për ta vrarë.
Matt Alb 27:2  Dhe, mbasi e lidhën, e çuan dhe e dorëzuan në duart e Ponc Pilatit, guvernatorit.
Matt Alb 27:3  Atëherë Juda, që e kishte tradhtuar, kur pa se e dënuan Jezusin, u pendua dhe ua ktheu krerëve të priftërinjve dhe pleqve të tridhjetë siklat prej argjendi,
Matt Alb 27:4  duke thënë: ''Mëkatova duke tradhtuar gjakun e pafaj''. Por ata thanë: ''Po ne ç'na duhet? Punë për ty!''.
Matt Alb 27:5  Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar.
Matt Alb 27:6  Por krerët e priftërinjve i mblodhën këta denarë dhe thanë: ''Nuk është e ligjshme t'i vëmë në thesarin e tempullit, sepse është çmim gjaku''.
Matt Alb 27:7  Dhe, mbasi bënin këshill, me këtë denar blenë arën e poçarit për varreza të të huajve.
Matt Alb 27:8  Prandaj këtë arë e quajtën deri ditën e sotme: "Ara e gjakut".
Matt Alb 27:9  Atëherë u përmbush ç'ishte thënë nga profeti Jeremia që thotë: ''Dhe i morën të tridhjetë monedhat prej argjendi, çmimin e atij që e çmuan, siç kishin çmuar bijtë e Izraelit;
Matt Alb 27:10  dhe i shpenzuan për arën e poçarit, ashtu si më urdhëroi Zoti''.
Matt Alb 27:11  Dhe Jezusi qëndroi para guvernatorit; dhe qeveritari e pyeti duke thënë: ''A je ti mbreti i Judenjve?''. Dhe Jezusi i tha: ''Ti po thua!''.
Matt Alb 27:12  Pastaj krerët e priftërinjve dhe pleqtë e akuzuan, por ai nuk u përgjigjej fare.
Matt Alb 27:13  Atëherë Pilati i tha: ''A nuk po dëgjon sa gjëra po dëshmojnë kundër teje?''.
Matt Alb 27:14  Por ai nuk iu përgjigj në asnjë fjalë, kështu që guvernatori u çudit shumë.
Matt Alb 27:15  Tani me rastin e festave guvernatori e kishte zakon t'i lironte popullit një të burgosur, atë që populli kërkonte.
Matt Alb 27:16  Kishin në ato kohë një të burgosur me nam, me emër Baraba.
Matt Alb 27:17  Kur u mblodhën njerëzit, Pilati i pyeti ata: ''Kë doni t'ju liroj, Barabën apo Jezusin, që quhet Krisht?''.
Matt Alb 27:18  Sepse ai e dinte mirë se atë ia kishin dorëzuar nga smira.
Matt Alb 27:19  Dhe ndërsa ai po rrinte në gjykatë, gruaja e tij i çoi fjalë: ''Mos u përziej aspak me çështjen e atij të drejti, sepse sot kam vuajtur shumë në ëndërr për shkak të tij''.
Matt Alb 27:20  Por krerët e priftërinjve dhe pleqtë ia mbushën mendjan turmës që të kërkonte Barabën, dhe Jezusi të vritej.
Matt Alb 27:21  Dhe guvernatori duke vazhduar u tha atyre: ''Cilin nga të dy doni që t'ju liroj?''. Ata thanë: ''Barabën!''.
Matt Alb 27:22  Pilati u tha atyre: ''Ç'të bëj, pra, me Jezusin, që quhet Krisht?''. Të gjithë i thanë: ''Të kryqëzohet!''.
Matt Alb 27:23  Por guvernatori tha: ''Po ç'të keqe ka bërë?''. Mirëpo ata po bërtisnin edhe më fort: ''Të kryqëzohet!''.
Matt Alb 27:24  Atëherë Pilati, duke parë se nuk po arrinte gjë, madje se trazimi po shtohej gjithnjë e më shumë, mori ujë dhe i lau duart para turmës, duke thënë: ''Unë jam i pafaj për gjakun e këtij të drejti; mendojeni ju''.
Matt Alb 27:25  Dhe gjithë populli duke u përgjigjur tha: ''Le të jetë gjaku i tij mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!''.
Matt Alb 27:26  Atëherë ai ua liroi atyre Barabën; dhe mbasi e fshikulloi Jezusin, ua dorëzoi, që të kryqëzohet.
Matt Alb 27:27  Atëherë ushtarët e guvernatorit, mbasi e çuan Jezusin në pretoriumin e guvernatorit, mblodhën rreth tij gjithë kohortën.
Matt Alb 27:28  Dhe, pasi e zhveshën, i hodhën mbi trup një mantel të kuq.
Matt Alb 27:29  Dhe i thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye dhe i dhanë një kallam në dorën e djathtë; dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e përqeshnin duke thënë: ''Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!''.
Matt Alb 27:30  Pastaj e pështynë, ia morën kallamin dhe me të i binin në kokë.
Matt Alb 27:31  Dhe, mbasi e përqeshën, ia hoqën mantelin dhe e veshën me rrobat e tij; dhe e çuan për ta kryqëzuar.
Matt Alb 27:32  Dhe duke dalë, takuan një njeri nga Kirena, që quhej Simon, të cilin e detyruan ta mbartë kryqin e Jezusit.
Matt Alb 27:33  Dhe, kur arritën në vendin që quhej Golgota, domethënë "Vendi i kafkës",
Matt Alb 27:34  i dhanë të pijë uthull të përzier me vrer; por ai, mbasi e provoi, nuk deshi ta pinte.
Matt Alb 27:35  Mbasi e kryqëzuan, i ndanë me short rrobat e tij, që të përmbushej ç'ishte thënë nga profeti: ''I ndanë ndërmjet tyre rrobat e mia dhe hodhën short mbi tunikën time''.
Matt Alb 27:37  Përmbi krye të tij, i vunë gjithashtu motivacionin e shkruar të dënimit të tij: ''KY ÉSHTÉ JEZUSI, MBRETI I JUDENJVE''.
Matt Alb 27:38  Atëhere u kryqëzuan bashkë me të dy cuba, njeri në të djathtën dhe tjetri në të majtën.
Matt Alb 27:39  Dhe ata që kalonin andej e fyenin duke tundur kokën,
Matt Alb 27:40  dhe duke thënë: ''Ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton për tri ditë, shpëto vetveten; në qoftë se je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!''.
Matt Alb 27:41  Po ashtu, edhe krerët e priftërinjve, bashkë me skribët dhe me pleqtë, duke e tallur, i thonin:
Matt Alb 27:42  ''Ai i shpëtoi të tjerët dhe nuk mund të shpëtojë vetveten; në qoftë se është mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të;
Matt Alb 27:43  ai ka besuar në Perëndinë; le ta lirojë tani në qoftë se e do me të vërtetë, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"''.
Matt Alb 27:44  Po ashtu e fyenin edhe cubat që ishin kryqëzuar me të.
Matt Alb 27:45  Që nga ora gjashtë deri në orën nëntë errësira e mbuloi gjithë vendin.
Matt Alb 27:46  Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: ''Eli, Eli, lama sabaktani?''. Domethënë: ''Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?''.
Matt Alb 27:47  Dhe disa nga të pranishmit, kur e dëgjuan, thanë: ''Ky po thërret Elian''.
Matt Alb 27:48  Dhe në atë çast një nga ata vrapoi, mori një sfungjer, e zhyti në uthull dhe, mbasi e vuri në majë të një kallami, ia dha për ta pirë.
Matt Alb 27:49  Por të tjerët thonin: ''Lëre, të shohim në se do të vijë Elia për ta shpëtuar''.
Matt Alb 27:50  Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë.
Matt Alb 27:51  Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u çanë;
Matt Alb 27:52  varret u hapën dhe shumë trupa të të shenjtëve që flinin u ringjallën;
Matt Alb 27:53  dhe, të dalë nga varret mbas ringjalljes së Jezusit, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumëkujt.
Matt Alb 27:54  Tani centurioni dhe ata që bashkë me të ruanin Jezusin, kur panë tërmetin dhe ngjarjet e tjera, u trembën shumë dhe thanë: ''Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!''.
Matt Alb 27:55  Ishin aty edhe shumë gra që vërenin nga larg; ato e kishin ndjekur Jezusin që nga Galilea për t'i shërbyer;
Matt Alb 27:56  midis tyre ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe e Ioseut; dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Matt Alb 27:57  Edhe si u ngrys, erdhi një njeri i pasur nga Arimatea, me emër Jozef, i cili ishte edhe vet dishepull i Jezusit.
Matt Alb 27:58  Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati dha urdhër që t'ia dorëzonin trupin.
Matt Alb 27:59  Dhe Jozefi, mbasi e mori trupin, e mbështolli me një pëlhurë të pastër,
Matt Alb 27:60  dhe e vendosi në varrin e vet të ri, që ai kishte hapur në shkëmb; pastaj rrokullisi një gur të madh në hyrje të varrit dhe u largua.
Matt Alb 27:61  Dhe Maria Magdalena dhe Maria tjetër rrinin aty, ulur përballë varrit.
Matt Alb 27:62  Dhe të nesërmen, që ishte mbas ditës së Përgatitjes, krerët e priftërinjve dhe farisenjtë u mblodhën te Pilati,
Matt Alb 27:63  duke thënë: ''Zot, na ra në mend se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: "Pas tri ditësh unë do të ringjallem".
Matt Alb 27:64  Prandaj urdhëro që varri të ruhet mirë deri në ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën e ta vjedhin trupin dhe pastaj t'i thonë popullit: "U ringjall së vdekuri"; kështu mashtrimi i fundit do të ishte më i keq se i pari''.
Matt Alb 27:65  Por Pilati u tha atyre: ''Rojen e keni; shkoni dhe e siguroni varrin, si t'ju duket më mirë''.
Matt Alb 27:66  Dhe ata, pra, shkuan dhe e siguruan varrin dhe, përveç rojës, vulosën gurin.
Chapter 28
Matt Alb 28:1  Tani në fund të së shtunave, kur po zbardhte dita e parë e javës, Maria Magdalena dhe Maria tjetër shkuan për të parë varrin.
Matt Alb 28:2  Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, erdhi dhe e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të.
Matt Alb 28:3  Pamja e tij ishte si vetëtima dhe veshja e tij e bardhë si bora.
Matt Alb 28:4  Dhe nga frika e tij, rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur;
Matt Alb 28:5  por engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha atyre: ''Mos kini frikë, sepse unë e di se ju kërkoni Jezusin, që u kryqëzua.
Matt Alb 28:6  Ai nuk është këtu, sepse u ringjall, sikurse kishte thënë; ejani, shikoni vendin ku qe vënë Zoti.
Matt Alb 28:7  Shkoni shpejt t'u thoni dishepujve të tij se ai u ringjall së vdekuri; dhe ja, po shkon përpara jush në Galile; atje do ta shihni; ja, jua thashë''.
Matt Alb 28:8  Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe me gëzim të madh; dhe rendën ta çojnë lajmin te dishepujt e tij.
Matt Alb 28:9  Dhe, ndërsa po shkonin për t'u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: ''Tungjatjeta!''. Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan.
Matt Alb 28:10  Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin''.
Matt Alb 28:11  Ndërsa ato po shkonin, ja që disa nga rojtarët arritën në qytet dhe u raportuan krerëve të priftërinjve të gjitha ato që kishin ndodhur.
Matt Alb 28:12  Atëherë këta bënë këshill me pleqtë dhe vendosën t'u japin ushtarëve një shumë të madhe denarësh,
Matt Alb 28:13  duke u thënë atyre: ''Thoni: Dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën, ndërsa ne po flinim.
Matt Alb 28:14  Dhe në qoftë se kjo i shkon në vesh guvernatorit, ne do ta bindim dhe do të bëjmë në mënyrë që ju të mos kini merak''.
Matt Alb 28:15  Dhe ata i morën denarët dhe bënë ashtu si i kishin mësuar, dhe kjo e thënë u përhap ndër Judenjtë deri ditën e sotme.
Matt Alb 28:16  Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi
Matt Alb 28:17  dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.
Matt Alb 28:18  Pastaj Jezusi u afrua dhe u foli atyre duke thënë: ''Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.
Matt Alb 28:19  Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,
Matt Alb 28:20  dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen''.