Site uses cookies to provide basic functionality.

OK
PROVERBS
Up
Toggle notes
Chapter 1
Prov Alb 1:1  Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,
Prov Alb 1:2  për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;
Prov Alb 1:3  për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,
Prov Alb 1:4  për t'u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.
Prov Alb 1:5  I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,
Prov Alb 1:6  për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.
Prov Alb 1:7  Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.
Prov Alb 1:8  Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,
Prov Alb 1:9  sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.
Prov Alb 1:10  Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,
Prov Alb 1:11  në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;
Prov Alb 1:12  le t'i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;
Prov Alb 1:13  ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t'i mbushim shtëpitë tona me plaçka;
Prov Alb 1:14  ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";
Prov Alb 1:15  biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,
Prov Alb 1:16  sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.
Prov Alb 1:17  Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;
Prov Alb 1:18  por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.
Prov Alb 1:19  Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.
Prov Alb 1:20  Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;
Prov Alb 1:21  ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;
Prov Alb 1:22  "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t'ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?
Prov Alb 1:23  Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t'ju bëj të njohura fjalët e mia.
Prov Alb 1:24  Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,
Prov Alb 1:25  përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,
Prov Alb 1:26  edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,
Prov Alb 1:27  kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t'ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.
Prov Alb 1:28  Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.
Prov Alb 1:29  Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,
Prov Alb 1:30  nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.
Prov Alb 1:31  Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.
Prov Alb 1:32  Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;
Prov Alb 1:33  por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".
Chapter 2
Prov Alb 2:1  Biri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia,
Prov Alb 2:2  duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes;
Prov Alb 2:3  po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim,
Prov Alb 2:4  në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur,
Prov Alb 2:5  atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë.
Prov Alb 2:6  Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja.
Prov Alb 2:7  Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri
Prov Alb 2:8  për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij.
Prov Alb 2:9  Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës.
Prov Alb 2:10  Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd,
Prov Alb 2:11  të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë,
Prov Alb 2:12  për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija,
Prov Alb 2:13  nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ,
Prov Alb 2:14  që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq,
Prov Alb 2:15  shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha,
Prov Alb 2:16  për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese,
Prov Alb 2:17  që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë.
Prov Alb 2:18  Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve.
Prov Alb 2:19  Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës.
Prov Alb 2:20  Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve.
Prov Alb 2:21  Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty;
Prov Alb 2:22  por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.
Chapter 3
Prov Alb 3:1  Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia,
Prov Alb 3:2  sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje.
Prov Alb 3:3  Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate;
Prov Alb 3:4  do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve.
Prov Alb 3:5  Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd;
Prov Alb 3:6  pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.
Prov Alb 3:7  Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja;
Prov Alb 3:8  kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua.
Prov Alb 3:9  Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke;
Prov Alb 3:10  hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht.
Prov Alb 3:11  Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij,
Prov Alb 3:12  sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen.
Prov Alb 3:13  Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen.
Prov Alb 3:14  Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar.
Prov Alb 3:15  Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të.
Prov Alb 3:16  Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj.
Prov Alb 3:17  Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja.
Prov Alb 3:18  Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje.
Prov Alb 3:19  Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.
Prov Alb 3:20  Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
Prov Alb 3:21  Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.
Prov Alb 3:22  Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.
Prov Alb 3:23  Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.
Prov Alb 3:24  Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.
Prov Alb 3:25  Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,
Prov Alb 3:26  sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.
Prov Alb 3:27  Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
Prov Alb 3:28  Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme.
Prov Alb 3:29  Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.
Prov Alb 3:30  Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.
Prov Alb 3:31  Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,
Prov Alb 3:32  sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.
Prov Alb 3:33  Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.
Prov Alb 3:34  Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.
Prov Alb 3:35  Njerëzit e urtë do të trashëgojnë lavdinë, por poshtërsia do të jetë trashëgimia e atyre që nuk kanë mend.
Chapter 4
Prov Alb 4:1  Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,
Prov Alb 4:2  sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
Prov Alb 4:3  Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënes sime,
Prov Alb 4:4  ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
Prov Alb 4:5  Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;
Prov Alb 4:6  mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.
Prov Alb 4:7  Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.
Prov Alb 4:8  Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvehtëson.
Prov Alb 4:9  Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".
Prov Alb 4:10  Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.
Prov Alb 4:11  Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.
Prov Alb 4:12  Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.
Prov Alb 4:13  Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.
Prov Alb 4:14  Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;
Prov Alb 4:15  evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.
Prov Alb 4:16  Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;
Prov Alb 4:17  ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
Prov Alb 4:18  Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë deri sa të bëhet ditë e plotë.
Prov Alb 4:19  Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.
Prov Alb 4:20  Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;
Prov Alb 4:21  mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;
Prov Alb 4:22  sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.
Prov Alb 4:23  Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.
Prov Alb 4:24  Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.
Prov Alb 4:25  Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.
Prov Alb 4:26  Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.
Prov Alb 4:27  Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.
Chapter 5
Prov Alb 5:1  Biri im, ki kujdes për diturinë time, vëri veshin arsyetimit tim,
Prov Alb 5:2  me qëllim që ti të ruash gjykimin dhe buzët e tua të fiksojnë diturinë.
Prov Alb 5:3  Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji;
Prov Alb 5:4  por në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si një shpatë me dy presa.
Prov Alb 5:5  Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes, hapat e saj çojnë drejtpërdrejt në Sheol.
Prov Alb 5:6  Ajo nuk ecën në shtegun e jetës, por ti nuk i jep rëndësi kësaj gjëje; rrugët e saj janë të gabuara, por ti nuk e kupton.
Prov Alb 5:7  Prandaj tani, bij të mi, më dëgjoni dhe mos u largoni nga fjalët e gojës sime.
Prov Alb 5:8  Mbaje larg prej saj rrugën tënde dhe mos iu afro portës së shtëpisë së saj,
Prov Alb 5:9  për të mos ua dhënë të tjerëve fuqinë tënde dhe vitet e tua dikujt që nuk ka mëshirë.
Prov Alb 5:10  Me qëllim që të huajt të mos ngopen me pasurinë tënde, dhe mundi yt të mos shkojë në shtëpinë e një të huaji,
Prov Alb 5:11  dhe të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar,
Prov Alb 5:12  dhe të thuash: "Vallë si urreva mësimin, dhe si e ka përçmuar qortimin zemra ime?
Prov Alb 5:13  Nuk dëgjova zërin e atyre që më mësonin dhe nuk ua vura veshin atyre që më udhëzonin.
Prov Alb 5:14  U ndodha pothuajse në një të keqe të plotë në mes të turmës dhe të kuvendit".
Prov Alb 5:15  Pi ujin e sternës sate dhe ujin e rrjedhshëm të pusit tënd.
Prov Alb 5:16  A duhet burimet e tua të derdhen jashtë, si rrëke uji nëpër rrugë?
Prov Alb 5:17  Qofshin vetëm për ty dhe jo për të huajtë bashkë me ty.
Prov Alb 5:18  Qoftë i bekuar burimi yt dhe gëzohu me nusen e rinisë sate.
Prov Alb 5:19  Drenushë e dashur dhe gazelë hirplotë, sisët e saj le të të kënaqin kurdoherë, dhe qofsh vazhdimisht i dhënë pas dashurisë që ke për të.
Prov Alb 5:20  Pse vallë, biri im, të biesh në dashuri me një grua që ka shkelur kurorën dhe të rrokësh gjirin e një të huaje?
Prov Alb 5:21  Sepse rrugët e njeriut janë gjithnjë përpara syve të Zotit, dhe ai vëzhgon të gjitha shtigjet e tij.
Prov Alb 5:22  I pabesi zihet nga vetë paudhësitë e tij dhe mbahet nga litarët e mëkatit të tij.
Prov Alb 5:23  Ai ka për të vdekur sepse nuk korrigjohet dhe do të zhduket për shkak të marrëzisë së tij.
Chapter 6
Prov Alb 6:1  Biri im, në qoftë se je bërë garant për të afërmin tënd, në rast se ke dhënë dorën si garanci për një të huaj,
Prov Alb 6:2  je zënë në lakun e fjalëve të gojës sate, je zënë nga fjalët e gojës sate.
Prov Alb 6:3  Bëj këtë, pra, biri im, dhe shpengohu, sepse ke rënë në duart e të afërmit tënd. Shko, hidhu në këmbët e tij dhe ngul këmbë me të madhe te i afërmi yt.
Prov Alb 6:4  Mos u jep gjumë syve të tu as çlodhje qepallave të tua;
Prov Alb 6:5  çlirohu si gazela nga dora e gjahtarit, si zogu nga dora e atij që kap zogjtë.
Prov Alb 6:6  Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë.
Prov Alb 6:7  Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot;
Prov Alb 6:8  e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.
Prov Alb 6:9  Deri kur, o përtac, do të rrish duke fjetur? Kur do të shkundesh nga gjumi yt?
Prov Alb 6:10  Të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish me duar në ije për t'u çlodhur,
Prov Alb 6:11  kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës, dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
Prov Alb 6:12  Njeriu pa vlerë, njeriu i keq, ecën me një gojë të çoroditur;
Prov Alb 6:13  luan syrin, flet me këmbët, bën shenja me gishta;
Prov Alb 6:14  ka ligësi në zemër, kurdis vazhdimisht të keqen dhe mbjell grindje.
Prov Alb 6:15  Prandaj shkatërrimi i tij do të vijë papritur, në një çast do të shkatërrohet pa rrugëdalje tjetër.
Prov Alb 6:16  Zoti i urren këto gjashtë gjëra, madje shtatë janë të neveritshme për të:
Prov Alb 6:17  sytë krenare, gjuha gënjeshtare, duart që derdhin gjak të pafajshëm,
Prov Alb 6:18  zemra që kurdis plane të këqija, këmbët që turren shpejt drejt së keqes,
Prov Alb 6:19  dëshmitari i rremë që thotë gënjeshtra dhe ai që shtie grindje midis vëllezërve.
Prov Alb 6:20  Biri im, ruaje urdhërimin e atit tënd dhe mos harro mësimet e nënës sate.
Prov Alb 6:21  Mbaji vazhdimisht të lidhura në zemrën tënde dhe fiksoji rreth qafës sate.
Prov Alb 6:22  Kur do të ecësh, do të të udhëheqin; kur të pushosh, do të të ruajnë; kur të zgjohesh, do të flasin me ty.
Prov Alb 6:23  Sepse urdhërimi është një llambë, mësimi një dritë, dhe ndreqjet e mësimit janë rruga e jetës,
Prov Alb 6:24  për të të mbrojtur nga gruaja e keqe, nga lajkat e gjuhës të gruas së huaj.
Prov Alb 6:25  Mos dëshiro në zemrën tënde bukurinë e saj dhe mos u rrëmbe nga qepallat e saj.
Prov Alb 6:26  Sepse për një prostitutë burri katandiset për një copë bukë, dhe gruaja e një tjetri gjuan shpirtin e vyer të një burri.
Prov Alb 6:27  A mund të mbajë burri një zjarr në gji të tij pa djegur rrobat e trupit?
Prov Alb 6:28  A mund të ecë burri mbi qymyr të ndezur pa djegur këmbët e tij?
Prov Alb 6:29  Në këtë gjendje është ai që shkon tek gruaja e një tjetri; kush e prek nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Prov Alb 6:30  Nuk përçmohet hajduti që vjedh për të shuar urinë kur është i uritur;
Prov Alb 6:31  por në rast se kapet në faj, duhet të kthejë shtatëfishin, dhe të japë tërë pasurinë e shtëpisë së tij.
Prov Alb 6:32  Por ai që kryen një shkelje kurore me një grua është një njeri pa mend; ai që bën një gjë të tillë shkatërron jetën e tij.
Prov Alb 6:33  Do të gjejë plagë dhe përçmim, dhe turpi i tij nuk do t'i hiqet kurrë.
Prov Alb 6:34  sepse xhelozia e tërbon bashkëshortin, që do të jetë i pamëshirshëm ditën e hakmarrjes.
Prov Alb 6:35  Ai nuk do të pranojë asnjë shpërblim dhe nuk do të kënaqet, edhe sikur t'i bëjnë shumë dhurata.
Chapter 7
Prov Alb 7:1  Biri im, ruaji fjalët e mia dhe urdhërimet e mia në veten tënde,
Prov Alb 7:2  Ruaji urdhërimet e mia dhe ke për të jetuar; ruaji mësimet e mia si bebja e syve të tu.
Prov Alb 7:3  Lidhi ndër gishta, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate.
Prov Alb 7:4  Thuaji diturisë: "Ti je motra ime" dhe quaje "shok" gjykimin,
Prov Alb 7:5  me qëllim që të të ruajnë nga gruaja e tjetrit nga gruaja e huaj që përdor fjalë lajkatare.
Prov Alb 7:6  Nga dritarja e shtëpisë sime shikoja nëpër parmakët prej hekuri
Prov Alb 7:7  dhe pashë midis budallenjve; dallova midis të rinjve një djalë të ri që s'kishte gjykim,
Prov Alb 7:8  që kalonte nëpër rrugë pranë qoshes të gruas së huaj dhe drejtohej nga shtëpia e saj,
Prov Alb 7:9  në muzg, kur po ngryste dita, ndërsa zbriste nata e zezë dhe e errët.
Prov Alb 7:10  I doli para një grua e veshur si prostitutë dhe dinake;
Prov Alb 7:11  ajo është turbulluese dhe provokuese, dhe nuk di t'i mbajë këmbët në shtëpinë e saj;
Prov Alb 7:12  herë mbi rrugë, herë në sheshet qëndron në pritë në çdo qoshe.
Prov Alb 7:13  Kështu e zuri dhe e puthi, pastaj me paturpësi tha:
Prov Alb 7:14  "Duhet të bëja flijimet e falenderimit; pikërisht sot i plotësova zotimet e mia;
Prov Alb 7:15  prandaj të dola para që të të kërkoj dhe të gjeta.
Prov Alb 7:16  E zbukurova shtratin tim me një mbulesë si sixhade, me li të ngjyrosur nga Egjipti;
Prov Alb 7:17  e parfumova shtratin tim me mirrë, me aloe dhe me kanellë.
Prov Alb 7:18  Eja, të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie,
Prov Alb 7:19  sepse burri im nuk është në shtëpi, por ka shkuar në një udhëtim të gjatë;
Prov Alb 7:20  ka marrë me vete një thes të vogël me pare dhe do të kthehet në shtëpi vetëm kur të jetë hëna e plotë".
Prov Alb 7:21  Ajo e mashtroi me fjalë bindëse, e tërhoqi me ëmbëlsinë e buzëve të saj.
Prov Alb 7:22  Ai e ndoqi pa mëdyshje, si një ka që shkon në thertore, si një i lidhur në dënimin e budallait,
Prov Alb 7:23  deri sa një shigjetë nuk i shpon mëlçinë; ai nxiton si një zog, pa ditur që një lak është ngritur kundër jetës së tij.
Prov Alb 7:24  Prandaj, bij të mi, më dëgjoni, kushtojuni kujdes fjalëve të gojës sime.
Prov Alb 7:25  Zemra jote të mos shkojë pas rrugëve të saj, mos devijo nëpër shtigjet e saj,
Prov Alb 7:26  sepse ka rrëzuar shumë të plagosur për vdekje, dhe tërë ata që ajo ka vrarë ishin burra të fortë.
Prov Alb 7:27  Shtëpia e saj është rruga e Sheolit që zbret në thellësitë e vdekjes.
Chapter 8
Prov Alb 8:1  A nuk bërtet vallë dituria dhe maturia a nuk e bën zërin e saj të dëgjohet?
Prov Alb 8:2  Ajo qëndron në këmbë mbi majën e lartësive, gjatë rrugës, në kryqëzimet e rrugëve;
Prov Alb 8:3  bërtet pranë portave, në hyrje të qyteteve, në prag të dyerve;
Prov Alb 8:4  "Ju drejtohem juve, o njerëz dhe zëri im u drejtohet bijve të njeriut.
Prov Alb 8:5  Kuptoni, o njerëz të thjeshtë, maturinë, dhe ju, njerëz pa mend, kini një zemër të urtë.
Prov Alb 8:6  Më dëgjoni, sepse do të flas për gjëra të rëndësishme dhe buzët e mia do të hapen për të thënë gjëra të drejta.
Prov Alb 8:7  Sepse goja ime do të shpallë të vërtetën; pabesia është e neveritshme për buzët e mia.
Prov Alb 8:8  Të gjitha fjalët e gojës sime janë të drejta, në to nuk ka asgjë të shtrembër dhe të çoroditur.
Prov Alb 8:9  Janë të gjitha të drejta për atë që ka mend dhe për ata që kanë gjetur dijen.
Prov Alb 8:10  Pranoni mësimin tim dhe jo argjendin, dijen në vend të arit të zgjedhur,
Prov Alb 8:11  sepse dituria vlen më tepër se margaritarët, të gjitha gjërat që dikush mund dikush të dëshiroje nuk barazohen me të.
Prov Alb 8:12  Unë, dituria, rri me maturinë dhe e gjej dijen në meditim.
Prov Alb 8:13  Frika e Zotit është të urresh të keqen; unë e urrej kryelartësinë, arrogancën, rrugën e keqe dhe gojën e çoroditur.
Prov Alb 8:14  Mua më takon mendimi dhe dituria e vërtetë; unë jam zgjuarsia, mua më përket forca.
Prov Alb 8:15  Nëpërmjet meje mbretërojnë mbretërit dhe princat vendosin drejtësinë.
Prov Alb 8:16  Nëpërmjet meje qeverisin krerët, fisnikët, tërë gjykatësit e tokës.
Prov Alb 8:17  Unë i dua ata që më duan, dhe ata që më kërkojnë me kujdes më gjejnë.
Prov Alb 8:18  Me mua janë pasuria dhe lavdia, pasuria që zgjat dhe drejtësia.
Prov Alb 8:19  Fryti im është më i mirë se ari, po, se ari i kulluar, dhe prodhimi im më tepër se argjendi i zgjedhur.
Prov Alb 8:20  Unë eci në rrugën e drejtësisë, në mes të shtigjeve të drejtësisë,
Prov Alb 8:21  për t'i bërë ata që më duan të trashëgojnë pasurinë e vërtetë dhe për të mbushur thesaret e tyre.
Prov Alb 8:22  Zoti më zotëroi në fillim të rrugës së tij, përpara veprave të tij më të lashta.
Prov Alb 8:23  U vendosa nga amshimi, që në krye, para se toka të ekzistonte.
Prov Alb 8:24  Më prodhuan kur nuk kishte ende humnera, kur nuk kishte burime me ujë të bollshëm.
Prov Alb 8:25  Më prodhuan para se themelet e maleve të ishin përforcuar, para kodrinave,
Prov Alb 8:26  kur nuk kishte sajuar ende as tokën, as fushat dhe as plisat e para të dheut.
Prov Alb 8:27  Kur ai fiksonte qiejtë, unë isha aty; kur bënte një rreth mbi sipërfaqen e humnerës,
Prov Alb 8:28  kur i bënte të qëndrueshëm qiejtë e epërm, kur përforconte burimet e humnerës,
Prov Alb 8:29  kur i caktonte detit caqet e tij në mënyrë që ujërat të mos kalonin përtej urdhërit të tij, kur vendoste themelet e dheut,
Prov Alb 8:30  unë isha pranë tij si një arkitekt, isha çdo ditë kënaqësia e tij, duke u gëzuar çdo çast para tij;
Prov Alb 8:31  kënaqesha në pjesën e banueshme të botës dhe gjeja ëndjen time me bijtë e njerëzve.
Prov Alb 8:32  Tani, pra, më dëgjoni, o bij; lum ata që ndjekin rrugët e mia!
Prov Alb 8:33  Dëgjoni këto mësime, tregohuni të urtë dhe mos i hidhni poshtë!
Prov Alb 8:34  Lum ai njeri që më dëgjon, duke u gdhirë çdo ditë te portat e mia dhe duke ruajtur shtalkat e portave të mia.
Prov Alb 8:35  Sepse ai që më gjen, gjen jetën, dhe siguron përkrahjen e Zotit.
Prov Alb 8:36  Por ai që mëkaton kundër meje, i bën të keqe vetvetes; të gjithë ata që më urrejnë duan vdekjen".
Chapter 9
Prov Alb 9:1  Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.
Prov Alb 9:2  Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.
Prov Alb 9:3  Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:
Prov Alb 9:4  "Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:
Prov Alb 9:5  "Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.
Prov Alb 9:6  Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".
Prov Alb 9:7  Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.
Prov Alb 9:8  Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.
Prov Alb 9:9  Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.
Prov Alb 9:10  Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.
Prov Alb 9:11  Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.
Prov Alb 9:12  Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t'i kesh vetëm ti.
Prov Alb 9:13  Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.
Prov Alb 9:14  Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,
Prov Alb 9:15  për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:
Prov Alb 9:16  "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:
Prov Alb 9:17  "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme".
Prov Alb 9:18  Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.
Chapter 10
Prov Alb 10:1  Fjalët e urta të Salomonit. Një fëmijë e urtë e gëzon të atin, por një fëmijë budalla i shkakton vuajtje nënes së vet.
Prov Alb 10:2  Thesaret e padrejtësisë nuk japin dobi, por drejtësia të çliron nga vdekja.
Prov Alb 10:3  Zoti nuk do të lejojë që i drejti të vuajë nga uria, por hedh poshtë dëshirën e të pabesëve.
Prov Alb 10:4  Kush punon me dorë përtace varfërohet, por dora e njerëzve të zellshëm të bën të pasurohesh.
Prov Alb 10:5  Ai që mbledh gjatë verës është një bir i matur, por ai që fle në kohën e korrjeve është një bir që të mbulon me turp.
Prov Alb 10:6  Ka bekime mbi kokën e të drejtit, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
Prov Alb 10:7  Kujtimi i të drejtit është në bekim, por emri i të pabesit do të kalbet.
Prov Alb 10:8  Zemërurti i pranon urdhërimet, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
Prov Alb 10:9  Ai që ecën në ndershmëri ecën i sigurt, por ai që ndjek rrugë dredharake ka për t'u zbuluar.
Prov Alb 10:10  Kush e shkel syrin shkakton vuajtje, por fjalamani budalla do të rrëzohet.
Prov Alb 10:11  Goja e të drejtit është një burim jete, por dhuna e mbulon gojën e të pabesëve.
Prov Alb 10:12  Urrejtja shkakton grindje, por dashuria mbulon të gjitha fajet.
Prov Alb 10:13  Dituria gjendet mbi buzët e atyre që kanë mendje, por shkopi është për kurrizin e atyre që nuk kanë mend.
Prov Alb 10:14  Të urtët grumbullojnë njohuri, por goja e budallait është një shkatërrim i shpejtë.
Prov Alb 10:15  Begatia e të pasurit është qyteti i tij i fortë; shkatërrimi i të varfërit është varfëria e tyre.
Prov Alb 10:16  Puna e të drejtit i shërben jetës, fitimi i të pabesit mëkatit.
Prov Alb 10:17  Kush ruan mësimet është në rrugën e jetës; por kush nuk pranon kritikën humb.
Prov Alb 10:18  Kush e maskon urrejtjen ka buzë gënjeshtare dhe ai që përhap shpifje është budalla.
Prov Alb 10:19  Në fjalët e shumta faji nuk mungon, por ai që i frenon buzët e tij është i urtë.
Prov Alb 10:20  Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur, por zemra e të pabesëve vlen pak.
Prov Alb 10:21  Buzët e të drejtit ushqejnë mjaft njerëz, por budallenjtë vdesin sepse nuk kanë mend.
Prov Alb 10:22  Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.
Prov Alb 10:23  Kryerja e një kobi për budallanë është si një zbavitje; kështu është dituria për njeriun që ka mend.
Prov Alb 10:24  Të pabesit i ndodh ajo nga e cila trembet, por njerëzve të drejtë u jepet ajo që dëshirojnë.
Prov Alb 10:25  Kur kalon furtuna, i pabesi nuk është më, por i drejti ka një themel të përjetshëm.
Prov Alb 10:26  Ashtu si uthulla për dhëmbët dhe tymi për sytë, kështu është dembeli për ata që e dërgojnë.
Prov Alb 10:27  Frika e Zotit i zgjat ditët, por vitet e të pabesit do të shkurtohen.
Prov Alb 10:28  Shpresa e të drejtëve është gëzimi, por pritja e të pabesëve do të zhduket.
Prov Alb 10:29  Rruga e Zotit është një kala për njeriun e ndershëm, por është shkatërrim për ata që kryejnë padrejtësi.
Prov Alb 10:30  I drejti nuk do të lëvizet kurrë, por të pabesët nuk do të banojnë në tokë.
Prov Alb 10:31  Goja e të drejtit prodhon dituri, por gjuha e çoroditur do të pritet.
Prov Alb 10:32  Buzët e të drejtit njohin atë që është e pranueshme; por goja e të pabesëve njeh vetëm gjëra të çoroditura.
Chapter 11
Prov Alb 11:1  Peshorja e pasaktë është e neveritshme për Zotin, por peshimi i saktë i pëlqen.
Prov Alb 11:2  Kur vjen kryelartësia, vjen edhe turpi; por dituria është me njerëzit e thjeshtë.
Prov Alb 11:3  Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria, por ligësia e të pabesëve do t'i shkatërrojë këta.
Prov Alb 11:4  Pasuritë nuk sjellin dobi ditën e zemërimit, por drejtësia të shpëton nga vdekja.
Prov Alb 11:5  Drejtësia e njeriut të ndershëm i hap rrugën, por i pabesi bie për shkak të paudhësisë së tij.
Prov Alb 11:6  Drejtësia e njerëzve të drejtë i çliron këta, por njerëzit e pabesë do të kapen nga vetë ligësia e tyre.
Prov Alb 11:7  Kur vdes një i pabesë, shpresa e tij humb dhe shpresa e njerëzve të padrejtë davaritet.
Prov Alb 11:8  I drejti çlirohet nga fatkeqësia, por i pabesi i zë vendin.
Prov Alb 11:9  Me gojën e tij hipokriti shkatërron të afërmin e tij, por të drejtët çlirohen për shkak të dijes së tyre.
Prov Alb 11:10  Kur të drejtët begatohen, qyteti gëzohet; por kur vdesin të pabesët, dëgjohen britma gëzimi.
Prov Alb 11:11  Nga bekimi i njerëzve të drejtë qyteti ngrihet, por goja e të pafeve e çon në shkatërrim.
Prov Alb 11:12  Kush e përbuz të afërmin e tij nuk ka mend, por njeriu i matur hesht.
Prov Alb 11:13  Kush shkon rreth e qark duke përfolur, nxjerr sekretet, por ai që ka një shpirt besnik i fsheh ato.
Prov Alb 11:14  Pa një udhëheqje të urtë populli bie, por gjen shpëtim në numrin e madh të këshilltarëve.
Prov Alb 11:15  Kush bëhet garant për një të huaj do të pësojë dëmet e këtij veprimi, por ai që refuzon të japë dorën si garant është i sigurt.
Prov Alb 11:16  Gruaja e bukur fiton lavdinë dhe njerëzit e dhunshëm grumbullojnë pasuri.
Prov Alb 11:17  Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.
Prov Alb 11:18  I pabesi realizon një fitim të rremë, por ai që mbjell drejtësi do të ketë një shpërblim të sigurt.
Prov Alb 11:19  Ashtu si drejtësia të çon në jetë, kështu ai që shkon pas të keqes gjen vdekjen.
Prov Alb 11:20  Të çoroditurit nga zemra janë të neveritur për Zotin, por ata që janë të ndershëm në sjelljen e tyre pëlqehen nga ai.
Prov Alb 11:21  Edhe kur i shtrëngon dorën një tjetri për një besëlidhje, njeriu i keq nuk do të mbetet i pandëshkuar, por pasardhësit e të drejtëve do të shpëtojnë.
Prov Alb 11:22  Si një unazë ari në feçkën e një derri, kështu është një grua e bukur që nuk ka mend.
Prov Alb 11:23  Dëshira e të drejtëve është vetëm e mira, por shpresa e të pabesëve është zemërimi.
Prov Alb 11:24  Ka nga ata që shkapërderdhin bujari dhe bëhen më të pasur, dhe ka nga ata që kursejnë më tepër se duhet dhe bëhen gjithnjë e më të varfër.
Prov Alb 11:25  Njeriu bujar do të pasurohet dhe ai që vadit do të vaditet gjithashtu.
Prov Alb 11:26  Populli mallkon atë që nuk pranon të japë grurin, por bekimi bie mbi kokën e atij që e shet.
Prov Alb 11:27  Kush kërkon me zell të mirën fiton dashamirësinë, por ai që kërkon të keqen, kjo do t'i bjerë mbi të.
Prov Alb 11:28  Kush ka besim në pasuritë e tij do të rrëzohet, por të drejtët do të çelin si gjethe.
Prov Alb 11:29  Ai që bën rrëmujë në shtëpinë e vet do të trashëgojë erën, dhe budallai do të jetë shërbëtori i atij që është i urtë nga zemra.
Prov Alb 11:30  Fryti i të drejtit është një dru i jetës, dhe ai që shtie në dorë shpirtërat është i urtë.
Prov Alb 11:31  Ja, i drejti merr shpërblimin mbi tokë, e aq më tepër i pabesi dhe mëkatari!
Chapter 12
Prov Alb 12:1  Kush e do korrigjimin do diturinë, por ai që e urren kritikën është budalla.
Prov Alb 12:2  Njeriu i mirë gëzon përkrahjen e Zotit, por ky do të dënojë njeriun që sajon plane të këqija.
Prov Alb 12:3  Njeriu nuk bëhet i qëndrueshëm me pabesinë, por rrënja e të drejtëve nuk do të lëvizet kurrë.
Prov Alb 12:4  Gruaja e virtytshme është kurora e burrit të saj, por ajo që e turpëron është si një krimb në kockat e tij.
Prov Alb 12:5  Mendimet e të drejtëve janë drejtësia, por synimet e të pabesëve janë mashtrimi.
Prov Alb 12:6  Fjalët e të pabesëve rrinë në pritë për të derdhur gjak, por goja e njerëzve të drejtë do t'i çlirojë.
Prov Alb 12:7  Të pabesët janë përmbysur dhe nuk janë më, por shtëpia e të drejtëve do të mbetet më këmbë.
Prov Alb 12:8  Një njeri lëvdohet për gjykimin e tij, por ai që ka një zemër të çoroditur do të përçmohet.
Prov Alb 12:9  Éshtë më mirë të të çmojnë pak dhe të kesh një shërbëtor, se sa të të nderojnë dhe të mos kesh bukë.
Prov Alb 12:10  I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij, por të përbrendshmet e të pabesëve janë mizore.
Prov Alb 12:11  Kush punon tokën e tij do të ngopet me bukë, por ai që shkon pas kotësive është pa mend.
Prov Alb 12:12  I pabesi dëshiron gjahun e njerëzve të këqij, por rrënja e të drejtëve sjell fryt.
Prov Alb 12:13  Njeriu i keq kapet në kurthin e mëkatit të buzëve të tij, por i drejti do t'i shpëtojë fatkeqësisë.
Prov Alb 12:14  Njeriu do të ngopet me të mira për frytin e gojës së tij, dhe secili do të marrë shpërblimin simbas veprës së duarve të tij.
Prov Alb 12:15  Rruga e budallait është e drejtë para syve të tij, por ai që dëgjon këshillat është i urtë.
Prov Alb 12:16  Budallai e tregon menjëherë pezmatimin e tij, por njeriu i matur e fsheh turpin.
Prov Alb 12:17  Ai që thotë të vërtetën shpall atë që është e drejtë, por dëshmitari i rremë thotë mashtrime.
Prov Alb 12:18  Kush flet pa mend është si ai që shpon me shpatë, por gjuha e të urtëve sjell shërim.
Prov Alb 12:19  Buza që thotë të vërtetën, do të bëhet e qëndrueshme përjetë, por gjuha që gënjen zgjat vetëm një çast.
Prov Alb 12:20  Mashtrimi është në zemrën e atyre që kurdisin të keqen, por për ata që këshillojnë paqen ka gëzim.
Prov Alb 12:21  Asnjë e keqe nuk do t'i ndodhë të drejtit, por të pabesët do të kenë plot telashe.
Prov Alb 12:22  Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij.
Prov Alb 12:23  Njeriu i matur e fsheh diturinë e tij, por zemra e budallenjve shpall budallallëkun e tyre.
Prov Alb 12:24  Dora e njeriut të kujdeshëm do të sundojë, por dora e përtacëve do t'i nënshtrohet punës së detyrueshme.
Prov Alb 12:25  Shqetësimi në zemrën e njeriut e rrëzon atë, por një fjalë e mirë e gëzon atë.
Prov Alb 12:26  I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.
Prov Alb 12:27  Përtaci nuk e pjek gjahun e tij, por kujdesi për njeriun është një pasuri e çmueshme.
Prov Alb 12:28  Mbi shtegun e drejtësisë ka jetë, dhe mbi këtë shteg nuk ka vdekje.
Chapter 13
Prov Alb 13:1  Një bir i urtë dëgjon mësimet e atit të vet, por tallësi nuk e dëgjon qortimin.
Prov Alb 13:2  Nga fryti i gojës së tij njeriu do të hajë atë që është e mirë, por shpirti i të pabesëve do të ushqehet me dhunë.
Prov Alb 13:3  Kush kontrollon gojën e tij mbron jetën e vet, por ai që i hap shumë buzët e tij shkon drejt shkatërrimit.
Prov Alb 13:4  Shpirti i përtacit dëshiron dhe nuk ka asgjë, por shpirti i atyre që janë të kujdesshëm do të kënaqet plotësisht.
Prov Alb 13:5  I drejti e urren gënjeshtrën, por i pabesi është i neveritshëm dhe do të turpërohet.
Prov Alb 13:6  Drejtësia ruan atë që ndjek një rrugë të ndershme, por pabesia e rrëzon mëkatarin.
Prov Alb 13:7  Ka nga ata që sillen si një i pasur, por nuk kanë asgjë; përkundrazi ka nga ata që sillen si një i varfër, por kanë shumë pasuri.
Prov Alb 13:8  Pasuritë e një njeriu shërbejnë për të shpërblyer jetën e tij, por i varfëri nuk ndjen asnjë kërcënim.
Prov Alb 13:9  Drita e të drejtëve shkëlqen bukur, por llamba e të pabesëve do të shuhet.
Prov Alb 13:10  Nga krenaria rrjedhin vetëm grindjet, por dituria është me ata që u kushtojnë kujdes këshillave.
Prov Alb 13:11  Pasuria e përftuar në mënyrë jo të ndershme do të katandiset në pak gjëra, por atij që e grumbullon me mund do t'i shtohet ajo.
Prov Alb 13:12  Pritja e zgjatur e ligështon zemrën, por dëshira e plotësuar është një dru i jetës.
Prov Alb 13:13  Ai që përçmon fjalën do të shkatërrohet, por ai që respekton urdhërimin do të shpërblehet.
Prov Alb 13:14  Mësimet e të urtit janë burim jete për t'i evituar dikujt leqet e vdekjes.
Prov Alb 13:15  Gjykimi i mirë siguron favor, por veprimi i të pabesëve është i dëmshëm.
Prov Alb 13:16  Çdo njeri i matur vepron me dituri, por budallai kapardiset me marrëzinë e tij.
Prov Alb 13:17  Lajmëtari i keq bie në telashe, por lajmëtari besnik sjell shërim.
Prov Alb 13:18  Mjerimi dhe turpi do të vjinë mbi atë që nuk pranon korrigjimin, por ai që dëgjon qortimin do të nderohet.
Prov Alb 13:19  Dëshira e realizuar është e ëmbël për shpirtin, por për budallenjtë është një gjë e neveritshme largimi nga e keqja.
Prov Alb 13:20  Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.
Prov Alb 13:21  E keqja përndjek mëkatarët, por i drejti do të shpërblehet me të mirën.
Prov Alb 13:22  Njeriu i mirë i lë një trashëgim bijve të bijve të tij, por pasuria e mëkatarit vihet mënjanë për të drejtin.
Prov Alb 13:23  Ara e punuar e të varfërve jep ushqim me shumicë, por ka nga ata që vdesin për mungesë drejtësie.
Prov Alb 13:24  Kush e kursen shufrën urren birin e vet, por ai që e do e korrigjon me kohë.
Prov Alb 13:25  I drejti ha sa të ngopet, por barku i të pabesëve vuan nga uria.
Chapter 14
Prov Alb 14:1  Gruaja e urtë ndërton shtëpinë e saj, por budallaqja e shkatërron me duart e veta.
Prov Alb 14:2  Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.
Prov Alb 14:3  Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.
Prov Alb 14:4  Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
Prov Alb 14:5  Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.
Prov Alb 14:6  Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
Prov Alb 14:7  Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
Prov Alb 14:8  Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
Prov Alb 14:9  Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
Prov Alb 14:10  Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
Prov Alb 14:11  Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.
Prov Alb 14:12  Éshtë një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
Prov Alb 14:13  Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.
Prov Alb 14:14  Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.
Prov Alb 14:15  Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.
Prov Alb 14:16  Njeriu i urtë i trëmbet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.
Prov Alb 14:17  Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.
Prov Alb 14:18  Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
Prov Alb 14:19  Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.
Prov Alb 14:20  Të varfërin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
Prov Alb 14:21  Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfërit është i lumtur.
Prov Alb 14:22  A nuk devijojnë, vallë nga rruga e drejtë ata që kurdisin të keqen? Por ata që mendojnë të mirën kanë për të gjetur mirësi dhe të vërtetën.
Prov Alb 14:23  Në çdo mundim ka një fitim, por fjalët e kota çojnë vetëm në varfëri.
Prov Alb 14:24  Kurora e njerëzve të urtë është pasuria e tyre, por marrëzia e budallenjve është marrëzi.
Prov Alb 14:25  Një dëshmitar që thotë të vërtetën shpëton jetën e njerëzve, por një dëshmitar i rremë thotë gënjeshtra.
Prov Alb 14:26  Në frikën e Zotit gjendet një siguri e madhe, dhe bijtë e tij do të kenë një vend strehimi.
Prov Alb 14:27  Frika e Zotit është një burim jete, që i shmang leqet e vdekjes.
Prov Alb 14:28  Lavdia e mbretit qëndron në turmën e popullit, por shkatërrimi i princit qëndron në mungesën e njerëzve.
Prov Alb 14:29  Kush është i ngadalshëm në zemërim është shumë i matur, por ai që rrëmbehet me lehtësi vë në dukje marrëzinë e tij.
Prov Alb 14:30  Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por lakmia është krimbi brejtës i kockave.
Prov Alb 14:31  Kush shtyp të varfërin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.
Prov Alb 14:32  I pabesi përmbyset nga vetë ligësia e tij, por i drejti ka shpresë në vetë vdekjen e tij.
Prov Alb 14:33  Dituria prehet në zemrën e atij që ka mend, por ajo që është në zemrën e budallenjve merret vesh.
Prov Alb 14:34  Drejtësia e larton një komb, por mëkati është turpi i popujve.
Prov Alb 14:35  Dashamirësia e mbretit është për shërbëtorin që vepron me urtësi, por zemërimi i tij është kundër atij që sillet me paturpësi.
Chapter 15
Prov Alb 15:1  Përgjigja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.
Prov Alb 15:2  Gjuha e të urtëve përdor dijen ndershmërisht, por goja e budallenjve nxjerr marrëzira.
Prov Alb 15:3  Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët.
Prov Alb 15:4  Një gjuhë e shëndoshë është një dru i jetës, por gjuha e çoroditur e sfilit shpirtin.
Prov Alb 15:5  Budallai e përçmon korrigjimin e atit të tij, por ai që e çmon kritikën vepron me zgjuarsi.
Prov Alb 15:6  Në shtëpinë e të drejtit ka bollëk të madh, por në të ardhurat e të pabesit ka telashe.
Prov Alb 15:7  Buzët e të urtëve përhapin dijen, por nuk vepron kështu zemra e budallenjve.
Prov Alb 15:8  Sakrifica e të pabesëve është një neveri për Zotin, por lutja e njerëzve të drejtë i pëlqen atij.
Prov Alb 15:9  Rruga e të pabesit është një neveri për Zotin, por ai do atë që ndjek drejtësinë.
Prov Alb 15:10  Një qortim i rëndë pret atë që braktis rrugën e drejtë, ai që urren kritikën ka për të vdekur.
Prov Alb 15:11  Sheoli dhe Abadoni janë para Zotit; ca më tepër janë zemrat e bijve të njerëzve!
Prov Alb 15:12  Tallësi nuk e do atë që e kritikon; ai nuk shkon tek të urtët.
Prov Alb 15:13  Një zemër e gëzuar e bën të lumtur fytyrën, por nga pikëllimi i zemrës fryma dërrmohet.
Prov Alb 15:14  Zemra e njeriut me mend kërkon dijen, por goja e budallenjve ushqehet me marrëzi.
Prov Alb 15:15  Të gjitha ditët e të varfërit janë të këqija, por për një zemër të kënaqur ka festë përherë.
Prov Alb 15:16  Më mirë pak me frikën e Zotit, se sa një thesar i madh me shqetësime.
Prov Alb 15:17  Më mirë një pjatë me perime në të cilën ka dashuri se sa një ka i majmur në të cilin ka urrejtje.
Prov Alb 15:18  Njeriu gjaknxehtë nxit grindje, por ai që nuk zemërohet shpejt i qetëson grindjet.
Prov Alb 15:19  Rruga e përtacit është si një gardh ferrash, por shtegu i njerëzve të drejtë është i sheshtë.
Prov Alb 15:20  Biri i urtë gëzon të atin, por njeriu budalla përçmon të ëmën.
Prov Alb 15:21  Marrëzia është gëzim për atë që nuk ka mend, por njeriu që ka mend ecën drejt.
Prov Alb 15:22  Planet dështojnë ku nuk ka arsye, por realizohen atje ku ka një mori këshilltarësh.
Prov Alb 15:23  Një njeri ndjen gëzim kur mund të jap një përgjigje dhe sa e mirë është fjala që thuhet në kohën e duhur!
Prov Alb 15:24  Njeriun e matur rruga e jetës e çon lart në mënyrë që të evitojë Sheolin poshtë.
Prov Alb 15:25  Zoti do të shkatërrojë shtëpinë e krenarëve, por do t'i bëjë të qëndrueshëm kufijtë e gruas së ve.
Prov Alb 15:26  Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin, por fjalët e ëmbla janë të pastra.
Prov Alb 15:27  Kush lakmon fitime vë në rrezik shtëpinë e vet, por ai që i urren dhuratat ka për të jetuar.
Prov Alb 15:28  Zemra e të drejtit mendon thellë se si duhet të përgjigjet, por goja e të pabesit vjell gjëra të këqija.
Prov Alb 15:29  Zoti u rri larg të pabesëve, por dëgjon lutjet e të drejtëve.
Prov Alb 15:30  Drita e syve gëzon zemrën, një lajm i mirë i fortëson kockat.
Prov Alb 15:31  Veshi që e dëgjon kritikën e jetës ka për të qëndruar bashkë me të urtët.
Prov Alb 15:32  Kush nuk pranon qortimin e përçmon vetë shpirtin e tij, por ai që dëgjon qortimin bëhet më i urtë.
Prov Alb 15:33  Frika e Zotit është një mësim diturie, dhe përpara lavdisë vjen përulësia.
Chapter 16
Prov Alb 16:1  Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti.
Prov Alb 16:2  Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët.
Prov Alb 16:3  Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen.
Prov Alb 16:4  Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë.
Prov Alb 16:5  Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar.
Prov Alb 16:6  Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja.
Prov Alb 16:7  Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të.
Prov Alb 16:8  Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi.
Prov Alb 16:9  Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij.
Prov Alb 16:10  Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë.
Prov Alb 16:11  Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij.
Prov Alb 16:12  Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë.
Prov Alb 16:13  Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt.
Prov Alb 16:14  Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë.
Prov Alb 16:15  Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit.
Prov Alb 16:16  Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend.
Prov Alb 16:17  Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij.
Prov Alb 16:18  Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare.
Prov Alb 16:19  Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët.
Prov Alb 16:20  Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur.
Prov Alb 16:21  I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë.
Prov Alb 16:22  Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve.
Prov Alb 16:23  Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij.
Prov Alb 16:24  Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat.
Prov Alb 16:25  Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes.
Prov Alb 16:26  Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit.
Prov Alb 16:27  Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur.
Prov Alb 16:28  Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë.
Prov Alb 16:29  Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë.
Prov Alb 16:30  Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen.
Prov Alb 16:31  Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë.
Prov Alb 16:32  Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet.
Prov Alb 16:33  Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.
Chapter 17
Prov Alb 17:1  Éshtë më mirë një copë bukë thatë me paqe se sa një shtëpi plot me kafshë të vrara me grindje.
Prov Alb 17:2  Shërbëtori që vepron me urtësi ka për të sunduar mbi të birin që e turpëron dhe do të marrë një pjesë të trashëgimisë bashkë me vëllezërit.
Prov Alb 17:3  Poçi është për argjendin dhe furra për arin, por ai që provon zemrat është Zoti.
Prov Alb 17:4  Njeriu i keq dëgjon buzët e liga, gënjeshtari dëgjon gjuhën e çoroditur.
Prov Alb 17:5  Ai që përqesh të varfërin fyen Atë që e ka krijuar; ai që kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Prov Alb 17:6  Bijtë e bijve janë kurora e pleqve, dhe lavdia e bijve janë etërit e tyre.
Prov Alb 17:7  Budallait nuk i shkon një e folur e bukur, aq më pak princit nuk i shkojnë buzë gënjeshtare,
Prov Alb 17:8  Një dhuratë është një gur i çmuar në sytë e atij që e ka; ngado që kthehet, ai ia del.
Prov Alb 17:9  Kush mbulon një faj fiton dashuri, por kush i rikthehet përsëri ndan miqtë më të mirë.
Prov Alb 17:10  Një qortim depërton më thellë te njeriu me mend se sa njëqind goditje te budallai.
Prov Alb 17:11  Njeriu i keq nuk kërkon gjë tjetër veç të ngrerë krye, prandaj do të dërgohet kundër tij një lajmëtar mizor.
Prov Alb 17:12  Éshtë më mirë të takosh një harushë se cilës i kanë vjedhur këlyshët e vet se sa një budalla në marrëzinë e tij.
Prov Alb 17:13  E keqja nuk do të largohet nga shtëpia e atij që së mirës i përgjigjet me të keqen.
Prov Alb 17:14  Të fillosh një grindje është sikur t'u çelësh rrugë ujërave; prandaj ndërprite grindjen përpara se të acarohet.
Prov Alb 17:15  Ai që nxjerr të pafajshëm fajtorin dhe ai që dënon të drejtin janë që të dy të neveritshëm për Zotin.
Prov Alb 17:16  Ç'duhet paraja në duart e budallait? Mos vallë për të blerë dituri, kur ai nuk ka mend fare?
Prov Alb 17:17  Miku të do në çdo kohë, por vëllai lind për ditë të vështira.
Prov Alb 17:18  Njeriu që nuk ka mend jep dorën si garanci dhe merr zotime për të afërmin e tij.
Prov Alb 17:19  Ai që do mëkatin i do grindjet, dhe ai që ngre portën e tij kërkon rrënim.
Prov Alb 17:20  Njeriu zemërshthurur nuk gjen asnjë të mirë, dhe ai që ka gjuhën e çoroditur bie në telashe.
Prov Alb 17:21  Atij që i lind një budalla do t'i vijnë hidhërime dhe ati i një budallai nuk mund të ketë gëzim.
Prov Alb 17:22  Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë, por një frymë e dërrmuar i than kockat.
Prov Alb 17:23  I pabesi pranon dhurata fshehurazi për të prishur rrugët e drejtësisë.
Prov Alb 17:24  Dituria qëndron para atij që ka mend, por sytë e budallait enden deri në cepat më të largëta të dheut.
Prov Alb 17:25  Biri budalla është një burim vuajtjesh për atin e tij dhe hidhërim për atë që e ka lindur.
Prov Alb 17:26  Nuk është mirë të dënosh të drejtin, as të godasësh princat për ndershmërinë e tyre.
Prov Alb 17:27  Kush i mat fjalët e veta ka dije, dhe kush ka një shpirt të qetë është njeri i matur.
Prov Alb 17:28  Budallai, edhe kur hesht, konsiderohet i urtë dhe, kur i mban të mbyllura buzët e tij, konsiderohet i zgjuar.
Chapter 18
Prov Alb 18:1  Kush veçohet kërkon kënaqësinë e tij dhe zemërohet kundër gjithë diturisë së vërtetë.
Prov Alb 18:2  Budallai nuk gjen kënaqësi te maturia, por vetëm në të vënit në dukje të zemrës së tij.
Prov Alb 18:3  Kur vjen i pabesi vjen edhe përçmimi dhe bashkë me humbjen e nderit vjen turpi.
Prov Alb 18:4  Fjalët e gojës së një njeriu janë ujëra të thella; burimi i diturisë është si një rrjedhë uji që shkon duke gurgulluar.
Prov Alb 18:5  Nuk është mirë të preferosh të pabesin, apo të shkaktosh humbjen e të drejtit në gjyq.
Prov Alb 18:6  Buzët e budallait të çojnë në grindje, dhe goja e tij kërkon goditje.
Prov Alb 18:7  Goja e budallait është shkatërrimi i tij dhe buzët e tij janë një lak për jetën e tij.
Prov Alb 18:8  Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë.
Prov Alb 18:9  Edhe ai që është përtac në punën e tij është vëlla i planprishësit.
Prov Alb 18:10  Emri i Zotit është një kala e fortë, tek ai turret i drejti dhe gjen siguri.
Prov Alb 18:11  Pasuria e kamësit është qyteti i tij i fortë dhe simbas mendimit të tij ajo është si një mur i lartë.
Prov Alb 18:12  Përpara shkatërrimit, zemra e njeriut ngrihet, por para lavdisë vjen përulësia.
Prov Alb 18:13  Kush jep përgjigje për një çështje para se ta ketë dëgjuar, tregon marrëzinë e tij për turp të vet.
Prov Alb 18:14  Fryma e njeriut i jep krahë në sëmundjen e tij, por kush mund ta ngrerë një frymë të demoralizuar?
Prov Alb 18:15  Zemra e njeriut të matur fiton dituri, edhe veshi i të urtëve kërkon diturinë.
Prov Alb 18:16  Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve.
Prov Alb 18:17  I pari që mbron çështjen e vet duket sikur ka të drejtë; por pastaj vjen tjetri dhe e shqyrton.
Prov Alb 18:18  Fati u jep fund grindjeve dhe i ndan të fuqishmit.
Prov Alb 18:19  Një vëlla i fyer është si një qytet i fortë; dhe grindjet janë si shulat e një kalaje.
Prov Alb 18:20  Njeriu e ngop barkun me frytin e gojës së tij, ai ngopet me prodhimin e buzëve të tij.
Prov Alb 18:21  Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.
Prov Alb 18:22  Kush ka gjetur grua ka gjetur një gjë të mirë dhe ka siguruar një favor nga Zoti.
Prov Alb 18:23  I varfëri flet duke u lutur, kurse i pasuri përgjigjet me ashpërsi.
Prov Alb 18:24  Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.
Chapter 19
Prov Alb 19:1  Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.
Prov Alb 19:2  Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.
Prov Alb 19:3  Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.
Prov Alb 19:4  Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij.
Prov Alb 19:5  Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.
Prov Alb 19:6  Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.
Prov Alb 19:7  Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t'u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.
Prov Alb 19:8  Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.
Prov Alb 19:9  Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.
Prov Alb 19:10  Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.
Prov Alb 19:11  Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t'i kapërcejë fyerjet.
Prov Alb 19:12  Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.
Prov Alb 19:13  Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.
Prov Alb 19:14  Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.
Prov Alb 19:15  Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.
Prov Alb 19:16  Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.
Prov Alb 19:17  Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë.
Prov Alb 19:18  Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.
Prov Alb 19:19  Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.
Prov Alb 19:20  Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
Prov Alb 19:21  Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.
Prov Alb 19:22  Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
Prov Alb 19:23  Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.
Prov Alb 19:24  Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.
Prov Alb 19:25  Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.
Prov Alb 19:26  Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.
Prov Alb 19:27  Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë.
Prov Alb 19:28  Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë.
Prov Alb 19:29  Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.
Chapter 20
Prov Alb 20:1  Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.
Prov Alb 20:2  Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.
Prov Alb 20:3  Éshtë një lavdi për njeriun t'u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.
Prov Alb 20:4  Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.
Prov Alb 20:5  Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.
Prov Alb 20:6  Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?
Prov Alb 20:7  I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.
Prov Alb 20:8  Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.
Prov Alb 20:9  Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?
Prov Alb 20:10  Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.
Prov Alb 20:11  Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.
Prov Alb 20:12  Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.
Prov Alb 20:13  Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.
Prov Alb 20:14  "Éshtë i keq, është i keq", thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.
Prov Alb 20:15  Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.
Prov Alb 20:16  Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
Prov Alb 20:17  Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.
Prov Alb 20:18  Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.
Prov Alb 20:19  Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.
Prov Alb 20:20  Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t'i shuhet në terrin më të madh.
Prov Alb 20:21  Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.
Prov Alb 20:22  Mos thuaj: "Do t'i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.
Prov Alb 20:23  Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.
Prov Alb 20:24  Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?
Prov Alb 20:25  Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.
Prov Alb 20:26  Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.
Prov Alb 20:27  Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.
Prov Alb 20:28  Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.
Prov Alb 20:29  Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.
Prov Alb 20:30  Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.
Chapter 21
Prov Alb 21:1  Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai.
Prov Alb 21:2  Çdo rrugë e njeriut është e drejtë në sytë e tij, por Zoti i peshon zemrat.
Prov Alb 21:3  Të zbatosh drejtësinë dhe paanësinë është një gjë që i pëlqen Zotit më shumë se flijimi.
Prov Alb 21:4  Sytë krenarë dhe një zemër kryelartë, që janë llamba e të pabesëve, janë mëkat.
Prov Alb 21:5  Synimet e njeriut të kujdesshëm çojnë me siguri në bollëk, por ai që ngutet do të bjerë me siguri në varfëri.
Prov Alb 21:6  Të përftosh thesare me një gjuhë gënjeshtare është një kotësi kalimtare e atij që kërkon vdekjen.
Prov Alb 21:7  Dhuna e të pabesëve merr tutje, sepse ata nuk pranojnë të zbatojnë drejtësinë.
Prov Alb 21:8  Rruga e njeriut të fajshëm është dredha-dredha, por njeriu i drejtë vepron ndershmërisht.
Prov Alb 21:9  Éshtë më mirë të banosh mbi qoshen e një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
Prov Alb 21:10  Shpirti i të pabesit dëshiron të keqen; as shoku i tij nuk gjen mëshirë në sytë e tij.
Prov Alb 21:11  Kur tallësi ndëshkohet, i thjeshti bëhet i urtë; por kur i urti mësohet ai fiton dije.
Prov Alb 21:12  I drejti vëren me kujdes shtëpinë e të pabesit dhe përmbys të pabesët, sepse janë të këqij.
Prov Alb 21:13  Kush mbyll veshin ndaj britmës së të varfërit, do të bërtasë edhe ai, por nuk do të ketë përgjigje.
Prov Alb 21:14  Një dhuratë që bëhet fshehtas e fashit zemërimin dhe një dhuratë që jepet nën dorë qetëson zemërimin e fortë.
Prov Alb 21:15  Të bësh atë që është e drejtë është një gëzim për të drejtin, por është një rrënim për ata që kryejnë paudhësi.
Prov Alb 21:16  Njeriu që largohet nga rruga e maturisë ka për të banuar në kuvendin e të vdekurve.
Prov Alb 21:17  Ai që i do qejfet do të jetë në varfëri, ai që e do verën dhe vajin nuk do të pasurohet.
Prov Alb 21:18  I pabesi do t'i shërbejë si shpërblim të drejtit; dhe i paudhi në vend të njerëzve të drejtë.
Prov Alb 21:19  Éshtë më mirë të banosh në një shkretëtirë se sa me një grua grindavece dhe ngacmuese.
Prov Alb 21:20  Në shtëpinë e të urtit ka një thesar të çmuar dhe vaj, por njeriu budalla i bën të gjitha rrush e kumbulla.
Prov Alb 21:21  Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë.
Prov Alb 21:22  I urti ngjitet në qytetin e njerëzve të fortë dhe rrëzon forcën në të cilën kishte besim.
Prov Alb 21:23  Kush ruan gojën dhe gjuhën e tij mbron jetën e tij nga fatkeqësitë.
Prov Alb 21:24  Emri i krenarit pa cipë është: "tallës"; ai çdo gjë e bën me një mburrje të tepruar.
Prov Alb 21:25  Dëshirat e përtacit e vrasin atë, sepse duart e tij nuk pranojnë të punojnë.
Prov Alb 21:26  Ai dëshiron me zjarr tërë ditën, por i drejti dhuron duke mos refuzuar kurrë.
Prov Alb 21:27  Flijimi i të pabesit është gjë e neveritshme, aq më tepër në rast se e ofron me qëllim të keq.
Prov Alb 21:28  Dëshmitari i rremë do të vdesë, por njeriu që e dëgjon do të mund të flasë gjithnjë.
Prov Alb 21:29  I pabesi e fortëson fytyrën e tij, por njeriu i drejtë e bën të qëndrueshme rrugën e tij.
Prov Alb 21:30  Nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit.
Prov Alb 21:31  Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.
Chapter 22
Prov Alb 22:1  Një nam i mirë është më i pëlqyeshëm se pasuritë e mëdha, dhe hiri është më i pëlqyeshëm se argjendi dhe ari.
Prov Alb 22:2  I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.
Prov Alb 22:3  Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.
Prov Alb 22:4  Çmimi i përvujtërisë është frika e Zotit, pasuria, lavdia dhe jeta.
Prov Alb 22:5  Ferra dhe leqe gjenden në udhën e të çoroditurit; kush kujdeset për jetën e vet rri larg tyre.
Prov Alb 22:6  Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.
Prov Alb 22:7  I pasuri sundon mbi të varfërit, dhe huamarrësi është skllav i huadhënësit.
Prov Alb 22:8  Kush mbjell padrejtësi ka për të korrur telashe dhe shufra e zemërimit të tij do të asgjesohet.
Prov Alb 22:9  Njeriu me sy dashamirës do të bekohet, sepse i jep bukë të varfërit.
Prov Alb 22:10  Përzëre tallësin dhe grindjet do të ikin bashkë me të; po, grindjet dhe fyerjet do të pushojnë.
Prov Alb 22:11  Kush e do pastërtinë e zemrës dhe ka hir mbi buzët do ta ketë shok mbretin.
Prov Alb 22:12  Sytë e Zotit ruajnë dijen, por ai i bën të kota fjalët e të pabesit.
Prov Alb 22:13  Përtaci thotë: "Jashtë ka një luan; do të vritem rrugës".
Prov Alb 22:14  Goja e gruas që shkel kurorën është një gropë e thellë; ai që ka zemëruar Zotin do të bjerë në të.
Prov Alb 22:15  Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës, por shufra e korrigjimit do ta largojë prej saj.
Prov Alb 22:16  Ai që shtyp të varfërin për t'u pasuruar dhe ai që i jep të pasurit, me siguri do të varfërohet.
Prov Alb 22:17  Vëru veshin dhe dëgjo fjalët e të urtëve, dhe jepja zemrën dijes sime.
Prov Alb 22:18  sepse për ty do të jetë e këndshme t'i ruash në intimitetin tënd dhe t'i kesh të gjitha gati mbi buzët e tua.
Prov Alb 22:19  Me qëllim që besimin tënd ta kesh te Zoti, sot të kam mësuar, po, pikërisht ty.
Prov Alb 22:20  A nuk të kam shkruar në të kaluarën aforizma që kanë të bëjnë me këshillimin dhe diturinë,
Prov Alb 22:21  në mënyrë që të njohësh sigurinë e fjalëve të së vërtetës, me qëllim që t'u përgjigjesh me fjalë të vërteta atyre që të dërgojnë?
Prov Alb 22:22  Mos e vidh të varfërin, sepse është i varfër, dhe mos e shtyp të mjerin te porta,
Prov Alb 22:23  sepse Zoti do të mbrojë çështjen e tyre dhe do t'u heqë jetën atyre që i kanë zhveshur.
Prov Alb 22:24  Mos lidh miqësi me njeriun zemërak dhe mos u shoqëro me njeriun idhnak,
Prov Alb 22:25  që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd.
Prov Alb 22:26  Mos u bëj si ata që japin dorën si garanci, që bëhen garant për borxhet e të tjerëve.
Prov Alb 22:27  Në qoftë se nuk ke asgjë me se të paguash, pse duhet të të heqë shtratin poshtë vetes?
Prov Alb 22:28  Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.
Prov Alb 22:29  A ke parë një njeri të papërtueshëm në punën e tij? Ai do të paraqitet në prani të mbretit dhe nuk do të qëndrojë para njerëzve të humbur.
Chapter 23
Prov Alb 23:1  Kur ulesh të hash me një mbret, shiko me kujdes atë që ke përpara;
Prov Alb 23:2  dhe vër një thikë në grykë, po të jetë se ke oreks të madh.
Prov Alb 23:3  Mos dëshiro gjellët e tij të mrekullueshme, sepse janë një ushqim mashtrues.
Prov Alb 23:4  Mos u lodh për t'u pasuruar, hiq dorë nga qëllimi yt.
Prov Alb 23:5  A do t'i fiksosh sytë e tu mbi atë që po zhduket? Sepse pasuria me siguri do të vërë fletë si një shqiponjë që fluturon drejt qiellit.
Prov Alb 23:6  Mos ha bukën e atij që ka syrin e keq dhe mos dëshiro ushqimet e tij të shijshme;
Prov Alb 23:7  sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai; "Ha dhe pi"!, do të thotë, por zemra e tij nuk është me ty.
Prov Alb 23:8  Do të vjellësh kafshatën që ke ngrënë dhe do të harxhosh kot fjalët e tua të ëmbla.
Prov Alb 23:9  Mos i drejto fjalën budallait, sepse ai do të përçmojë mençurinë e ligjëratës sate.
Prov Alb 23:10  Mos e luaj kufirin e vjetër dhe mos hyr në arat e jetimëve,
Prov Alb 23:11  sepse Hakmarrësi i tyre është i fuqishëm; ai do të mbrojë çështjen e tyre kundër teje.
Prov Alb 23:12  Kushtoja zemrën tënde mësimeve dhe veshët e tu fjalëve të diturisë.
Prov Alb 23:13  Mos ia kurse korrigjimin fëmijës; edhe sikur ta rrahësh me thupër, ai nuk do të vdesë;
Prov Alb 23:14  do ta rrahësh me thupër, por do të shpëtosh shpirtin e tij nga Sheoli.
Prov Alb 23:15  Biri im, në se zemra jote është e urtë, edhe zemra ime do të ngazëllojë;
Prov Alb 23:16  zemra ime do të ngazëllojë, kur buzët e tua do të thonë gjëra të drejta.
Prov Alb 23:17  Zemra jote mos i pastë zili mëkatarët, por vazhdoftë gjithnjë në frikën e Zotit;
Prov Alb 23:18  sepse ka një të ardhme, dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
Prov Alb 23:19  Dëgjo, biri im, ji i urtë, dhe drejtoje zemrën në rrugën e drejtë.
Prov Alb 23:20  Mos rri me ata që pijnë verë as me grykësit dhe mishngrënësit;
Prov Alb 23:21  sepse pijaneci dhe grykësi do të varfërohen dhe gjumashi do të vishet me lecka.
Prov Alb 23:22  Dëgjo atin tënd që të ka pjellë dhe mos e përçmo nënën tënde kur të jetë plakë.
Prov Alb 23:23  Bli të vërtetën dhe mos e shit, fito dituri, njohuri dhe gjykim.
Prov Alb 23:24  Babai i të drejtit do të gëzohet shumë; kush ka lindur një të urtë do t'ia ndjejë gëzimin.
Prov Alb 23:25  Le të gëzohet ati yt dhe nëna jote dhe le të gëzohet ajo që të ka lindur.
Prov Alb 23:26  Biri im, më jep zemrën tënde, dhe sytë e tu gjetshin gëzim në rrugët e mia.
Prov Alb 23:27  Sepse prostituta është një gropë e thellë dhe gruaja e tjetërkujt një pus i ngushtë.
Prov Alb 23:28  Edhe ajo rri në pritë si një vjedhës dhe rrit midis njerëzve numrin e atyre që janë jo besnikë.
Prov Alb 23:29  Për cilin janë "ah-ët", për cilin "obobo-të"? Për cilin grindjet, për cilin vajtimet? Për cilin plagët pa shkak? Për cilin sytë e skuqur?
Prov Alb 23:30  Për ata që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të droguar.
Prov Alb 23:31  Mos e shiko verën kur kuqëlon, kur rrëzëllen në kupë dhe shkon poshtë aq lehtë!
Prov Alb 23:32  Në fund ajo kafshon si një gjarpër dhe shpon si një kuçedër.
Prov Alb 23:33  Sytë e tu kanë për të parë gjëra të çuditshme dhe zemra jote do të thotë gjëra të çoroditura.
Prov Alb 23:34  Do të jesh si ai që gjendet në mes të detit, si ai që bie të flerë në majë të direkut të anijes.
Prov Alb 23:35  Do të thuash: "Më kanë rrahur, por nuk më kanë bërë keq; më kanë goditur, por nuk e kam vënë re. Kur të zgjohem, do të kthehem t'i kërkoj përsëri!".
Chapter 24
Prov Alb 24:1  Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
Prov Alb 24:2  sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
Prov Alb 24:3  Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
Prov Alb 24:4  Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.
Prov Alb 24:5  Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.
Prov Alb 24:6  Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
Prov Alb 24:7  Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.
Prov Alb 24:8  Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.
Prov Alb 24:9  Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
Prov Alb 24:10  Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
Prov Alb 24:11  Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.
Prov Alb 24:12  Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.
Prov Alb 24:13  Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.
Prov Alb 24:14  Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
Prov Alb 24:15  O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,
Prov Alb 24:16  sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
Prov Alb 24:17  Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
Prov Alb 24:18  me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
Prov Alb 24:19  Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
Prov Alb 24:20  sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
Prov Alb 24:21  Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;
Prov Alb 24:22  mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
Prov Alb 24:23  Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.
Prov Alb 24:24  Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.
Prov Alb 24:25  Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.
Prov Alb 24:26  Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
Prov Alb 24:27  Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
Prov Alb 24:28  Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.
Prov Alb 24:29  Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".
Prov Alb 24:30  Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;
Prov Alb 24:31  dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.
Prov Alb 24:32  Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:
Prov Alb 24:33  të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;
Prov Alb 24:34  kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
Chapter 25
Prov Alb 25:1  Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.
Prov Alb 25:2  Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.
Prov Alb 25:3  Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm.
Prov Alb 25:4  Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.
Prov Alb 25:5  Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.
Prov Alb 25:6  Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj,
Prov Alb 25:7  sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart", se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë.
Prov Alb 25:8  Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp.
Prov Alb 25:9  Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri,
Prov Alb 25:10  me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë.
Prov Alb 25:11  Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.
Prov Alb 25:12  Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.
Prov Alb 25:13  Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij.
Prov Alb 25:14  Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.
Prov Alb 25:15  Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.
Prov Alb 25:16  Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.
Prov Alb 25:17  Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.
Prov Alb 25:18  Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë.
Prov Alb 25:19  Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.
Prov Alb 25:20  Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën.
Prov Alb 25:21  Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë,
Prov Alb 25:22  sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.
Prov Alb 25:23  Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.
Prov Alb 25:24  Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
Prov Alb 25:25  Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur.
Prov Alb 25:26  I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.
Prov Alb 25:27  Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.
Prov Alb 25:28  Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.
Chapter 26
Prov Alb 26:1  Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.
Prov Alb 26:2  Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.
Prov Alb 26:3  Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.
Prov Alb 26:4  Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.
Prov Alb 26:5  Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.
Prov Alb 26:6  Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.
Prov Alb 26:7  Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.
Prov Alb 26:8  Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.
Prov Alb 26:9  Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.
Prov Alb 26:10  Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.
Prov Alb 26:11  Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.
Prov Alb 26:12  A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.
Prov Alb 26:13  Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".
Prov Alb 26:14  Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.
Prov Alb 26:15  Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.
Prov Alb 26:16  Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.
Prov Alb 26:17  Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.
Prov Alb 26:18  Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,
Prov Alb 26:19  kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".
Prov Alb 26:20  Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.
Prov Alb 26:21  Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.
Prov Alb 26:22  Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.
Prov Alb 26:23  Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.
Prov Alb 26:24  Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.
Prov Alb 26:25  Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.
Prov Alb 26:26  Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.
Prov Alb 26:27  Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.
Prov Alb 26:28  Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.
Chapter 27
Prov Alb 27:1  Mos u mburr me ditën e nesërme, sepse nuk di atë që mund të sjellë një ditë.
Prov Alb 27:2  Le të të lëvdoj një tjetër dhe jo goja jote, një i huaj dhe jo buzët e tua.
Prov Alb 27:3  Guri peshon dhe rëra është e rëndë, por zemërimi i budallait peshon më tepër se të dyja bashkë.
Prov Alb 27:4  Tërbimi është mizor dhe zemërimi është i furishëm, por kush mund t'i bëjë ballë xhelozisë?
Prov Alb 27:5  Më mirë një qortim i hapur se një dashuri e fshehur.
Prov Alb 27:6  Besnike janë plagët e një shoku, dhe të rreme të puthurat e një armiku.
Prov Alb 27:7  Kush është i ngopur përçmon huallin e mjaltit; por për atë që ka uri çdo gjë e hidhur është e ëmbël.
Prov Alb 27:8  Si zogu që endet larg folesë së tij, kështu është njeriu që endet larg shtëpisë së tij.
Prov Alb 27:9  Vaji dhe parfumi gëzojnë zemrën, kështu bën ëmbëlsia e një shoku me këshillat e tij të përzërmërta.
Prov Alb 27:10  Mos e braktis mikun tënd as mikun e atit tënd dhe mos shko në shtëpinë e vëllait tënd ditën e fatkeqësisë sate; është më mirë një që banon afër se sa një vëlla larg.
Prov Alb 27:11  Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t'i përgjigjem atij që përflet kundër meje.
Prov Alb 27:12  Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.
Prov Alb 27:13  Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.
Prov Alb 27:14  Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t'ia zënë si mallkim.
Prov Alb 27:15  Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njera tjetrës.
Prov Alb 27:16  Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.
Prov Alb 27:17  Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.
Prov Alb 27:18  Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.
Prov Alb 27:19  Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.
Prov Alb 27:20  Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.
Prov Alb 27:21  Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.
Prov Alb 27:22  Edhe sikur ta shtypje budallanë në një havan bashkë me grurë me dygeçin e tij, budallallëku nuk do të largohej prej tij.
Prov Alb 27:23  Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,
Prov Alb 27:24  sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.
Prov Alb 27:25  Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,
Prov Alb 27:26  qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are
Prov Alb 27:27  dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.
Chapter 28
Prov Alb 28:1  I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan.
Prov Alb 28:2  Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë.
Prov Alb 28:3  Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë.
Prov Alb 28:4  Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata.
Prov Alb 28:5  Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë.
Prov Alb 28:6  Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur.
Prov Alb 28:7  Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij.
Prov Alb 28:8  Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit.
Prov Alb 28:9  Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.
Prov Alb 28:10  Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.
Prov Alb 28:11  I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye.
Prov Alb 28:12  Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen.
Prov Alb 28:13  Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.
Prov Alb 28:14  Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi.
Prov Alb 28:15  Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur.
Prov Alb 28:16  Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t'i zgjatur ditët e tij.
Prov Alb 28:17  Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë!
Prov Alb 28:18  Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas.
Prov Alb 28:19  Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.
Prov Alb 28:20  Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.
Prov Alb 28:21  Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë.
Prov Alb 28:22  Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.
Prov Alb 28:23  Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë.
Prov Alb 28:24  Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat", është shok i atij që shkatërron.
Prov Alb 28:25  Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi.
Prov Alb 28:26  Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.
Prov Alb 28:27  Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.
Prov Alb 28:28  Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen.
Chapter 29
Prov Alb 29:1  Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër.
Prov Alb 29:2  Kur të drejtët shumohen, populli gëzohet, por, kur sundon i pabesi, populli rënkon.
Prov Alb 29:3  Njeriu që e do diturinë gëzon të atin; por ai që shkon me prostitutat shkapaderdh pasurinë e vet.
Prov Alb 29:4  Mbreti e bën të qëndrueshëm vendin me anë të drejtësisë, por ai që merr dhurata e çon në shkatërrim.
Prov Alb 29:5  Njeriu që i bën lajka të afërmit të tij shtrin një rrjetë mbi hapat e tij.
Prov Alb 29:6  Në mëkatin e një njeriut të keq ka një lak, por i drejti këndon dhe gëzohet.
Prov Alb 29:7  I drejti interesohet për çështjen e të varfërve, por i pabesi nuk e kupton këtë interesim.
Prov Alb 29:8  Tallësit kurdisin trazira në qytet, por njerëzit e urtë e qetësojnë zemërimin.
Prov Alb 29:9  Në rast se një njeri i urtë hyn në grindje me një budalla, dhe budallai zemërohet dhe qesh, nuk ka paqe.
Prov Alb 29:10  Njerëzit gjakatarë urrejnë të ndershmin, por njerëzit e drejtë kërkojnë të mbrojnë jetën e tij.
Prov Alb 29:11  Budallai e shfryn gjithë zemërimin e tij, por i urti e frenon dhe e ul.
Prov Alb 29:12  Në rast se një mbret dëgjon fjalët gënjeshtare, tërë ministrat e tij bëhen të pabesë.
Prov Alb 29:13  I varfëri dhe shtypësi kanë këtë të përbashkët: Zoti ndriçon sytë e të dy palëve.
Prov Alb 29:14  Mbreti që u siguron drejtësi të varfërve në të vërtetë do ta ketë fronin të vendosur për gjithnjë.
Prov Alb 29:15  Shufra dhe qortimi japin dituri; por fëmija për të cilën nuk kujdeset kurrkush e turpëron nënen e vet.
Prov Alb 29:16  Kur shtohen të pabesët shtohen edhe shkeljet, por të drejtët do të shohin shkatërrimin e tyre.
Prov Alb 29:17  Korrigjo birin tënd, ai do të japë rehatinë dhe do t'i sigurojë kënaqësi shpirtit tënd.
Prov Alb 29:18  Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar, por lum ai që respekton ligjin.
Prov Alb 29:19  Një shërbëtor nuk ndreqet vetëm me fjalë; edhe kur i kupton, nuk bindet.
Prov Alb 29:20  A ke parë një njeri që ngutet në të folur? Ka më tepër shpresa te një budalla se sa te ai.
Prov Alb 29:21  Në se dikush rrit me përkujdesje qysh në fëmijëri shërbëtorin e vet, në fund ai do të dojë të bëhet trashëgimtar i tij.
Prov Alb 29:22  Njeriu zemërak kurdis grindje dhe njeriu idhnak kryen shumë mëkate.
Prov Alb 29:23  Kryelartësia e njeriut e çon poshtë atë, por ai që ka një shpirt të përvuajtur do të ketë lavdi.
Prov Alb 29:24  Kush bëhet ortak me një vjedhës urren jetën e vet. Ai dëgjon betimin, por nuk padit asgjë.
Prov Alb 29:25  Frika e njeriut përbën një lak, por ai që ka besim te Zoti është i siguruar.
Prov Alb 29:26  Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit, por drejtësia për çdo njeri vjen nga Zoti.
Prov Alb 29:27  Njeriu jo i drejtë është një neveri për të drejtët, dhe ai që ecën me ndershmëri është një neveri për të pabesët.
Chapter 30
Prov Alb 30:1  Fjalët e Agurit, birit të Jahehut; mesazhi profetik që ky njeri shpalli në Ithiel, në Ithiel dhe në Ukal.
Prov Alb 30:2  Po, unë jam më budalla se gjithë të tjerët dhe nuk kam mendje njeriu.
Prov Alb 30:3  Nuk kam mësuar diturinë dhe nuk kam dijen e Shenjtorit.
Prov Alb 30:4  Kush u ngjit në qiell dhe zbriti prej tij? Kush e ka mbledhur erën në duart e tij? Kush i ka mbyllur ujërat në rroben e tij? Kush i ka vendosur të gjithë kufijtë e tokës? Cili është emri i tij dhe emri i të birit, po qe se ti e di?
Prov Alb 30:5  Çdo fjalë e Perëndisë është rafinuar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai.
Prov Alb 30:6  Mos u shto asgjë fjalëve të tij që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar.
Prov Alb 30:7  Unë të kërkova dy gjëra; mos m'i moho para se të vdes:
Prov Alb 30:8  largo nga unë falsitetin dhe gënjeshtrën; mos më jep as varfëri as pasuri, më ushqe me bukën e nevojshme,
Prov Alb 30:9  me qëllim që, pasi të jem ngopur, të mos të të mohoj dhe të them: "Kush është Zoti?", ose, pasi të jem bërë i varfër, të mos vjedh dhe të përdhos emrin e Perëndisë tim.
Prov Alb 30:10  Mos shpif kundër shërbëtorit para të zotit, me qëllim që ai të mos të të mallkojë dhe ti të gjendesh fajtor.
Prov Alb 30:11  Ka një kategori njerëzish që mallkojnë atin e tyre dhe nuk bekojnë nënen e tyre.
Prov Alb 30:12  Ka një kategori njerëzish që e mbajnë veten për të pastër, por nuk janë të larë nga papastërtia e vet.
Prov Alb 30:13  Ka një kategori njerëzish që i ka sytë shumë kryelartë dhe qepallat krenare.
Prov Alb 30:14  Ka një kategori njerëzish dhëmbët e të cilëve janë si shpata dhe dhëmballët e tyre janë si thika, për të gëlltitur të varfërit mbi faqen e dheut dhe nevojtarët në mes të njerëzve.
Prov Alb 30:15  Shushunja ka dy bija, që thonë: "Më jep, më jep!". Ka tri gjëra që nuk ngopen kurrë, madje katër nuk thonë kurrë: "Mjaft!".
Prov Alb 30:16  Sheoli, barku shterp, toka që nuk ngopet me ujë dhe zjarri që nuk thotë kurrë: "Mjaft!".
Prov Alb 30:17  Syrin që tallet me babanë dhe nuk pranon me përbuzje t'i bindet nënës, do ta nxjerrin korbat e përroit, do ta hanë të vegjëlit e shqiponjës.
Prov Alb 30:18  Ka tri gjëra tepër të mrekullueshme për mua, madje katër, që unë nuk i marr vesh:
Prov Alb 30:19  gjurma e shqiponjës në ajër, gjurma e gjarpërit mbi shkëmb, gjurma e anijes në mes të detit dhe gjurma e burrit me një vajzë.
Prov Alb 30:20  Kjo është sjellja e gruas që ka shkelur kurorën: ha, fshin gojën dhe thotë: "Nuk kam bërë asnjë të keqe!".
Prov Alb 30:21  Tri gjëra e turbullojnë tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë:
Prov Alb 30:22  një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk,
Prov Alb 30:23  një grua të urryer që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës.
Prov Alb 30:24  Ka katër kafshë të vogla mbi tokë, por janë jashtëzakonisht të urta:
Prov Alb 30:25  mizat e dheut, që janë një popull pa forcë, por që e mbledhin ushqimin e tyre në verë;
Prov Alb 30:26  lepujt, që janë një popull i dobët, por që e vendosin banesën e tyre në shkëmbinjtë;
Prov Alb 30:27  karkalecat, që nuk kanë mbret, por që shkojnë mbarë në grupe;
Prov Alb 30:28  hardhuca që mund ta zësh me duart, por që gjendet në pallatet e mbretërve.
Prov Alb 30:29  Tri qënie kanë një paraqitje të bukur, madje katër kanë një ecje madhështore;
Prov Alb 30:30  luani, kafsha më e fortë, që nuk zmprapset para askujt,
Prov Alb 30:31  kali i luftës që ecën i ngrefosur, cjapi dhe mbreti kur është me ushtrinë e tij.
Prov Alb 30:32  Në rast se ke vepruar si budalla duke lartësuar veten tënde ose të ka shkuar mendja, vëre dorën mbi gojë,
Prov Alb 30:33  sepse, duke rrahur qumështin prodhohet gjalpi, duke përdredhur hundën del gjak prej saj dhe duke shtrydhur mërinë prej saj del grindja.
Chapter 31
Prov Alb 31:1  Fjalë të mbretit Lemuel, mesazhi profetik me të cilin e mësoi e ëma.
Prov Alb 31:2  Çfarë të të them, biri im? Çfarë të të them, biri i barkut tim? Çfarë të të them, bir i zotimeve të mia?
Prov Alb 31:3  Mos ua jep forcën tënde grave as jetën tënde asaj që shkatërron mbretërit.
Prov Alb 31:4  Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,
Prov Alb 31:5  sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.
Prov Alb 31:6  Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.
Prov Alb 31:7  Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.
Prov Alb 31:8  Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.
Prov Alb 31:9  Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.
Prov Alb 31:10  Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.
Prov Alb 31:11  Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.
Prov Alb 31:12  Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.
Prov Alb 31:13  Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.
Prov Alb 31:14  Ajo u përngjan anijeve të tregëtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.
Prov Alb 31:15  Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhërat e nevojshme shërbëtoreve të saj.
Prov Alb 31:16  Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.
Prov Alb 31:17  Ngjesh me forcë ijët dhe i bën më të fortë krahët e saj.
Prov Alb 31:18  E kupton që tregëtia e saj po shkon mbarë dhe llamba e saj e natës nuk i shuhet.
Prov Alb 31:19  Shtrin dorën mbi furkën, pëllëmbat e saj zënë boshtin.
Prov Alb 31:20  I shtrin dorën të varfërit dhe i jep dorën nevojtarit.
Prov Alb 31:21  Nuk i trembet borës për familjen e saj, sepse tërë ata të shtëpisë së vet kanë një veshje të dyfishtë.
Prov Alb 31:22  Bën për vete mbulesa si sixhade dhe rrobat e saj janë prej liri shumë të hollë dhe të purpurta.
Prov Alb 31:23  Burri i saj nderohet te porta, kur ulet bashkë me pleqtë e vendit.
Prov Alb 31:24  Përgatit rroba prej liri dhe i shet, i furnizon me breza tregtarët.
Prov Alb 31:25  Forca dhe nderi janë rrobat e saj dhe qesh për ditët që do të vijnë.
Prov Alb 31:26  Hap gojën e saj me dituri dhe mbi gjuhën e saj është ligji i mirësisë.
Prov Alb 31:27  Ajo mbikqyr si shkon shtëpia e vet dhe nuk ha bukën e përtacisë.
Prov Alb 31:28  Bijtë e saj ngrihen dhe e shpallin fatlume; edhe burri i saj e lëvdon duke thënë:
Prov Alb 31:29  "Shumë bija kanë bërë gjëra të mëdha, por ti i kalon të gjitha ato".
Prov Alb 31:30  Hiri është i rremë dhe bukuria është e kotë, por gruaja që ka frikë nga Zoti është ajo që do të lëvdohet.
Prov Alb 31:31  I jepni frytin e duarve të saj, dhe vet veprat e saj le ta lëvdojnë te portat.